Mënyra ime e të shkruarit i ngjet vetëtimës

Arjola Zadrima lindi në Shkodër me 27 Mars 1979. Ka ndjekur studimet për Gjuhë -Letërsi në Universitetin Luigj Gurakuqi. Pasioni dhe hobi i saj është letërsia dhe kryesisht poezia, shkruan që herët në moshë, në bankat e shkollës së mesme të përgjithshme Shejnaze Juka, dhe botimet e para i ka përmbludhur në librat Poezia Arti i fjalës Shkodrane, ku janë botuar cikle poetike në vitin 2012. Fitoi çmimin e parë në Festivalin e Poezisë se Pabotueme mbajtur në Shkodër me 22 Mars të 2016, dhe çmimin e Medias, në këtë Festival, me poezinë me titull EVA . Në maj të 2016 boton vëllimin e parë poetik me titull “A BAN ME M”LSHUE PAK RRUG’, libër i cili vlerësohet me çmimin Penda e Kristaltë, në Munchen të Gjermanisë nga International Institute for the Protection of Cultural Gege and Toske. Gjithashtu në maj të vitit 2017 fiton dy çmime të para, në Festivalin e Poezisë së Pabotueme me poezinë ALES (Tim biri) Gjithashtu botohet në 2017 në ciklin 2 dhe 3 të revistës letrare të Tiranës ILLZ me cikle poetike. Në tetor të vitit 2017 hap Festivalin Letrarë të qytetit të Shkodrës pranë bibliotekës Marin Barleti ku edhe prezantohet për publikun e gjanë si shkrimtare e qytetit. Në nëntor të vitit 2017 merr pjese ne revistën prestigjioze të qytetit të Shkodrës GEGNIA ku sërish prezantohet me një cikël poetik. Në fillim të vitit 2018 merr pjesë në konkursin letrarë të shpallur nga gazeta shqiptare online Kultplus.com, ku edhe shpallet fituese e çmimit të parë me poezinë “PO TE DUE UNE”… Së fundi vjen me librin e dytë me poezi dhe fotografi Carpe Diem

Koha Javore: Çfarë është poezia për Arjolën?
A. Zadrima: Poezia, hmm.. poetë të ndryshëm e krahasojnë me frymën, unë mendoj se është gjithçka dhe asgjë njëkohësisht , sepse nuk gjej poezi më të bukur se sytë e qeshur të tim biri…
Shpesh e mendoj si një drithërimë , lëvizje e butë e reve mes të përjetshmes dhe reales, është ajo bota në mes , ku ti mbetesh pezull e nuk ke dëshire me marrë një drejtim po nuk e ndjeve nën lëkurë apo në gjak. Poezia është mishërimi i hyjnores tek njeriu.

Koha Javore: Sa orë në ditë shkruani si dhe në cilën periudhë të jetës suaj mendoni se keni shkruar më shpesh? (fëmijëri, si adoleshente, apo tani)?
A. Zadrima: E bukur ndjesia e të shkruarit ndonjë orë në ditë…
Së fundmi nuk mund të rri pa përkthye poezi të ndryshme të autorëve të ndryshëm , sidomos Alda Merinit, kjo më jep një kënaqësi të brendshme dhe vetëkënaqësi , më jep atë ndjesinë që po, unë ende po frymoj poezi ndonëse edhe ndërmjet përkthimit. Shkrimin e kam filluar herët, në banka shkolle, aty lindi një dëshire e thelle me për të shkruar , sidomos me patos, atdheut, lirisë , Gjergj Kastriotit. I përkas një brezi që i ka preke me çdo lloj ndjesie tranzicionet e Shqipërisë, të cilat lan jo pak mbresa e shenje në formimin tim. Gjithsesi , ma së shumti poezinë e kam jetuar kur humba tim shoq, ndjeja dhimbje të thelle, pot e ishte zemra prej kocke kishe me thanë mu therrmue, u mundova me therrmue dhimbjen me fjalë. Kam një libër dorëshkrimi që ende nuk e kam vendosur me e botua, kushtuar kësaj kohë…mbase edhe e marr guximin për t a botuar, kush e di .

Koha Javore: Cila është pjesa më e vështirë e procesit tuaj artistik?
A. Zadrima: Procesi artistik ka shumë pjesë të vështira, por vështirësitë ma të mëdha unë I ndeshi tek vetja, që don me thanë, kur më kërkohet me ngulm me botu një libër , hezitoj, dua ta ndjej , ta perceptoj me një dëshire e revansh të brendshëm , me duhet me u ndje gati.. Për sa i përket botimit kjo është çështje me vete, sepse gjehem jo shumë komod. Gjatë këtij procesi ka mjaft miq të mirë që më kanë dhënë ndihmën e tyre pa hezitu, me komente rreth poezive të cilat i japin një shtysë edhe lexuesit, por edhe me redaktimin e një gegnishtje të pastër, edhe të kuptueshme. Unë do ju jem gjithmonë mirënjohëse Z. Jozef Radi , dhe profesor Primo Shllaku që besuan tek unë, dhe ende më krijojnë ndjesinë që po ,unë e poezia jemi NJË.

