Përvoja personale si udhërrëfyes për të tjerët

“Ditari është bërë me qëllimin që atë përvojë të hidhur që kam kaluar, që shumë vetë edhe nuk e kanë besuar, e kanë përbuzur me plot kuptimin e fjalës, nuk e kanë vlerësuar sa duhet rrezikun e saj, ta shikonin realisht përvojën e një njeriut që e ka kaluar covidin e tij dhe ka vajtur në kufirin midis jetës dhe vdekjes”, ka thënë autori

Ulqin – Përvojën e tij të luftës me koronavirusin, të pasqyruar në librin “Ditari i përballjes me koronavirusin – 55 ditët e luftës sime me armikun e panjohur”, autori Fatmir Toçi e ka ndarë në takimin e organizuar të dielën mbrëma në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin.
Ai ka treguar se çfarë e ka nxitur për të shkruar ditarin.
“E kam shkruar për të përcjellur më tepër një përvojë, një përvojë të hidhur në momentet më të vështira që ka kaluar jo vetëm bota shqiptare, por e gjithë bota mbarë”, ka thënë ai.
Toçi ka treguar se qëllimi i tij, duke qenë në spital, ka qenë që mesazhet që shpesh i vinin nga brenda t’i përcjellë për të tjerët.
“Ditari shtë bërë me qëllimin që atë përvojë të hidhur që kam kaluar, që shumë vetë edhe nuk e kanë besuar, e kanë përbuzur me plot kuptimin e fjalës, nuk e kanë vlerësuar sa duhet rrezikun e saj, ta shikonin realisht përvojën e një njeriut që e ka kaluar covidin e tij dhe ka vajtur në kufirin midis jetës dhe vdekjes”, ka theksuar ai.
Autori ka thënë se ky libër është edhe një falënderim për punën e jashtëzakonshme që ka bërë personeli mjekësor në Shqipëri vetëm për t’i shërbyer me një ndjenjë humane ata njerëz që janë prekur nga Covid-19.
Shpeshherë me emocione, Toçi ka treguar edhe për momentet kritike që i ka kaluar në spital, duke thënë se përpos besimit të tij, puna e personelit mjekësor u kthyen në një forcë tek ai. Kjo bëri që në çastet kur ishte i kthjellët të mbajë shënime “ca pika për t’i mbajtur mend, sepse punën e personelit mjekësor duhej ta tregonte dikush, ta thoshte siç është, jo thjesht media”.

Njëri ndër personazhet kryesore të Ditarit është Prof. dr. Perlat Kapisyzi, drejtor i Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.
Ai ka thënë se Ditari i Fatmir Toçit është shkruar si pasojë e pandemisë, e cila gjunjëzoi personelin shëndetësor, gjunjëzoi po ashtu besimin për jetën në mbarë botën, që u shpreh me ankthin, frikën, mosbesimin për t’ia dalë kësaj pandemie.
“Por si shumë të tjerë kemi edhe një personazh, siç është autori, i cili as nuk u frikësua, as nuk e humbi besimin, as nuk e humbi dashurinë për jetën dhe për komunitetin. Dhe këtë libër unë e shoh si një shembull se si një njeri të cilin e prek vdekja ka kurajën, forcën, dashurinë, për të marrë dhe për të mbajtur një ditar duke treguar me vërtetësi dhe dashuri vuajtjet, punën dhe kuptohet momentet e vështira të tij”, ka theksuar Kapisyzi.
Duke iu referuar deklaratës së Toçit se në përballjen e tij me koronavirusin ai kishte edhe fat, Kapisyzi tha se “Fatmiri ia bëri hysmetin fatit duke pasur një besim të patundur në shërbimin e personelit shëndetësor dhe duke pasur një dashuri, duke e ndjerë nga afër dashurinë si të personelit, por edhe të familjes. Pra, del që një fatkeqësi, midis tjerash, mposhtet me besim dhe me dashuri”.
Profesor Kapisyzi vlerësoi se një nga pikat më të rëndësishme të Ditarit të Fatmir Topit është se me sa dashuri dhe respekt flet për personelin shëndetësor.
Gjatë fjalës së tij ai ka dhënë për publikun edhe shpjegime profesionale lidhur me trajtimin e koronavirusit SarsCov-2.
Udhëheqësi i takimit, Ismet Kallaba, ka thënë se Ditari i Fatmir Toçit është një histori e dhimbshme e një kohe të përjetuar.
“Zakonisht jemi mësuar të lexojmë për drama jetësore, në të shumtën të imagjinuara, kurse kjo është një dramë jetësore reale, e përjetuar, për fat të mirë me fund të lumtur. Ditari i Fatmirit është ditari i gjithësecilit prej atyre që janë përballur me Covid-in. Secili prej atyre që e kanë kaluar atë, ka një përvojë të veten dhe mund ta gjejë veten në Ditarin e Fatmirit. Por ky është një libër që mund të na shërbejë të gjithëve, edhe neve që nuk e kemi kaluar Covid-in, për të mos bërë gabimet që i ka bërë Fatmiri në përballjen me infektimin nga koronavirusi”, ka thënë ai.
Kallaba ka thënë se Ditari i Toçit është një libër që na kujton se sa vlerë ka jeta dhe se në jetën e përditshme nuk dimë ta çmojmë atë.
“Vetëm kur përballesh me sëmundjen, pra me rrezikun e vdekjes, siç është përballur autori, njeriu e kupton më mirë vlerën e vërtetë të jetës. Aty (në spital), ku pacienti përballet me dilemat për jetëvdekje, aty ku jeta nuk matet me vite, por me orë, minuta e madje edhe me sekonda… Aty ku çdo fjalë e mirë të ngjallë shpresën”, ka thënë ai.
Të pranishëm në takim ishin ndër të tjerë edhe zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Mira Rakacolli, Konsulli i Nderit i Bosnjë e Hercegovinës në Shqipëri, Fiqiri Kllari, drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, dr. Sadije Hollaj etj.
Në fillim të takimit, violinistja Aksa Murati e shoqëruar nga pianistja Lejla Sulejmanoviq, të dyja studente në Akademinë e Artit Muzikor në Cetinë, kanë luajtur pjesën “Shindler’s list” nga John Williams. Ndërkaq, në fund të takimit autori ka ndarë libra falas për të gjithë të pranishmit, kurse Shtëpia Botuese “Toena” i ka dhuruar Bibliotekës së Ulqinit disa nga botimet e veta.
Takimi u organizua nga Qendra e Kulturës – Ulqin dhe Botimet “Toena”.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat