Federata Panshqiptare “Vatra” në 110 vite histori

Koha Javore: Z. Marku, Federata Panshqiptare “Vatra” është organizata më jetëgjatë e shqiptarëve në të dyja anët e Atlantikut, e cila asnjëherë nuk reshti së ndihmuari çështjen kombëtare në të gjitha aspektet dhe fushat. Cilat do të veçonit si tri arritjet më të mëdha të kësaj federate në këto 110 vjet ekzistencë?
P. Marku:
Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” e themeluar në vitin 1912 nga intelektualë shqiptarë, me në krye Nolin dhe Konicën ishte për mbrojtjen e interesave kombëtare, për të bashkëpunuar në zhvillimin e arsimit, kulturës e traditës shqiptare, si dhe për të krijuar lidhjet me atdheun. Nëpërmjet organit zyrtar, gazeta “Dielli” informonte opinionin publik për ngjarjet në viset shqiptare, qëndrimin dhe deklaratat e ndërkombëtarëve dhe ndaj aktiviteteve të diasporës shqiptare.
Gjatë këtyre 110 viteve veprimtari, pati një rol të rëndësishëm në procesin shtet-formues dhe në vendimmarrje politike në Shqipëri. Po ashtu, “Vatra” ka qenë protagoniste në mbrojtje të të drejtave kombëtare shqiptare e territoriale dhe në lobimin ndërkombëtar për konsolidimin e shtetit shqiptar, për promovimin e vlerave tona kombëtare si dhe për ndërtimin e urave lidhëse me institucionet amerikane.

Koha Javore: Prej sa anëtarësh përbëhet sot kryesia e “Vatrës” dhe si i zhvilloni mbledhjet?
P. Marku:
Kryesia e “Vatrës” përbëhet prej trembëdhjetë anëtarësh dhe drejtohet nga kryetari i “Vatrës”. Mbledhjet zhvillohen periodikisht sipas programit dhe projekteve të spektrit kombëtar në përputhje me interesat e “Vatrës” dhe të shqiptarëve.

Koha Javore: Për të realizuar misionin e saj, si financohet Federata Panshqiptare “Vatra”?
P. Marku:
Ju falënderoj për këtë pyetje mjaft interesante. Të ardhurat sigurohen nga anëtarët e saj, nga donatorë të ndryshëm, qofshin ‘vatran’ apo miq të jashtëm të “Vatrës”. Gjej edhe rastin që t’i falënderoj për zemërgjerësinë që kanë dëshmuar dhe dëshmojnë, të cilëve duhet t’iu jemi mirënjohës për kontributin e tyre. Mund të pohohet se gjatë këtyre 110 viteve janë realizuar projekte të shumta në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare dhe të “Vatrës”. Janë vërtet të shumtë individë apo familje që kanë dhuruar për “Vatrën” dhe për projekte të ndryshme të ‘vatranëve’ ndër dekada, ku disa prej tyre edhe nuk jetojnë më, por mund të pohoj se falë donacioneve që ata kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë, janë realizuar shumë projekte.

Koha Javore: Cili është bashkëpunimi Juaj me shoqatat e tjera në Amerikë dhe ku konsiston ky bashkëpunim?
P. Marku:
Bashkëpunimi i “Vatrës” me shoqatat e tjera është konstruktiv. Në lidhje me zhvillimin e aktiviteteve ato janë të ndryshme si: bashkëpunime shkencore, kulturore e shoqërore. Po ashtu, “Vatra” ka patur dyert e hapura për të gjithë ata që kanë kërkuar bashkëpunim për të promovuar veprimtaritë e tyre me karakter kombëtar shqiptar, arsimor e kulturor.

Koha Javore: Federata që ju aderoni ka qenë zë permanent i mbrojtjes dhe garantimit të të drejtave të shqiptarëve në SHBA dhe lobuese në Kongresin Amerikan për shqiptarët anembanë botës. Si e shikoni aktualisht statusin e shqiptarëve në SHBA, arritjet e tyre në fusha të ndryshme jetësore?
P. Marku:
“Vatra” lindi dhe u rrit si e tillë,në mbrojtje të interesave kombëtare shqiptare dhe e zhvilloi veprimtarinë për ndërgjegjësimin e opinionit publik amerikan për vlerat e larta që e karakterizojnë popullin shqiptar. Gjithashtu, ka mbajtur marrëdhënie me autoritete të larta shtetërore, Kongresin Amerikan, Departamentin e Shtetit, senatorë e kongresmenë. “Vatra” e ka dëshmuar forcën e saj në mbrojtje të çështjes kombëtare e territoriale në Konferencën e Parisit kur kërcënimi ishte tepër serioz dhe përgatiti një fushatë të gjerë dhe mjaft aktive me autoritete të larta në Amerikë. “Vatra” i ka kultivuar vazhdimisht marrëdhëniet me autoritet amerikane në mbrojtje të shqiptarëve, që u finalizuan me aktin e ahpalljes së Kosovës të lirë dhe të pavarur.
Statusi i shqiptarëve në SHBA është vërtet një shembull pozitiv për mënyrën e integrimit në shoqërinë amerikane. Janë të shumtë të rinj e të reja shqiptare që studiojnë në universitete amerikane prestigjioze dhe kanë arritur rezultate të shkëlqyera, si dhe janë të shumtë ata që kanë mbaruar universitetin dhe sot punojnë në dikastere të rëndësishme. Sot që flasim, shqiptarët i gjejmë në institucione të rëndësishme amerikane në fusha të ndryshme: akademike, arsimore, mjekësi, inxhinieri, shërbim ushtarak e policor duke mbajtur edhe grada drejtuese të rëndësishme. Aktualisht kemi specialistë shqiptarë dhe në fushën e drejtësisë e financës.
Po ashtu, gjenden biznese të shumta shqiptarësh, kryesisht në fushën e ndërtimit, bare e restorante, menaxhim biznesesh, shitblerje shtëpish e pronash e shumë punë të tjera profesionale.

Koha Javore: Në kuadër të Federatës Panshqiptare “Vatra” botohet edhe gazeta“Dielli”m e një traditë raportimi mbi një shekull, një mjet informimi tejet i rëndësishëm për shqiptarët në SHBA e drejtuar ndër dekada nga emra të mëdhenj të shkencës dhe kulturës kombëtare si Faik Konica, Fan Noli, etj. Cili ka qenë kontributi i kësaj gazete në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve përtej Atlantikut?
P. Marku:
Gazeta “Dielli” është organi zyrtar i “Vatrës” dhe botohet njëherë në muaj. Veprimtaria e “Vatrës” dhe e komunitetit shqiptar në Amerikë zënë vend të rëndësishëm në shtypin e gazetës “Dielli”. Po ashtu, në gazetë gjenden shkrime të shumta të karakterit: historik, gjuhësor e letrar, politik, shoqëror e kulturor. Gjatë pandemisë Covid-19, gazeta “Dielli” kontaktoi dhe zhvilloi intervista të shumta nga katër anët e botës me specialistë të mjekësisë dhe të shëndetit publik për të informuar lexuesit rreth gjendjes së Covidit.

Koha Javore: Cila është veprimtaria aktuale e Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe planet më të afërta?
P. Marku:
Veprimtaria e “Vatrës” është e mbushur me aktivitete të shumta përgjatë gjithë vitit. Këtë vit “Vatra” kishte edhe 110-vjetorin e themelimit të saj që përkon me 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Për këto dy ngjarje të rëndësishme u organizuan aktivitete shkencore. Më 12 qershor 2022 u organizua Konferenca Ndërkombëtare Shkencore ku morën pjesë njëzet studiues profesionistë për të folur për të shkuarën e lavdishme të Federatës “Vatra”. Në këtë aktivitet shkencor, studiuesit paraqiten temat e tyre mjaft interesante dhe sollën shumë risi për veprimtarinë e “Vatrës” shekullore. Aktualisht jemi duke punuar për realizimin e botimin të akteve të konferencës. Me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë u organizua Simpozium Shkencore në “Vatër”. Po ashtu, kemi patur aktivitete festive me komunitetin shqiptar ne Amerikë.

Koha Javore: Z. Marku, Ju falënderoj për këtë intervistë!
P. Marku:
Falënderoj gazetën “Koha Javore” për interesimin për të informuar lexuesit rreth veprimtarisë së Federatës “Vatra”, veçanërisht falënderoj gazetarin Toni Ujkaj.
Ju uroj shumë suksese!

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat