Kudo ku ka shqiptarë më presin me shumë dashuri

Ertila Koka është një këngëtare nga Shqipëria. Ajo ka vite që i është përkushtuar muzikës, zhanrit “Pop” dhe është goxha e suksesshme në këtë drejtim. Ertila është profesioniste në fushën e muzikës, është e kualifikuar në degën e kantos. Po ashtu ka marrë pjesë në kompeticione të ndryshme, si: “Top Fest3”, “Top Fest5”, “Festivali i 45-të i Këngës të Radio Televizionit Shqiptar” e të tjera

Koha Javore: Ertila, që e vogël filluat të merreni me muzikën ku me zërin tuaj të ëmbël zgjuat vëmendjen e publikut. Na thoni pak sa e vështirë është që në ditët e sotme të kesh sukses në këtë drejtim?
E. Koka: Të jesh këngëtare sot në tregun shqiptar dhe të kesh një karrierë të mirë, të ndërtuar me shumë punë, shkollë e mund dhe jo me skandale apo komercializëm të tepruar është goxha e vështirë. Këngëtarë ka plot, por artistë të vërtetë ka shumë pak.

Koha Javore: Përveç si këngëtare, ju njohim edhe si tekst-shkruese. Kush përkujdeset për tekstet e këngëve tuaja, Ju, apo keni edhe bashkëpunëtorë të tjerë?
E. Koka: Teksti im i parë ka qenë për këngën time “Nuk mund të harroj” e që e prezentova tek “Top fest 5” dhe pas atij teksti pasuan dhe shumë të tjerë. Për këto tekste shpesh më ka ndihmuar edhe motra ime Danja, por gjithashtu kam bashkëpunuar edhe me shumë tekst-shkrues të mirë shqiptarë.

Koha Javore: Keni performuar nëpër vende të ndryshme të botës ku ka shqiptarë. A mund të na thoni cili është vendi ku keni më shumë adhurues të muzikës që ju këndoni, dhe ku mendoni që ju kanë pritur më së miri?
E. Koka: Këtë është vështirë ta ndaj, pasi kudo ku ka shqiptarë më presin me shumë dashuri. Do veçoja pak me hatër Italinë, pasi janë shumë të ngrohtë e të japin shumë respekt, por edhe shqiptarët në Greqi të mbushin me lule e të adhurojnë. Një gjë dua të theksoj se mund të kem kënduar kudo nëpër botë ku ka shqiptarë, por emocionet më të mëdha i kam kur ngjitem në skenë në Tiranen time ku jam rritur ose edhe në vendlindjen time Mirditën.

Koha Javore: Gjatë karrierës suaj keni pasur edhe bashkëpunime me këngëtarë të tjerë. Cilin nga bashkëpunimet e kishit veçuar si më të suksesshmin?
E. Koka: Kam pasur goxha bashkëpunime dhe i dua duetet, pasi janë vërtet të bukura. Por më i suksesshmi deri tani është dueti me reperin “2Ton” me këngën “Beb”, që akoma dëgjohet dhe kjo gjë më gëzon pa masë, pasi i rezistoi kohës si këngë dhe prej saj akoma më thërrasin beb.

Koha Javore: Jeni një profesioniste në fushën e muzikës, ku studimet i mbaruat për muzikë, e jeni kualifikuar në degën e kantos. Përveçse në koncerte dhe evente të tjera të ndryshme, a jeni e angazhuar më shumë në këtë profesion?
E. Koka: Prej katër vitesh jetoj në Milano të Italisë dhe jeta ime ka qenë më shumë e fokusuar tek koncertet dhe eventet, por edhe muzikën operistike e ushtroj shumë shpesh që mos ta lë nën hije. Gjithsesi, në një të ardhme besoj se do t’i përkushtohem edhe më shumë.

Koha Javore: Kush përkujdeset për dukjen tuaj përpara se të dilni në skenë? Po ashtu keni një trup tërheqës dhe çdoherë në formë, cila mund të jetë arsyeja?
E. Koka: Për veshjet e mia kujdeset gjithmonë motra ime Danja, e cila ka një stil vërtet të veçantë dhe mund t’i dallojë tendencat e modës vite më përpara sesa ato të ndodhin dhe jam vërtet me fat që e kam. Gjithashtu stilizoj edhe vetë veshje në kohen time të lirë dhe kjo më ndihmon të kem një stil unik. Sa i përket trupit, dua të them se meditoj çdo ditë dhe ushtrohem minimumi 3-4 herë në javë. Ushqehem shëndetshëm dhe nuk konsumoj alkool përveç ndonjë rasti me miq, e që mund të pi një gotë verë maksimumi. Kujdesja për fizikun thjesht heq stresin dhe të bën të lumtur kështu që ju këshilloj të dilni nga zona e rehatisë dhe të bëni edhe ju më të mirën për trupin tuaj.

Koha Javore: Para disa kohësh morët pjesë nëpër kompeticione të ndryshme, si ai i “Top Fest3”, “Top Fest5”, “Festivali i 45-të i Këngës të Radio Televizionit Shqiptar” e të tjera. Më thoni pak sa ia vlen pjesëmarrja nëpër festivale të këtyre zhanreve?
E. Koka: Po, vitet e para të karrierës sime, kam marrë pjesë nëpër këto festivale, por vendosa që mos të marr më dhe këngët e mia t’i sjell me videoklipe. S’i dihet, ndoshta një ditë mund t’u rikthehem përsëri festivaleve por për momentin jo.

Koha Javore: Duke marrë parasysh gjendjen dhe rrethanat me virusin, pra ndalimin e organizimit të muzikës “Live”. Si e keni kaluar këtë periudhë kohore dhe a mendoni që ky vit do të ketë ndryshime sa i përket kësaj çështjeje?
E. Koka: Këtë kohë kam punuar për disa projekte të bukura në muzikë. Por jo vetëm, unë edhe lexoj , meditoj, pikturoj, kërcej, gatuaj e kështu me radhë. Ka shumë gjera që mund të bëj, por skena më mungon pafund dhe me padurim pres të jem përsëri midis publikut. Shpresoj që këtë vit diçka do të ndryshojë.

Koha Javore: Planet tuaja të shpejta dhe një përshëndetje për lexuesit e gazetës “Koha Javore”?
E. Koka: Kam disa projekte, janë shumë të bukura dhe me padurim pres t’i lansoj.
Shpresoj që të gjithë të jenë mirë, po ashtu uroj që këtij ankthi t’i vijë fundi sa më shpejt. Kujdesuni sa më shumë për vetën.
Me shumë dashuri, Ertila!

Intervistoi: Shtjefën Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat