Një dhuratë për qytetin dhe artdashësit në kohën e pandemisë

Disa breza artistësh - piktorë akademikë me përvojë, të cilët i kanë prezantuar veprat e tyre në shumë galeri në vend dhe në botë, por edhe piktorë të rinj që sapo kanë kryer studimet për art, janë paraqitur me punimet e tyre në këtë ekspozitë, gjë që tregon se Ulqini ka traditë dhe nuk duhet të brengoset për të ardhmen në fushën e artit. Pjesa më e madhe e tyre veçohet me stilin e vet, ndërsa të tjerët janë në rrugën e krijimit të identitetit të tyre artistik

Ulqin – Në kohën e pandemisë, kur Ulqini po kalon nëpër një situatë të rënduar epidemiologjike, artistët e këtij qyteti – piktorë dhe fotografë, i kanë bashkuar forcat e tyre në një ekspozitë të përbashkët, që vjen si dhuratë për qytetin e tyre dhe artdashësit.
Ekspozita është hapur të premten mbrëma, në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin.
Disa breza artistësh – piktorë akademikë me përvojë, të cilët i kanë prezantuar veprat e tyre në shumë galeri në vend dhe në botë, por edhe piktorë të rinj që sapo kanë kryer studimet për art, janë paraqitur me punimet e tyre në këtë ekspozitë, gjë që tregon se Ulqini ka traditë dhe nuk duhet të brengoset për të ardhmen në fushën e artit. Pjesa më e madhe e tyre veçohet me stilin e vet, ndërsa të tjerët janë në rrugën e krijimit të identitetit të tyre artistik.
Me punimet e tyre janë prezantuar Allmi Suka, Bilal Nikeziqi, Brigita Antoni, Emina Nimanbegu, Edin Kapllani, Izabella Makoviqi, Jetmira Hoxha, Jozo Koçoviqi, Mersiha Resulbegoviq – Mavriq, Naser Hasa, Vahida Nimanbegu, Valona Cakuli, si dhe piktorët e ndjerë Gjergj Noc Martini dhe Rudi Goga.
Ekspozita është organizuar nga Qendra për Kulturë – Ulqin dhe Shoqata e Artistëve Figurativë “Perla Blu” nga Ulqini.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat