U promovua dokumentari “T’i rikthejmë artizanatet – Ta ruajmë traditën”

Promovimi i dokumentarit “T’i rikthejmë artizanatet – Ta ruajmë traditën”, i realizuar nga SOS Telefoni për Femra dhe Fëmijë viktima të dhunës – Ulqin, mbushi të shtunën mbrëma plot sallën e Shtëpisë së Fshatit në Millë të Anës së Malit.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi, drejtori Emir Daciq dhe Valerina Dedvukaj.
Promovimi filloi me një minutë heshtjeje në nderim të jetës dhe veprës së mullisit, përndryshe protagonistit në dokumentar Skender Veliqit, i cili u nda nga jeta një muaj më herët.
Drejtoresha e SOS Telefonit në Ulqin, Hatixhe Nelaj, njëherit edhe autore e dokumentarit, ka thënë se është kënaqësi që promovimin e tij po e bëjnë në Shtëpinë e Fshatit në Millë.
“Uroj që të jemi një ogur i mirë meqenëse jemi të parët që po bëjmë një aktivitet të tillë në këtë ambient, me dëshirën që të zhvillohen edhe shumë aktivitete të tjera. Ka muaj që kemi punuar në këtë projekt, me vështirësitë që kemi hasur rrugës si shkak i pandemisë, por në fund besoj se kemi arritur që të bëjmë një punë të mirë”, ka thënë ajo.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Haxhi Sulejmani, dhe Emir Daciq, drejtor i Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave të Malit të Zi, që e ka mbështetur projektin.
Në realizimin e këtij dokumentari kanë punuar edhe gazetarët Dafina Teliqi e Artan Lika, si dhe kameramani dhe montazhieri Shaban Bajraktari.
Ulqini si qytet dhe zona e Anës së Malit janë të njohur për vlerat e shumta historike dhe kulturore. Në këtë dokumentar u prezantuan katër zanate të vjetra, që janë drejt zhdukjes.
Për protagonistët e dokumentarit u ndanë mirënjohje për kontributin e tyre në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ndërsa buqetat e luleve shkuan në duar të grave aktiviste.
Nelaj tha se motoja ime është që një shoqëri e cila nuk i harron traditat, një shoqëri e cila nuk i harron rrënjët, një shoqëri e cila e trashëgon te brezat e rinj vlerën e punës dhe dinjitetin, do të jetë një shoqëri më e pasur e më pak dhunuese në çdo aspekt.
Në fund të promovimit, për të gjithë të ftuarit u shtrua një koktej me gatime tradicionale.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat