Shoqëritë kulturoree artistike- bazë qëkultivojnë dhepërgatisin talentet e reja

Koha Javore: z. Tolaj para plot dhjetë vjetësh zhvilluam intervistën e parë së bashku për lexuesit e gazetës “Koha Javore”, ku atëkohë folëm mbi kontributin Tuaj si tenor i njohur me një karrierë të gjatë dhe të ndritur. Por këtë radhë, po ju intervistoj në cilësinë e drejtorit të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Si do ta përshkruanit gjendjen e këtij ansambli në vitin 2019, kur ju e morët në drejtim?
Sh. Tolaj:
Së pari kam kënaqësi të veçantë të flas e përgjigjem për shqiptarët e Malit të Zi të cilët janë thellë në zemrën time. Në prezantimet e mia përgjatë këtyre viteve kam vizituar mbi 10 herë Tuzin për të qenë pjesë e evenimenteve të ndryshme dhe me plot gojë mund të them se sa herë takoj shqiptarët e Malit të Zi më duket se takoj gjenin e atdhetarizmit tonë si komb! Kur mora drejtimin në vitin 2019, ishte kohë kur gjeta një staf të mirë, artistë karriere dhe shumë të rinj, tek të cilët duhej vendosur disiplina e punës! Ishte kohë kur duhej përgatitur koncertet e para promovuese nëpër qytete, të mendohet programi ku do të prezantohemi jashtë shtetit dhe cilat zona do t’i gjurmonim. Thjeshtë të aplikohet vizioni dhe programi me të cilin kisha konkurruar si drejtor.

Koha Javore: A mund të na flisni për disa nga aktivitetet kulturore më të rëndësishme (koncertet dhe festivalet) që ky ansambël ka realizuar këto vite që ju e drejtoni?
Sh. Tolaj:
Natyrisht koncertet e para jashtë vendit janë të paharruara, ato janë, ai i 17 shkurtit 2020 në Kosovë dhe ai më 8 mars 2020, në Tuz. Ndër sukseset në fushën e valles do të veçoja: nxjerrjen në pah të trevës së Rekës, punë e mrekullueshme e koreografit Dilaver Kryeziu; Vallja e Kërçovës; “Malësorja” dhe “Vallja e Dervenit” me koreograf Artan Ibershimin. Vallja e Prespës me koreograf të Genc Kastratit; Vallja e Dibrës me koreograf të Gjergj Prevazit; Vallja “Baresha” me koreograf të Feim Lekës; Vallja e paqes dhe “Viganët e Sharrit” nga Robert Nuha. Këto zona u gjurmuan për herë të parë për të sjellë në formë profesionale vallen dhe koreografinë. Koncertet tematike për “Lorenc Antonin”, “Musa Piperkun”, “Trio Zajazin”, “Gani Grubin” janë histori suksesi, bashkë me monografitë e botuara dhe CD/ të e prodhuara në super produksion. Natyrisht, manifestimet tradicionale “Dita e plisit” në Shkup, 22 nëntori në Manastir, 28 nëntori në Shkup, janë kapitull në vete i suksesit në raport me numrin e madh të spektatorëve dhe ndikimin në masë. Kur jemi te publiku, të paharruara janë koncertet në Bujanovc, e së fundmi në Preshevë, kur duartrokitjet e spektatorëve ishin shenja më e mirë e falënderimit dhe përkuljes. Për ansamblin, historike mbeten tre çmime të para jashtë vendit: Bullgari, Hungari e në festivalin më të madh të folklorit në botë, Byjyçekmexhe!

Koha Javore: Pavarësisht se u themelua vetëm gjashtë vjet më parë, (2018), Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, është shndërruar në një thesar të çmuar për kulturën dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve atje. Sa impenjuese është t’a drejtoni atë dhe cilat kanë qenë sfidat më të mëdha për Ju?
Sh. Tolaj:
Ansambli ka filluar të funksionojë plotësisht në nëntor 2019, dhe natyrisht që isha i vetëdijshëm se duhet t’a vë në funksion institucionin me resurset njerëzore që ka dhe me rrethanat sfiduese për një drejtor. Kur kësaj i shtohet fakti se me Ligj në Maqedoninë e Veriut, drejtori është përgjegjës për pjesën menaxheriale e artistike, atëherë duhet të llogarisësh se si drejtor nuk ke orar të rregullt pune. Orari zgjat, edhe 14, edhe 16 orë pune sepse duhet ta kemi parasysh që jemi themeluar vonë! Derisa fqinjët tanë kanë mbi 70 vjet traditë, ne duhet të ecim në maratonë për të bërë atë që duhet dhe të konkurrojmë me dinjitet brenda e jashtë vendit. Në praktikën e vendeve të zhvilluara është dëshmuar se vetëm me disiplinë arrihet tek caku dhe suksesi!

Koha Javore: Na flisni pak për funksionimin e këtij ansambli, sa anëtarë e përbëjnë, kushtet në të cilat e zhvillon punën, por edhe për bashkëpunimin me ansamble të tjera qoftë në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, etj.?
Sh. Tolaj:
Ansambli ka rreth 50 të punësuar- administratë dhe artistë. Kemi mbajtur koncert të përbashkët me Ansamblin “Shota” në “Klan Arena” dhe ka qene një ndër spektaklet që do mbahet mend. Me drejtoreshën Abigeila Voshtina kemi bashkëpunim të mrekullueshëm dhe ma datë 28 nëntor në Sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë ishim të ftuar në një koncert ku u prezantuan të tre ansamblet shtetërore shqiptare. Por, më duhet të cekë se shumë kompozitorë, koreografë, mysafirë special, ekspertë të fushës nga Kosova e Shqipëria, janë krahu ynë i fuqishëm për hapërim drejt suksesit!

Koha Javore: Çfarë mund të veçoni si suksesin më të madh të këtij ansambli gjatë këtyre pesë viteve që ju e drejtoni?
Sh. Tolaj:
Janë të shumta sukseset por padiskutim triumfi historik i Ansamblit shqiptar në festivalin më të madh të folklorit në botë “Byjyçekmexhe” paraqet arritje kulmore. Ky festival dhe kjo fitore është ëndërr për secilin ansambël shtetëror!

Koha Javore: Cilat janë disa nga shfaqjet e trupës së këtij ansambli kohëve të fundit?
Sh. Tolaj:
Koncertet e fundit janë mbajtur me 17 dhe 18 shkurt në kuadër të manifestimit “Dita e plisit”. Në Shkup ishin mbi 500 spektatorë që kishin mbushur dhe shkallët e Teatrit dhe në Preshevë mbi 800 spektatorë që kishin stërmbushur sallën! Duartrokitjet e ovacionet ishin të jashtëzakonshme. Para të pranishmëve u shfaq program premierë- absolute dhe këto koncerte patën jehonë dhe nga ana mediatike, për arsye se, manifestimi “Dita e plisit” tashmë ka krijuar imazh. Tradicionalisht publikut i dhurohen plisa dhe kjo madhëron këtë manifestim!

Koha Javore: Si financohet ansambli Juaj? Keni mbështetje nga institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, siç është Ministria e Kulturës?
Sh. Tolaj:
Ne jemi institucion në varësi të plotë të Ministrisë së Kulturës, prandaj programi artistik miratohet nga kjo ministri, por çdoherë kemi pasur mbështetje për aktivitetet tona nga Qeveria, komunat dhe artdashësit e shumtë.

Koha Javore: Si e vlerësoni bashkëpunimin me shoqatat dhe ansamblet e shqiptarëve në Mal të Zi?
Sh. Tolaj:
Ne kemi bashkëpunim të ngushtë me “Dedë Gjon Lulin” dhe “Rrapsha”, edhe personalisht si artist ku kam qenë shpeshherë i ftuar. Më duhet të them se xhubletën për herë të parë e kemi futur ne në institucion dhe për këtë ndjehem krenar.

Koha Javore: Sa i rëndësishëm është kontributi i ansambleve dhe shoqatave që ruajnë dhe kultivojnë vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare, siç janë këngët dhe vallet popullore, si pjesë e kulturës shpirtërore?
Sh. Tolaj:
Është jashtëzakonisht e rëndësishme puna e shoqërive kulturore e artistike. Aty është baza që kultivon dhe përgatit talentet e reja, prandaj çdo zonë ka karakteristikat e veta dhe është jashtëzakonisht bukur që të kultivohet në çdo vend tradita jonë.

Koha Javore: Cilat janë projektet aktuale të ansamblit Tuaj dhe prioritetet për këtë vit?
Sh. Tolaj:
Këtë vit në plan janë shumë projekte por kryesori është shënimi i jubileut të pestë të funksionimit të ansamblit!

Koha Javore: z. Tolaj, Ju falënderoj për këtë intervistë!
Sh. Tolaj:
Kënaqësia ime!

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat