Tuz – Me një orë letrare kushtuar poezisë së poetit dhe përkthyesit të njohur, Esat Mekulit, si dhe me promovimin e librit të të njëjtit autor, “Unë biri yt besnik dhe- poeti”, Shkolla e Mesme e Përzier “25 Maji” në Tuz, përkatësisht, Grupi Letrar “Jehona”, shënoi Ditën Ndërkombëtare të Librit.
Në këtë aktivitet letrar të pranishëm kanë qenë përfaqësues të vetëqeverisjes lokale, mësimdhënës, dhe krijuesit e njohur nga Kraja, Ali Gjeçbritaj dhe Hajredin Kovaçi.
Drejtori i Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maji” në Tuz, Behar Nikaj, duke falënderuar të pranishmit, tha se në Ditën Ndërkombëtare të Librit, synimi i tyre është që të potencojnë rëndësinë e leximit të librit, në veçanti librat e autorëve shqiptar.
Në të njëjtën kohë, sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale në Komunën e Tuzit, Marina Ujkaj tha se ky është projekti i parë që ata realizojnë në bashkëpunim me Gjimnazin “25 Maji”, duke u zotuar se bashkëpunimi në vazhdim do të jetë më intensiv, në zhvillimin e trashëgimisë kulturore.
Ndërkaq, udhëheqësi i Grupi Letrar “Jehona”, Sehat Lulanaj, duke folur për jetën dhe veprimtarinë krijuese të poetit Esat Mekuli dhe për arritjet dhe sukseset e grupit letrar që drejton, falënderoi Komunën e Tuzit për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre, duke i ftuar ata që bashkëpunimi të mos ndalet këtu por që në mënyrë institucionale të kujdesen për Shkollën e Mesme e Përzier “25 Maji” për mbarëvajtjen e veprimtarisë së tyre.
Në këtë orë letrare, nxënësit e Grupit Letrar “Jehona” kanë recituar poezi nga Esat Mekuli, si dhe kanë folur mbi jetën dhe krijimtarinë e tij letrare.
Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe krijuesit Ali Gjeçbritaj e Hajredin Kovaçi, i kanë dhuruar disa libra Gjimnazit “25 Maji”, filialit të bibliotekës Popullore “Radosav Lumoviq” në Tuz, si dhe të gjitha shkollave fillore në Malësi.
t. u.
