Nuk është përrallë, as legjendë!

Lajmi për vdekjen e saj në moshën 131-vjeçare më dukej si një përrallë apo legjendë, sepse unë nuk kisha dëgjuar ndonjëherë më parë se ka jetuar kaq vite ndonjë njeri në Mal të Zi e as në Jugosllavi. Nëse është kështu, Tereze Gjurashaj kishte qenë e denjë për të hyrë në Librin e Ginesit

Gjekë Gjonaj

Në Cem të Trieshit, fshat të cilin nga katundi im e ndanë lugina e Cemit, ku kalon uji kristal i lumit Cem, ka jetuar një shqiptare malësore shekullore, për të cilën kam dëgjuar në moshën e rinisë. Bëhet fjalë për Terezen e Mat Lulashit Gjurashaj. Edhe pse nuk arritëm të sigurojmë dokumente për të vërtetuar moshën, nga Tomë Gjergji Gjurashaj mësuam se ajo ka qenë vajza e Kolë Lekës nga familja Lekmiraj ose Lekmaraj, dhe se ka lindur në fshatin Rahovicë afër Tamarës, në Kelmend të Malësisë së Madhe, në vitin 1853, në një moment të turbullt për Shqipërinë. Ajo jetoi në kapërcim të shekujve nga Perandoria Osmane, Luftërat Ballkanike, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, rënia e Ahmet Zogut deri në periudhën e komunizmit. Vdiq në vitin 1984, në moshën 131-vjeçare. Edhe pak vite jetë e ndanë nga periudha e demokracisë.
Askush prej cemakëve të vjetër nuk e dinë sa motra e vëllezër ka pasur ajo.
“Unë e di me siguri se ajo ka pasur një motër të martuar me Kolë Voclin, i cili disa herë ka ardhur në shtëpinë e saj në Cem të Trieshit për ta vizituar tezen e tij. Për anëtarë të tjerë të familjes së saj, nuk di të ketë pasur apo jo”, thotë Gjurashaj.
Për Tereze Maten, trieshianët thoshin se nuk ka pasur askënd, as nga ana e gjinisë dhe se familjarët e saj janë shpërngulur nga Kelmendi, diku në Shqipëri, por nuk dinin me siguri se ku ata kanë gjetur strehim.
Në një artikull të botuar në gazetën malazeze “Pobjeda” ose serbe “Veçernje Novosti” (nuk e di saktësisht), gazetari me inicialet D. J. (Dushko Joviq, shënimi im), të cilin pata rastin ta lexoj me disa trieshianë të tjerë, që e kishin blerë gazetën, shkruan se e kishte vizituar Terezen e Matit, siç e quanin cemakët, vetëm pak muaj para vdekjes së saj në vitin 1984. Autori i këtij artikulli, me mbititull “Tereze Gjurasheviq, më e vjetra në Jugosllavi”, ndër të tjera shkruan:
“Tereze Gjurasheviq, tani jeton në një fshat në Cem të Trieshit pranë Titogradit (Podgoricës) në moshën 131-vjeçare. Terezja me kombësi është malazeze, ka lindur në fshatin Kelmend në Shqipëri, në familjen Lekmiraj, më 6 qershor të vitit 1853. Terezen këto ditë ne e vizituam në shtëpinë e nipit të burrit të saj, Zef Gjurasheviq, që është në moshë të thyer 94-vjeçare. Terezja është e palëvizshme tash 12 vjet, shikimin e kishte humbur 15 vjet më parë. Megjithatë, oreksi i shërben si të ishte në vitet më të mira. Ne nuk ishim në gjendje për të biseduar me të, sepse ajo nuk e dinte gjuhën serbokroate. Tash 30 vjet Terezja jeton vetëm, që kur burri i saj vdiq. Ajo kishte shtatë fëmijë dhe gjashtë prej tyre vdiqën në vitet e para të jetës. Ndoshta prej ushqimit të pamjaftueshëm. Vajza e vetme e mbijetuar, u martua në Shqipëri, por edhe ajo vdiq në moshë të re. Dhjetë vjet më parë, është ndërtuar rruga automobilistike nëpër kanionin e lumit Cem dhe pastaj edhe u rrënua shtëpia e vjetër në të cilën Terezja kaloi pothuajse 100 vjet”.
Lajmi për vdekjen e saj në moshën 131-vjeçare më dukej si një përrallë apo legjendë, sepse unë nuk kisha dëgjuar ndonjëherë më parë se ka jetuar kaq vite ndonjë njeri në Mal të Zi e as në Jugosllavi. Nëse është kështu, Tereze Gjurashaj kishte qenë e denjë për të hyrë në Librin e Ginesit.
Nga vëzhgimi që kam bërë në terren për jetën e saj, mund të themi me siguri se historia jetësore e kësaj malësoreje ka qenë tej mase e vështirë, e dhimbshme dhe tragjike. Ka qenë trupvogël, fizikisht shumë e fortë, punëtore e palodhur, stoike, mikpritëse me çfarë kishte, e dashur me familjarë të burrit dhe me njerëz të tjerë, por edhe e respektuar nga të gjithë që e njohën.
Ju sjellim rrëfimin e Nua (Toni) Gjel Dedë Husit Nikprelaj (88 vjeç), nga Cemi i Trieshit, i cili e ka njohur dhe ka ndenjur shpesh me të:
“Terezja ka jetuar në një kasolle të vogël, të punuar me gur të thatë, të mbuluar me kashtë. Në njërën pjesë të kasolles jetonte ajo, kurse në pjesën tjetër gomari, i cili i shërbente për kryerjen e nevojave të saj. E mbaj mend kur i kishte 100 vjet. Në atë moshë dilte në mal larg shtëpisë së saj mbi lumin Cem, priste (copëtonte) dru me një mjet të mprehtë, i zbriste poshtë në rrugë, ngarkonte gomarin dhe shkonte në pazar në Titograd për t’i shitur. S’kishte rrugëdalje tjetër, sepse burri (bashkëshorti) i kishte vdekur dhe kishte mbetur vetëm pa askënd, edhe pse pati shtatë fëmijë, por të gjithë i vdiqën në moshë të re. Edhe pse kishte një shekull jetë, ishte shumë vitale, e fortë në duar dhe këmbë, shumë e zhdërvjellët nga trupi, e shkathët nga mendja, shihte mirë, i zgjidhte gjërat shpejt. Ditën e kalonte duke punuar kopshtin rreth shtëpisë, ku, së bashku me bashkëshortin e saj, i cili kishte vdekur në moshën 82-vjeçare, kishin mbjellë disa pemë vetëm për nevojat e tyre. Gjumin e bënte në tokë, me një tapet të hollë për dyshek. Pas vdekjes së burrit ka marrë një ndihmë simbolike sociale. Është veshur me rrobe të vjetra dhe me xhubletë pa stoli, sikur gratë e tjera të asaj kohe. Në kokë gjithmonë, kudo ka shkuar, ka mbajtur një rubë (shami) pëlhure të bardhë. Është ushqyer shëndetshëm, me produkte bujqësore organike dhe me bulmete blegtorale – qumësht, kos, djathë, hirrë, mazë, pemë e perime. Ka jetuar në një ambient të mrekullueshëm ekologjik, pranë brigjeve të lumit Cem, duke thithur ajër të pastër. Të gjitha këto, por edhe gjenetika, kanë ndikuar në jetëgjatësinë e saj.
Më vonë (pasi i ka kaluar 100 vjet) është verbuar dhe ka mbetur e palëvizshme. Prej atëherë për të është kujdesur nipi i burrit të saj, Zef Dedë Lulashi Gjurashaj, i cili e ka mbajtur disa vjet në shtëpinë e tij, ku ajo ka vdekur. Është varrosur në një gropë, në livadh, ku kanë qenë dikur varrezat e vjetra të Gjurashajve”.
Nuk është përrallë, as legjendë!

Të fundit

më të lexuarat