Koha Javore: Z. Lulanaj, në muajin korrik u emëruat ushtrues detyre i drejtorit të Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maji” në Tuz. A mund të na thoni se çfarë do të jetë synimi Juaj parësor për aq kohë sa do të jeni në krye të këtij institucioni edukativo-arsimor? S. Lulanaj: Duke qenë se kam një përvojë mbi 20 vjeçare në arsim, mendoj se tani i njoh anët pozitive dhe ato negative në të cilat në të kaluarën ka çaluar sistemi arsimor në shkollën tonë. Kryesisht, do të fokusohem që të rris nivelin intelektual dhe në aspektin pedagogjik të qëndrojmë në nivel më të lartë e të kemi një kuadër edhe më të përgatitur.
Koha Javore: Ju keni qenë mësimdhënës disavjeçar siç e cekët në përgjigjen e parë, i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në këtë institucion. Në çfarë kushtesh është zhvilluar mësimi në të kaluarën në raport me sot? S. Lulanaj: Kushtet janë gjithnjë në përmirësim e sipër dhe ky dallim vërehet në shkollën tonë nga vitet e mëparshme dhe po punojmë që të jenë gjithnjë e më të përshtatshme për kohën e sotme.
Koha Javore: Para dy muajve filloi rikonstruksioni total i godinës së Gjimnazit “25 Maji”. Si po vijon dinamika e punimeve dhe çfarë pritet të realizohet në krejt infrastrukturën e parashikuar të këtyre punimeve? S. Lulanaj: Në këtë projekt të energjisë efikase i cili përfundon më 2 dhjetor përfshihen: energjia elektrike e dobët dhe e fortë, pvc dritaret pothuajse të gjitha, ngrohja qendrore, tualetet, tavanet e varura me pllaka allçie), pastaj izolimi i jashtëm, çatia, panelet diellore dhe pompat për ngrohjen qendrore. Janë kryer pothuajse të gjitha punimet e brendshme, kanë mbetur pa përfunduar disa instalime dhe salla e sportit. Punimet e jashtme vazhdojnë deri në afatin e caktuar.
Koha Javore: Viti shkollor 2023/2024 startoi më 4 shtator. Sa është numri i nxënësve të regjistruar në vitin e parë dhe a keni ndonjë mundësi alternative për të zhvilluar mësimin, për shkak se ende vijojnë punimet në godinën e shkollës? S. Lulanaj: Këtë vit në vit të parë janë regjistrua 83 nxënës. Nga 15 shtatori vazhdojmë mësimin e rregullt në hapësirat e shkollës, pavarësisht se punimet e jashtme vazhdojnë, mësimi vijon rregullisht.
Koha Javore: Z. Lulanaj prej disa vitesh jeni drejtues i Grupit Letrat “Jehona” i cili me sukses vepron në kuadër të shkollës Tuaj. Sa i rëndësishëm ka qenë themelimi i këtij grupi letrar për gjenerata të tëra që kanë qenë pjesë e këtij grupi, e recitimeve të ndryshme, e garave letrare, etj.? S. Lulanaj: Grupi letrar “Jehona“ ka vepruar me sukses pranë kësaj shkolle dhe ishte gjithnjë një dritare më shumë për nxënësit të cilët falë angazhimit të tyre e mbajtën këtë frymë letrare. Por, gjithashtu edhe u pajisën me një bagazh më të gjerë dhe më të thelluar kulturor. Gjenerata të shumta kanë marrë përvojë të bukur dhe përvojë të shumanshme.
Koha Javore: Cilat janë planet Tuaja më të afërta që priten të realizohen për këtë institucion edukativo-arsimor? S. Lulanaj: Kryesisht do të ndalemi në ngritje profesionale të stafit arsimor, hapjen e drejtimeve të reja të kësaj shkolle, në mundësimin e aktiviteteve jashtëshkollore, kulturore, artistike, etj.
Bisedoi: Toni Ujkaj