Ulqin – Vargjet e krijuesve vendas kanë ardhur nëpërmjet leximit të nxënësve të Shkollës së Mesme “Vëllazërim-Bashkim” në aktivitetin letrar-muzikor, të titulluar “Natë poezie dhe muzikë”, që është mbajtur të shtunën në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin.
Njëmbëdhjetë nxënësit e kësaj shkolle: Diandra Koçan, Arbër Seferi, Edita Kovaçeviq, Anesa Veliq, Sanja Çausheviq, Endrit Seferi, Iva Miniq, Kujtesa Kurti, Irena Selçanin, Angjella Niloviq dhe Amra Demiri kanë lexuar në gjuhën shqipe dhe malazeze pjesë nga krijimtaria e autorëve Hajro Ulqinaku, Ibrahim Berjashi, Basri Çapriqi, Ali Gjeçbritaj, Shaban Osmanaj, Hajredin Kovaçi, Haxhi Shabani, Suzana Llolla, Lumnije Hoxha, Andrej Nikollaidis, Avdija Kajeviq, Senad M. Karagjuzoviq, Skender Osmani, Argëzon Sulejmani, Flutur Mustafa, Gazmend Çitaku, Valbona Bajri, Besmir Asllani, Vediha Gjoni, Kosta M. Kuzman dhe Iva Miniq.
Ndërthurja e natyrshme e fjalës me muzikën, përmes këndimit të Diellza Ramës nën shoqërimin e Imi Nimanbegut, ka sjellë frymën rinore dhe ka krijuar një atmosferë të ngrohtë për të pranishmit.
Përpos tjerash, aktiviteti kishte për qëllim promovimin e autorëve vendas dhe njohjen e nxënësve me krijimtarinë e tyre.
Mbrëmja letrare-muzikore është organizuar nga Qendra e Kulturës – Ulqin.
i. k.
