Triumfon reperi Capital T

Ulqin – Reperi i njohur nga Kosova, Capital T (emri i vërtetë i të cilit është Trim Ademi), është shpallur fitues i edicionit të 18-të të Festivalit “Netët e Klipit Shqiptar”, nata finale e të cilit për të katërtin vit me radhë u mbajt të dielën mbrëma në Ulqin, në Molin e Madh buzë detit dhe bedenave të Kalasë së Ulqinit.
Klipi i këngës së tij me titull “Rrushe”, një realizim i “Gjirafa Film”, është vlerësuar si videoklipi më i mirë në të gjithë komponentët për këtë edicion.
Artisti është shprehur se ky projekt ka një domethënie të veçantë për të, pasi i dedikohet Kosovës, së kaluarës së shtetit të dytë shqiptar dhe së ardhmes së saj.
“E ardhmja po ushqehet veç me propaganda, po m’dhimet nana, e madhe plaga, zemra e saj po kan’, andrrat mesin andrra, po m’dhimet baba, e myti gajlja, s’po mun me dal pi vetes, andrrat mesin andrra”, është një pjesë e tekstit të këngës.
Capital T ka arritur të rrëmbejë kupë në çdo kategori, duke marrë gjithsej shtatë prej tyre.
“Fitues i lindur. Netët e Klipit Shqiptar”, ka shkruar këngëtari në fotot që ka publikuar në rrjetet sociale.
Përgjatë mbrëmjes janë ndarë edhe 22 çmime të tjera për kategori të ndryshme.
Festivali ka bashkuar emra të njohur të muzikës shqiptare dhe në konkurrim kanë qenë 42 videoklipe të artistëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Diaspora.
“Netët e Klipit Shqiptar” organizohet nga “Deliart Association”, me regjisor Petri Bozon, kurse drejtimi i këtij spektakli edhe këtë vit iu besua moderatores Arjola Shehu.
Nata finale u transmetua drejtpërdrejt në tre televizione publike – në RTSH1 për Shqipërinë, në RTK për Kosovën dhe në MTV2 për Maqedoninë.
Mbrëmja ishte parashikuar të zgjaste deri në orët e vona të mesnatës, por për shkak të prishjes së motit dhe fillimit të shiut, u mbyll më shpejt.
Festivali u mbështet nga Organizata Turistike e Ulqinit, Komuna e Ulqinit dhe Qendra e Kulturës – Ulqin.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat