Tuz – Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi (CEKUM) në bashkëpunim me Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” organizoi ekspozitën kolektive të pikturave “Dorëshkrimet artistike të grave”, e cila u mbajtë në hollin e QKI “Malësia” në Tuz, në prani të përfaqësuesve të CEKUM- it, të komunës së Tuzit dhe të adhuruesve të artit dhe të kulturës.
Drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, Sallko Lluboder, duke falëndëruar të pranishmit në këtë ekspozitë shpalosi disa karakteristika të kësaj ekspozite të dhjetë piktoreve pjestare të popujve pakicë në Mal të Zi.
“Me këtë ekspozitë kemi pasur synimin që të theksojmë rëndësinë dhe vlerat e asaj që është efekti i grave piktore dhe kontributi i tyre në skenën kulturore dhe artistike të Malit të Zi. Bëhet fjalë për dhjetë piktore që sipas gjeneratës janë heterogjene, të cilat kanë stile dhe orientime të ndryshme tematike, por ajo që është e rëndësishme për këtë ekspozitë është fakti se ato kontribuojnë në pasurimin e diversitetit të shprehjes së kulturës dhe artit në Mal të Zi”, u shpreh z. Lluboder.
Ai më tutje bëri të ditur se kjo ekspozitë fillimisht është hapur në Pavilonin e Shoqatës së Piktorëve të Malit të Zi në Podgoricë e më pas në veri të Malit të Zi, në Plevla dhe Bijello Pole.
“Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi po zgjeron misionin e saj kulturor duke bërë përpjekje që të pasurojë përmbajtjet programore të institucioneve kulturore nëpër komuna, si në veri ashtu edhe këtu në pjesën qëndrore të Malit të Zi. Gjithashtu, synojmë që këtë ekspozitë, nëse na lejojnë kushtet epidemiologjike t’a zhvendosim edhe në bregdet”, theksoi ndër të tjera drejtori i CEKUM-it, Sallko Lluboder, i cili e përmbylli fjalimin e tij me një paraqitje të historikut të institucionit që ai përfaqëson.
Ndërkaq, ekspozitën në fjalë e shpalli të hapur kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj i cili tha se në Tuz, jeta kulturore e këtij lloji po vazhdon.
Punimet artistike të paraqitura në këtë ekspozitë janë të piktoreve: Vahida Hasanaga-Nimanbegu, Sabaheta- Beka Masliçiq, Seida Belegoviq, Tanja Nikoliq, Mersiha Mavriq, Majda Muçiq, Sellma Gjeçeviq, Brigida Antoni, Rina Shaboviq dhe Emina Adroviq.
t. u.
