Koha Javore: Z.Arbneshi, kohë më parë jeni emëruar kryetar i Shoqatës “Kraja”- Dega në Krajë. A mund të na thoni diçka për këtë shoqatë, një letërnjoftim të saj dhe për strukturën organizative?
V.Arbneshi: Unë jam emëruar kryetar i Shoqatës “Kraja” – Dega në Krajë në shtator të këtij viti. Dega e Shoqatës “Kraja” në Krajë funksionon si urëlidhëse ndërmjet mërgatës sonë në SHBA dhe nevojave të vendlidjes, pra të Krajës për përmirësimin dhe avancimin e jetës së banorëve të kësaj ane, përmes aktiviteteve të ndryshme që kryesisht kanë të bëjnë me promovimin dhe valorizimin e Krajës dhe potencialin e saj turistik të pashfrytëzuar aq sa duhet deri më tani. Ne akoma jemi në proces të formimit të strukturave udhëheqëse të degës në Krajë. Në kohën kur unë jam emëruar kryetar i degës, kam gjetur një grup vullnetarësh të gatshem të ndihmojnë sa herë që paraqitet nevoja. Vlen të përmendet se të gjitha vendimet për aktivitetet tona merren dhe janë e drejtë ekskluzive e Shoqatës “Kraja” me seli në Nju Jork.
Koha Javore: Para ardhjes Tuaj në krye të degës, shoqata ka patur një aktivitet të ngjeshur ku barren kryesore e ka bartur mbi supe kryetarja e parë e saj Medina Cura. Besoj se para ardhjes Tuaj u ka folur për aktivitetet e degës në të shkuarën. Na thoni diçka për veprimtarinë e shoqatës para ardhjes tuaj në krye të degës?
V.Arbneshi: Sigurisht që jam i njoftuar me aktivitetet e shoqatës si nga ana e ish-kryetares, e poashtu edhe gjatë kohës kur janë zhvilluar ato aktivitete kam pas rastin të informohem nëpermjet rrjeteve sociale dhe medias, e poashtu edhe duke e parë nga afër punën e tyre konkretisht. Nga ish-kryetarja vazhdojmë të kemi përkrahje dhe vazhdon të gjendet pranë degës së shoqatës si aktiviste, dhe rezultat i kësaj është edhe njohja ime me aktivitetet e mëparshme më në detaje, të cilët kanë qenë të shumta. Këtu do veçoja: bursat për studentë, shportat e Bajramit për femijë, ndihma me pako ushqimore e pastaj edhe në të holla për disa familje në nevojë, si dhe organizimi i “Ditëve të Diasporës” në Krajë që përfshijnë piknikun në Muriq dhe “Natën e Diasporës”. Ndër aktivitetet tjera më madhore që ka realizuar shoqata janë ndërtimi i shtëpisë së një familjeje, plani i rinovimit të qendrës së Ostrosit si dhe takimet me Komunën (personat përgjegjes për këtë lëmi) dhe me Agjensinë TIKA në mënyrë që të arrihet deri tek realizimi i këtij projekti, pastaj vendosja e ndriçimit (dritave) në qendrën e Ostrosit, financimi për realizimin e uebsajtit visitkraja.com që edhe sot mirëmbahet nga grupi i të rinjve që në atë kohë mbështetëshin nga Shogata “Kraja”. Deri tani nga puna e viteve më parë, përveç aktiviteteve të realizuara e kemi agjendën të mbushur plot me projekte dhe ide që në të ardhmën shpresojmë të gjejmë rrugën të gjithë së bashku t’i finalizojmë, duke mos lënë anash as kërkesat që do na paraqiten në vazhdimësi.
Koha Javore: Emërimi Juaj në krye të shoqatës në Krajë është pritur mirë nga opinion. Kjo edhe nga vetë fakti se jeni zhgjedhur në mënyrë demokratike me votë të lirë, dhe keni fituar me shumicë votash në Nju Jork ku edhe e ka selinë shoqata. Besimin që keni fituar nga baza sigurisht që do ta arsyetoni me punën në terren -vendlindje. A mund të na thoni diçka për aktivitetin e degës dhe angazhimin e saj për këtë vit?
V.Arbneshi: Për mua është nder i madh që sadopak të mund të kontribuoj për vendlindjen time. E falënderoj kryesinë e Shoqatës “Kraja” në Nju Jork për besimin që ma kanë dhënë. Sigurisht kur dëgjon këso lloj vlerësimesh nga komuniteti im, atëherë kënaqësia është edhe më e madhe. Sa i përket këtij viti, deri më tani kemi patur aktivitetin e ndarjes së bursave për nxënësit/studentët kranjanë që janë duke kryer shkollimin jashtë vendit të tyre. Jemi në përgatitje për organizimin e festës kombëtare – Ditës së Flamurit në Krajë, dhe këtë vit kalendarik shpresojmë ta përfundojmë me organizimin e një turneu në futboll të vogël.
Koha Javore: Par pak ditësh cekët se keni ndarë bursa për studentë. Sa është numri i studentëve përfitues? A janë të gjithë studentët nga Kraja, dhe sa ka qenë shuma e përgjithshme e këtij projekti?
V.Arbneshi: Shoqata “Kraja” – Dega në Krajë, ka bërë ndarjen e bursave për nxënësit/studentët që kanë aplikuar në konkursin e hapur nga Shoqata “Kraja” – Nju Jork gjatë muajve qershor – korrik. Risia e këtij viti ka qenë që të gjithë nxënësit/studentët që kanë aplikuar kanë përfituar bursën. Mundësi aplikimi në konkurs kanë pasur të gjithë nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët nga Kraja që studiojnë në fakultete shtetërore apo private, e që janë të regjistruar në vitin akademik 2022/2023. Numri i studentëve që kanë aplikuar/fituar bursa këtë vit ka qenë 19 dhe kanë fituar prej 500$ – 1000$, varësisht nga vendi se ku studiojnë.
Koha Javore: Cilat janë planet afatgjata të Shoqatës në Krajë? Cilat projekte pritet të realizohen së shpejti dhe nëse keni informacione sa është vlera e tyre?
V.Arbneshi: Planet e Shoqatës “Kraja” janë vazhdmi i projekteve tashmë tradicionale siç janë ndarja e bursave për studentë, ndihma e familjeve në nevojë. Padyshim do të jenë vazhdimi i realizimit të projekteve që nuk janë përfunduar akoma, si dhe realizimi i projekteve të tjera më rëndesi jetike për Krajën dhe banorët e saj. Këtu vlen të përmendet sigurimi i objektit të furrës së bukës në Krajë. Pasiqë në Krajë nuk kemi furrë buke tash e sa kohë, Shoqata “Kraja” në Nju Jork është angazhuar për çeljen e një furre duke siguruar një objekt më të gjitha pajisjet ku do të mund të hapej furra dhe të jepej pa qera apo ta lehtesojë qeranë, ose të marrë pjesë në qëra në objektin ekzistues në Ostros. Projekt tjetër në të cilin po punohet është krijimi i një pike turistike më mbishkrimin “I Kraja” i cili do të jetë një atraksion turistik interesant dhe tërheqes për të gjithë ata që e njohin Krajën, si dhe për vizitorë të tjerë të huaj që ndoshta rastësisht kalojnë nëpër Krajë e që nuk janë të paktë në numër.
Koha Javore: Urojmë që puna t’u shkojë mbarë! Projektet e nisura t’i realizoni me sukses dhe të dilni faqebardhë!
V.Arbneshi: Ju faleminderit për kohën dhe hapësirën që keni ndarë për Shoqatën “Kraja” – Dega ne Krajë dhe shpalosjen e aktiviteteve tona ndër vite dhe planet për të ardhmën. Uroj që të vazhdojmë bashkëpunimin dhe jeni të mirëseardhur gjitmonë në pasqyrimin e aktiviteteve të realizuara nga Shoqata “Kraja” në Krajë.
Intervistoi: Ali Gjeçbritaj