Fuqia e imagjinatës dhe përjetimit femëror të botës

“Poezia si krijim shpirtëror subtil, nuk njeh kufij. Poeteshat, pjesëtare të popujve pakicë në Malin e Zi, me poetikat e tyre lidhin vlerat e përhershme kulturore dhe janë pjesë e pandarë e poetencialeve kulturore të Malit të Zi. Ato veçohen jo vetëm si përfaqësuese të shkrimit femëror, por edhe si pjesëtare të popujve pakicë në Malin e Zi. Me krijimtarinë e tyre bashkojnë përvojat dhe frymëzimet e ndryshme, në një tërësi unike të botës universale të artit”, ka thënë moderatorja e mbrëmjes, Neda Popoviq

Podgoricë – Në sallën “Dodest” të Qendrës Kulturore Informative “Budo Tomoviq” në Podgoricë, të mërkurën e kaluar është mbajtur mbrëmja poetike “Lidhjet poetike femërore”, kushtuar poezisë që krijohet nga pjesëtaret e popujve pakicë dhe grupeve etnike në Malin e Zi.
Mbrëmja është organizuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave dhe me vargjet e tyre janë prezantuar poeteshat Kaltrina Hoti, Rebeka Çilloviq, Dijana Sindik dhe Amra Tahiroviq, ndërsa Marija Ivanova ka recituar vargje nga autori rom Ruzhdija Ruso Sejdoviq.
Moderatorja e mbrëmjes, Neda Popoviq, ka thënë se shkrimi femëror nuk merret shpesh parasysh dhe atij i mveshen interpretime të ndryshme, në vend që të shihet si edhe të gjitha poetikat e tjera.
“Poezia si krijim shpirtëror subtil, nuk njeh kufij. Poeteshat, pjesëtare të popujve pakicë në Malin e Zi, me poetikat e tyre lidhin vlerat e përhershme kulturore dhe janë pjesë e pandarë e poetencialeve kulturore të Malit të Zi. Ato veçohen jo vetëm si përfaqësuese të shkrimit femëror, por edhe si pjesëtare të popujve pakicë në Malin e Zi. Me krijimtarinë e tyre bashkojnë përvojat dhe frymëzimet e ndryshme, në një tërësi unike të botës universale të artit”, është shprehur ajo.
Ajo ka përkujtuar se përkundër vështirësive të mbijetesës, jo vetëm të shkrimit femëror por edhe të semiosferës së përgjithshme të letërsisë malazeze, para disa kohësh është botuar antologjia e vjershërimit femëror të Malit të Zi, me titull “Poeteshat e e Malit të Zi”, të autores Jovanka Vukanoviq, si kronologji dhe kontribut i krijimtarisë letrare femërore.
Poetesha Kaltrina Hoti nga Plava, e cila ka lexuar dy poezi të saj në gjuhën shqipe, ka thënë se takimet e këtilla dërgojnë një mesazh të fuqishëm se dallimi mes nesh qëndron vetëm te ngjyra e shpirtit.
“Dua që me poezinë e parë të shpreh dashurinë ndaj vendit. Vetëm dy dashuri janë të përjetshme: për nënën dhe për vendin e vet”, ka thënë ajo në fjalën e saj.
Mbrëmja poetike është ndërthurur edhe me muzikë, ku Amela Frluçkiq, magjistre e fizarmonikës, ka interpretuar disa pika muzikore.
Nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave kanë vlerësuar se mbrëmja poetike na rikujton fuqinë e imagjinatës, intuitës, mendimit, refleksionit dhe përjetimit femëror të botës.
i. k.

Të fundit

më të lexuarat