Koha Javore: Ju jeni autore e dy librave poetike të titulluar A BAN ME M”LSHUE PAK RRUG’ dhe CARPE DIEM , ku lexuesit mund të gjejnë librat tuaj ?
A. Zadrima: Hëm.. librat e mi, siç e përmenda ma sipër janë pothuajse të shitur , dhe sa herë që më kërkohet ku mund t’i gjejmë, më vjen ndër mend ajo dëshira e ribotimit… Kushedi ndonjë ditë do gjendemi para kësaj risie , mos me thanë para një libri tjetër , të shohim , jam dikush që pëlqen surprizat…do ketë edhe për lexuesin , ju premtoj .

Koha Javore: A përpiqeni më shumë të jeni origjinal apo të shkruani sipas trendëve ata që lexuesit duan të lexojnë ?
A. Zadrima: Origjinaliteti është stil, zakonisht edhe modën e ndjek me stil, edhe poezinë e shkruaju të tillë, brenda kornizave të Jolës, pa ju largu kohës që ofron larmishmerit të ndryshme… Më thonë miq të ndryshëm , që i njohin vargjet e mia, ky është stili, diçka që lind me poezinë , diçka që krijon në origjinalitetin tënd …jam pak tradicionale, por jo hermetike, ah po dashurisë i kam thure POEMË jo thjeshtë poezi..

Koha Javore: A mendoni se dikush mund të jetë poet nëse nuk i ndjen emocionet fort?
A. Zadrima: Nuk e di si mund të shkruhet pa emocione, mënyra ime e të shkruarit I ngjet vetëtimës, një shkrepje e fortë emocionesh brenda meje…mundem me fol vetëm për mënyrën time, pa përfshin se si shkruajnë të tjerët, por zhanri poezi besoj që kërkon shumë emocion , dhe pa dyshim përshkrim në mënyrën ma të bukur , si estetike edhe figurative…po flasim për letërsi , duhet të gërshetohen të gjitha këto , nëse përçojmë poezi.

Koha Javore: Me cilët autorë të tjerë jeni miq dhe a mbështetesni punë e tjerëve si artist?
A. Zadrima: Miq? Të gjithë pothuajse autorët bashkohor i kam miq, s’mundem me lanë pa përmendur , Albi Lushi, Liridon Mulaj, Desantila Qerimaj , Leon Lekaj , Jozef Radi, Prof Primo Shllaku, Vlora Ademi, Donika Dabishevci, Vlora Konushevci , Entela Tabaku ,Xhabir Tabaku, Albert Vataj , Pjaver Kroni , Albina Gjergji, e shumë të tjerë që i njoh ma së miri , që i mbështes në krijimtarinë tyre, dhe shpesh marrë edhe leksione të vyeme.

Koha Javore: Nëse do të kishit mundësi t’i thonit vetës tuaj më të re ndonjë gjë, çfarë do të thoshit?
A. Zadrima: Vetës hëm, pse jo , unë I flas vetës në çaste shumë decisive të jetës, dhe sot po I them diçka që më duhet me e mbajte mend gjatë… Kemi kaluar shumë çaste të veçanta se bashku, dhe mes dy unë-ve ndodhet Arjola. Mos e harro kurrë.

Koha Javore: Cilët autorë nuk ju pëlqyen në fillim por më pas ju kanë pëlqyer?
A. Zadrima: Unë kam shumë romane të përzgjedhura si të veçantë, por ai që shumë prej miqve të mi nuk e kanë pëlqyer , ose e kanë kritiku ma së shumti është , 11 sekonda i Paolo Coelho… Shpesh liria e shkrimtarit e ve pak më shpatulla mbas murit tradicionalen , dhe Coelho në këtë roman , shpalos një erotikë jashtë kornizave, prandaj ende e theksoj persa i përket narratives dhe transhendentes zgjedh Coelhon.

Koha Javore: A e shihni shkrimin si një lloj praktike shpirtërore?
A. Zadrima: Jo rrallëherë gjej paqen e brendshme duke shkruar , ndonjë citat apo edhe varg, apo poezi, por qetësia shpirtërore gërshetohet me natyrën dhe poezinë, shpesh shoh çka nuk mund t’a përshkruaj, por ndjej ma thellë atë që shkruaj dhe nuk e sheh askush…jam qenie e përbame me shumë dashuri, nuk mund t a shoh botën pa ngjyra dhe pa një perëndim buzë liqenit …

Koha Javore: A do ta shohim Arjolën në rolin e romancieres ?
A. Zadrima: Romanciere , pse jo… Është diçka që po përpunohet brenda meje, më duhet koha e caktuar, jeta pak ma e avashte, natyra e duhur, dhe egoja e pathyeshme, unë jam Arjola, nuk mundem me ardh me një roman të unit, duhet një roman që përfshin GRUEN që është përendesha e kësaj jetë…po e ndërtoj brenda vetit…të moçmit thonë, ça bjen sekondi nuk e bjen mot-moti…

Koha Javore: Kur mund të presim librin tuaj të tretë?
A. Zadrima: Se shpejti, ndoshta…

Intervistoi Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat