Nëse e doni punën që bëni, do të jeni edhe ju të suksesshëm

Koha Javore: Z. Gjokaj prej disa vitesh, falë sukseseve permanente gjatë arsimimit Tuaj, keni arritur të kyçeni në shumë sektorë të jetës shoqërore. A mund të na thoni se kur filloi angazhimi dhe kontributi Juaj i parë në shoqëri dhe si vijoi ai ndër vite?
A. Gjokaj: Aktivitetet ne sektorin e jetës shoqërore janë diçka me çfarë edhe jam rritur. Duke filluar nga mosha rinore, kam qenë i pasionuar dhe shumë aktiv në aktivitetet e shumta në Malësi si në karnavale, në Teatrin e Shna Ndout, në shoqatat kulturo-artistike dhe folklor, si dhe në sport e aktivitete të tjera jashtë bankave shkollore. Mund të them se ky entuziazëm dhe vullnet më ka ndjekur edhe gjatë studimeve, ku kam qenë anëtar i kryesisë së Shoqatës Sportive të Studentëve të Fakultetit Ekonomik “Ekomen” për plot 3 vite. Edhe pse obligimet studentore ishin të shumta, gjithnjë kam gjetur kohë për aktivitete të tilla, duke mos lënë pas asnjëherë aktivitetet në Malësi. Edhe pse këto aktivitete kërkonin kohë dhe angazhim, prapëseprapë, nuk kanë paraqitur asnjë pengesë në arsimimin tim, për më tepër, mund të them se kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin dhe edukimin tim, duke më dhënë kështu mundësi të mësoj dhe të zgjeroj diturinë time në fusha të ndryshme të jetës shoqërore. Përveç kësaj, këto 4 vitet e fundit jam edhe kryetar i Shoqatës “Karnavali-Koret” që me krenari mund të them se është një ndër evenimentet më të ndjekura në Malësi.

Koha Javore: Viteve të fundit jeni drejtor (menaxher) i kompanisë, myWorld. Për çfarë kompanie bëhet fjalë dhe ku operon?
A. Gjokaj: Kompania myWorld është një kompani ndërkombëtare, e themeluar në vitin 2003 në Grac të Austrisë. Sot kompania shtrihet në 5 kontinente, në 56 shtete të botës me zyra qendrore në Londër, Angli dhe në Grac të Austrisë. Momentalisht kompania numëron mbi 16 milionë konsumatorë në të gjithë botën dhe ka partneritet me mbi 150.000 kompani. Në fakt, kompania myWorld është një platformë ndërkombëtare e cila u mundëson të gjithë klientëve të vet, në mbarë botën, të kursejnë para gjegjësisht të përfitojnë rikthim të parave “Cashback” me çdo blerje. Me fjalë të tjera, një klient i myWorld, që mund të regjistrohet gratis në www.myWorld.com, mund të gëzojë përfitime të shumta përmes kësaj platforme ndërkombëtare, kudo në botë për çdo blerje dhe çdo shpënzim. Për më tepër, platforma mund të përdoret si për blerje online ashtu edhe për blerje tradicionale në dyqane, markete etj. E gjithë kjo është gratis – pa pagesë, dhe klienti gjithnjë merr vetëm përfitime. Këtu në Mal të Zi, platforma jonë mund të përdoret në mbi 300 kompani, kurse në botë kemi partneritet me më se 150.000 kompani duke përfshirë këtu kompanitë më të mëdha botërore si booking.com, Walmart, AliExpress.com, Tamoil, Starbucks, Spar, etj. Pra, qëllimi dhe misioni i kompanisë është që çdo klient që regjistrohet, kudo që ai lëviz nëpër botë, të rimbursohet për çdo shpenzim dhe blerje (ushqime, karburant, farmaci, hotele, restorante, karta avioni etj), duke shfrytëzuar kështu platformën tonë – myWorld App.
Unë personalisht kam filluar angazhimin tim në kompaninë myWorld në Mal të Zi si drejtor i shitjeve në vitin 2018. Falë suksesit dhe rezultateve që arritëm këtu në Mal të Zi, dhe në shtetet e ish-Jugosllavisë, në vitin 2021 kompania vendosi të hapë degët e veta në Shqipëri dhe Kosovë, dhe në të njëjtën kohë më emëruan si drejtor gjeneral për myWorld Albania sh.p.k. dhe për myWorld Kosova sh.p.k.

Koha Javore: Me profesion jeni ekonomist i diplomuar. Sa fushë sfiduese është ekonomia?
A. Gjokaj: Studimet themelore i kam përfunduar në Podgoricë, pikërisht në Fakultetin Ekonomik. Po në të njëjtin institucion, gjatë studimeve post-diplomike, kam punuar edhe si ligjërues-asistent ku edhe kam përfunduar studimet e magjistraturës. Ekonomia është një fushë shumë e gjerë dhe që i jep mundësi një individi të punojë në fusha të ndryshme. Sot pothuajse asnjë institucion, asnjë kompani, zyrë apo dyqan nuk mund të funksionojë pa ekonomist. Kjo nga njëri këndvështrim mund të analizohet edhe si avantazh për ekonomistët, sepse jep shumë mundësi për punësim ose vetë-punësim, por nga ana tjetër duhet theksuar se një ekonomist i mirëfilltë duhet të jetë i njohur dhe i avancuar me sfera të ndryshme të ekonomisë si: kontabiliteti, financat, marketingu, menaxhimi, PR e kështu me radhë. Përveç kësaj, jemi dëshmitarë se në kohët e fundit, zhvillimi i shpejtë i teknologjisë, dhe rrethanat e ndryshme me kovid-in, kanë ndryshuar mënyrën e veprimtarisë së çdo biznesi dhe çdo personi. Andaj, një ekonomist i mirëfilltë, përveç eksperiencës dhe diturisë në fushë të vet, për shkak të veprimtarisë së gjithanshme, duhet jetë i përditësuar edhe me zhvillimin e teknologjisë, pastaj duhet të jetë njohës i normave dhe çështjeve ligjore, juridike, tatimore dhe kështu me radhë.

Koha Javore: Në Malësi veçoheni për suksesin dhe arritjet Tuaja të shumëfishta. Çili është çelësi i këtij suksesi, si arrihet ai në këtë nivel që e keni arritur Ju?
A. Gjokaj:
Meqenëse gjithmonë kam qenë adhurues i sportit, e sidomos i futbollit edhe këtu dua të bëj një paralele me sportin. As në sport e as në jetë të përditshme, mendoj se asgjë nuk mund të arrihet individualisht. Këtu patjetër që e kam fjalën për mbështetjen e “bashkëpunëtorëve” më të ngushtë, e na rastin tim është familja. Jam i mendimit që hapi i parë drejt suksesit, është mbështetja e madhe që vjen pikërisht nga familja, dhe ndoshta nuk më takon mua të flas për një sukses apo arritje time, por çdo gjë që kam arritur dhe realizuar, është falë mbështetjes që kam patur nga familja, jo sot, jo dje, as jo para një viti, por që nga dita e lindjes e deri më sot.
Përveç kësaj, rruga drejt suksesit varet edhe nga individi dhe, medoemos, ka disa shkallë që nuk mund të kapërcehen. Nga ana tjetër, suksesi është i ndërlidhur ngusht me shumë faktorë si edukimi, arsimimi, aspiratat e sidomos me sakrificat e një individi. Unë kam pas fatin që gjatë studimeve të jem bursist i fondacioneve të jashtme, që më kanë mundësuar të udhëtoj, të studioj dhe të shoh shumë gjëra që ndoshta në universitet tona nuk mësohen. Kështu si student dhe si ligjërues në universitet, kam patur rastin të ndjeki trajnime të shumta në shtete të ndryshme të Evropës. Kjo sigurisht që ka ndikuar në zhvillimin dhe në formimin tim e sidomos në qëllimet e mia.

Koha Javore: Vitin e kaluar në Kosovë, nën organizimin e Gentelmen Magazin dhe Friday Communications, u bë përgjedhja e burrave më të suksesshëm për vitin 2021, në 13 kategori, dhe Ju morët çmimin “Burri i vitit”. Si e vlerëson këtë çmim dhe çfarë përbën ai për Ju?
A. Gjokaj:
Ishte vërtetë një kënaqësi e madhe kur mësova se pikërisht në prag të festave të fundvitit do të shpërblehesha me titullin “Burri i vitit” në Kosovë. Ishte një kënaqësi dhe një ndjenjë e jashtëzakonshme që për, pak a shumë, një vit aktivitet në Kosovë, të fitoj këtë çmim dhe të jem i shoqëruar me individët dhe sipërmarrësit më të suksesshëm të Kosovës si stilisti Valdrin Sahiti, biznesmenët Erolld Belegu, Mërgim Cahani, pastaj Dr. Isuf Dedushaj, sportisti dhe selektori Driton Kuka etj. Çdo çmim dhe mirënjohje ka domethënien e vet, mirëpo kjo për mua kishte domethënie të dyfishtë. Nga njëra anë, shpërblimi erdhi në një shtet ku ushtroja aktivitet për pak kohë, dhe ajo punë u vlerësua nga organizatat e lartpërmendura dhe u cilësua si aktivitet i jashtëzakonshëm, që për mua ishte shumë inkurajuese në aspektin profesional. Mesiguri që ky çmim më ka nxitur dhe do më nxisë të punoj edhe më shumë dhe më mirë në të ardhmen në mënyrë që këtë titull “mos ta humbas”, por ta rikonfirmoj edhe në të ardhmen. Nga ana tjetër, çmimi kishte edhe domethënie sentimentale dhe emocionale, meqenëse u shpërbleva pikërisht në Prishtinë, në qytetin i cili ka qenë gjithherë i lidhur ngushtë me Tuzin tonë, vendi ku kanë studiuar dhe ku janë arsimuar prindërit dhe të parët tanë.

Koha Javore: Ditëve të fundit jeni përgjedhur si fitues i njërit ndër çmimet prestigjioze dhe të njohura për liderët e rinj të biznesit “40 under 40”. Si ndiheni për këtë vlerësim dhe kur do të mbahet mbrëmja gala?
A. Gjokaj:
Po, më 15 gusht të këtij viti mora vesh edhe për shpërblimin e radhës, që kësaj here ka përmasa më të gjera. Në fakt, që disa vite me radhë në qytete të ndryshme në botës organizohet evenimenti Business Elites Awards “40 under 40” nën organizimin e Global >Top Brands Awards. Business Elites “40 Under 40” është një program çmimesh prestigjioze që identifikon menaxherë dhe sipërmarrës të rinj, vizionarë dhe novatorë që kanë arritur suksese në lëmi dhe fushat e veprimtarisë së tyre. Është një nga çmimet më të njohura dhe prestigjioze në botë për liderët e rinj të biznesit, dhe vetë fakti që quhet “40 under 40”, do të thotë që përzgjidhen vetëm 40 individë që janë nën 40 vjeç. Përveç kësaj, janë shumë kushte të tjera që duhen plotësuar për t’u marrë ky çmim, ku analizohet pozita e individit në kompani dhe arritjet e kompanisë falë individit, madhësia e kompanisë, edukimi, karriera, punimet dhe krijimtaritë jashtë punës së përditshme, angazhimet e tjera në sektor shoqëror, etj. I gjithë procesi i përzgjedhjes ka zgjatur me muaj të tërë dhe me verifikime të shumta. Çmimet janë të ndara sipas rajoneve, kështu që çmimi që unë kam marrë është “40 under 40” në Evropën Juglindore ku janë të përfshira më shumë se 15 shtete. Muajin e kaluar është organizuar evenimenti “40 under 40” për pjesën e Amerikës Veriore që u mbajt në Nju Jork, kurse për pjesën e Evropës Juglindore e ashtuquajtura mbrëmja gala dhe ndarja e çmimeve do të mbahet me datën 15 shtator në Stamboll të Turqisë.

Koha Javore: Cilat janë planet Tuaja në vazhdim dhe mesazhi Juaj drejtuar të rinjve të cilët aspirojnë të afirmohen dhe të kenë sukses në fusha të ndryshme të jetës?
A. Gjokaj:
Jemi dëshmitarë se sot jetojmë në një botë të shpejtë me shumë ndryshime që nuk mund të parashikohen, andaj, nuk është aq e lehtë që të thuash me siguri të plotë se ku do të jesh për pesë apo dhjetë vite. Ajo që gjithmonë tingëllon dhe dëgjohet në brendësinë time, është sigurisht vendlindja. Mendoj se kontributi më i madh që një njeri mund të jap është së pari ajo çfarë i jep vetës, familjes e pastaj edhe shoqërisë dhe vendlindjes. Në lidhje me këtë, unë gjithnjë mendoj dhe uroj që diku në të ardhmen të gjithë këtë eksperiencën time dhe diturinë që kam fituar duke punuar me kompani ndërkombëtare, ta vë në shërbim të vendlindjes sime. Investimi më i mirë i një shoqërie është pikërisht investimi në të rinjtë, dhe besoj se gjëja më e shenjtë dhe më e mirë që mund të bëjmë është që me shembullin dhe me sukseset tona të tregohemi altruist dhe të udhëheqim dhe të drejtojmë vendin tonë duke krijuar kështu një të ardhme të mirë, një të ardhme të bukur dhe të sigurt për gjeneratat e reja. Lumturia është çelësi i suksesit. Andaj nëse e doni punën që bëni, do të jeni edhe ju të suksesshëm.

Koha Javore: Ju falënderoj për këtë intervistë!
A. Gjokaj:
Faleminderit Juve për kujdesin dhe për intervistën që realizuam së bashku. Është gjithmonë kënaqësi që të jem në një farë mënyre mysafir i “Kohës Javore”. Ju uroj shumë suksese në punën dhe veprimtarinë Tuaj.

Bisedoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat