Ulqin – Fondacioni “Studenti” organizoi të shtunën mbrëma në Qendrën e Kulturës – Ulqin edicionin e gjashtë të Garave të recituesve të rinj për shkollat në gjuhën shqipe në Malin e Zi.
Në gara kanë marrë pjesë nxënësit e nëntë shkollave fillore dhe tri shkollave të mesme nga Plava, Gucia, Tuzi (Malësia), Kraja (Tivari) dhe Ulqini.
Juria e përbërë nga Dr. Gëzim Puka – pedagog në Departamentin e Letërsisë së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Teuta Ivanaj – gazetare e Redaksisë në gjuhën shqipe të Televizionit të Malit të Zi, dhe Jetmira Hoxha – kostumografe dhe skenografe, ka vlerësuar me Çmimin e Parë nxënësen e klasës së nëntë në Shkollën Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” – Ostros, Fjorentina Lekperiqin, e cila ka recituar poezinë e Lasgush Poradecit “Këngë pleqërishte”.
“Ku ka më bukur se të mblidhen të gjithë përfaqësuesit e shkollave shqipe, në Ulqin, në një aktivitet kaq të bukur, ku na bashkon fjala e bukur artistike, pra poezia!”, ka thënë kryetari i Fondacionit “Studenti”, Hajredin Kovaçi, duke kërkuar nga të pranishmit që të mbajnë distancë dhe qetësi, “sepse poezia duhet të shijohet duke përjetuar emocionin që na dhuron”.
Në kategorinë e shkollave fillore, Çmimi i Parë i ka takuar Arbana Curës, nxënëse e klasës së shtatë në Shkollën Fillore “Boshko Strugar”, Çmimi i Dytë Ardena Gjonbalajt, nxënëse e klasës së gjashtë në Shkollën Fillore “Xhafer Nikoçeviq” – Guci, kurse Çmimi i Tretë nxënësve të Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë, Behar Pali, nxënës i klasës së nëntë, dhe Ernesa Nika, nxënëse e klasës së tetë.
Në kategorinë e shkollave të mesme, Çmimi i Parë i ka takuar Kristina Lulgjurajt, nxënëse e vitit të tretë në Shkollën e Mesme “25 Maji” – Tuz, Çmimi i Dytë Arta Çunmulajt, nxënëse e vitit të tretë në Medresenë “Mehmed Fatih” – Tuz, ndërsa Çmimi i Tretë Arlinda Kurtit, nxënëse e vitit të tretë në Gjimnazin “Drita”.
Nxënësit fitues janë shpërblyer me diploma dhe të holla, kurse të gjithë nxënësit pjesëmarrës në gara dhe mësimdhënësit të cilët i kanë përgatitur ata me libra.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Fondacionit “Studenti”, Hajredin Kovaçi, ka thënë se kjo ngjarje e bukur kulturore, si e vetmja e këtij lloji në Malin e Zi, është mundësi e mirë që më për së afërmi të njihemi me njëri-tjetrin dhe nxënësit të shprehin talentin e tyre.
“Ku ka më bukur se të mblidhen të gjithë përfaqësuesit e shkollave shqipe, në Ulqin, në një aktivitet kaq të bukur, ku na bashkon fjala e bukur artistike, pra poezia!”, ka thënë ai, duke kërkuar nga të pranishmit që të mbajnë distancë dhe qetësi, “sepse poezia duhet të shijohet duke përjetuar emocionin që na dhuron”.
Në pjesën e programit shoqërues me dy pika muzikore janë paraqitur nxënësit e Shkollës së Muzikës në Ulqin, Endrit Pelingu në kitarë dhe Vuk Gjakonoviq në fizarmonikë.
Aktiviteti është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
i. k.