E zeza nuk është mbarimi dhe fundi, por kufiri që të shpie tek drita

“Në këtë xhubletë ka një gjuhë kodesh që na thërrasin për ta zbuluar, një gjuhë që ia vlen dhe që është shkruar mbi të zezën. Në të gjithë kostumografinë tonë e shikoj që e zeza nuk përbën kufi. E zeza nuk përbën mbyllje, por një hapje. Një moment për të kaluar tek drita. Dhe kjo ka qenë mahnitja ime, ku sonte e përligji këtë mahnitje, duke qenë këtu, poshtë këtij mali, në këtë kufi në mes dritës dhe universit”, u shpreh piktori dhe autori i kësaj ekspozite personale, Fatmir Juka

Tuz – Në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, u hap ekspozita personale e piktorit të njohur nga Shkodra, njëherazi përgjegjës i Galerisë së Arteve në Shkodër, z. Fatmir Juka, “Xhubleta entropia”.
Në prani të një numri të konsiderueshëm të admiruesve të arteve pamore, ka përshëndetur, Marina Ujkaj, sekretare e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale në Komunën e Tuzit, e cila falënderoi piktorin nga Shkodra, ndërkohë që më vonë e shpalli të hapur këtë ekspozitë.
Ndërkaq, kuratori dhe piktori, Jozo Koçaj, ka folur mbi krijimtarinë artistike të piktorit Fatmir Juka i cili siç tha, duke vështruar çdo ditë kostumin e xhubletës në manekinen e vendosur tek dhoma e improvizuar atje sipër në çardak në katin e muzeut, nuk mundi të qëndronte indiferent e të tërhiqej nga ky kostum, “monument fundamental” i identitetit të vet.
“Dhe si i tillë ky “monument” kalon në një objekt eksplorimi për të, me tërë përmbajtjen e vet, dhe vazhdon ashtu pak nga pak ta tërheqë, derisa e fut në labirintet e misterit të vet, sikur ai plaku i vjetër i fshatit i cili të mahnit dhe pushton, të kënaq veshin, syrin, ndjenjat dhe krejt qenien me rrëfimet e tij jetësore të cilat ia lanë dhuratë vitet të cilat i mbart mbi supe”, u shpreh Koçaj.
Ai më tej tha se e zeza e cila përfshin pothuajse nëntëdhjetë për qind të xhubletës, është e gjithë fusha e veprimit të këtij cikli.
“Mbi këtë bazë të errët, siç shprehet vetë autori, vetë koha në formën më autentike ka lënë gjurmët e veta të pashlyeshme”, theksoi Jozo Koçaj, duke shtuar se për autorin e zeza është ajo e vërteta që nuk është mbarimi dhe fundi, por kufiri që të shpie tek drita.
Autori i kësaj ekspozite personale, Fatmir Juka, ka falënderuar përzemërsisht të gjithë të pranishmit në këtë ekspozitë, ku tha se ne duhet të jemi krenarë që xhubletën po e fusim si trashëgimi të UNESCO-s.
“Në këtë xhubletë ka një gjuhë kodesh që na thërrasin për ta zbuluar, një gjuhë që ia vlen dhe që është shkruar mbi të zezën. Në të gjithë kostumografinë tonë e shikoj që e zeza nuk përbën kufi. E zeza nuk përbën mbyllje, por një hapje. E zeza është një moment për të kaluar tek drita. Dhe kjo ka qenë mahnitja ime, ku sonte e përligji këtë mahnitje, duke qenë këtu, poshtë këtij mali, në këtë kufi në mes të dritës dhe universit”, u shpreh piktori dhe autori i kësaj ekspozite personale, Fatmir Juka.
Kjo është hera e parë që në Tuz hapet ekspozita, “Xhubleta entropia”, ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më 13 qershor.
Ekspozita është organizuar nga Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat