Ulqin – Ulqini ka qenë qyteti i radhës ku është organizuar ekspozita fotografike “Tirana – 100 vjet kryeqytet”, në të cilën janë prezantuar disa dhjetëra fotografi që dëshmojnë për rrugëtimin historik të kryeqytetit të Shqipërisë përgjatë shekullit të fundit.
Ekspozita është organizuar nga Fondacioni Arsimor, Kulturor dhe Humanitar “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR) nga Tirana, në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës – Ulqin.
Ajo është hapur të mërkurën, në shëtitoren në Ranë të Ulqinit.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, ka thënë në ceremoninë e hapjes se ekspozita “është një pasqyrë e të gjitha etapave 100-vjeçare që ka kaluar kryeqyteti i Shqipërisë, i shqiptarëve, që nga shpallja e tij si kryeqytet”.
“Sigurisht, në këtë ekspozitë jemi munduar të pasqyrojmë periudhën përpara ardhjes së Mbretërisë, periudhën gjatë sundimit të Mbretërisë, periudhën pas Mbretërisë, periudhën e komunizmit dhe periudhën pas demokracisë. Këto janë etapat të cilat jemi munduar t’i pasqyrojmë në këtë ekspozitë”, ka theksuar ai, duke shtuar se nuk kanë lënë pa pasqyruar sadopak edhe disa vite përpara se Tirana të shpallet kryeqytet.
Gurra ka thënë se në ekspozitë “njëkohësisht kemi pasqyruar edhe disa foto të disa aktivistëve, themeluesve apo të individëve të cilët me të vërtetë kanë kontribuar për kryeqytetin e Shqipërisë”.
Kryetari i Fondacionit ALSAR ka treguar se ky aktivitet është dashur që të zhvillohet vitin e kaluar, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, por që për arsye të pandemisë është shtyrë.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, dr. Ilir Çapuni, ka thënë në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së ekspozitës se Tirana është një qytet vibrant dhe një kryeqytet shumë specifik.
“Nuk është si gjithë të tjerët, sepse është ndërtuar në një fushë ku nuk ka pasur kryeqytet më parë, në një fushë strategjike dhe është ndërtuar me një plan. Sot Tirana, për dhjetë vjet, për njëzet vjet ndryshon shumë, është një qytet shumë vibrant”, ka thënë ai.
Çapuni ka nënvizuar se Tirana është një qytet i hapur, që shquhet për mikpritjen, prandaj edhe quhet qyteti ose kryeqyteti i jabanxhinjve.
“Çdokush në Tiranë është i mirëpritur dhe kjo ka qenë shekuj me radhë. Mikpritja ka qenë në gurthemelet e këtij qyteti, kryeqyteti”, ka theksuar ai.
Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i Qendrës së Kulturës, Musa Hoxhiq, ka falënderuar Fondacionin ALSAR dhe kryetarin e tij për ekspozitën fotografike, me ç’gjë kanë dëshmuar dëshirën që ajo të hapet jo vetëm në Tiranë, por edhe në Ulqin dhe qytete të tjera shqiptare.
“Falë kësaj ekspozite, ne do të kemi mundësi të shohim të kaluarën e kryeqytetit – Tiranës, historinë e saj, veçantitë etnokulturore që i kishte kryeqyteti, gjithashtu edhe pasuritë e një kryeqyteti. Sot Tirana ka një shekull që është kryeqyteti i Shqipërisë dhe sigurisht që gjatë një shekulli ka pasur edhe ndryshime historike”, ka thënë ai.
Tirana është themeluar si qytet në vitin 1614, kurse në Kongresin e Lushnjës, në vitin 1920, u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë. Gjatë historisë së saj, ajo ka kaluar nëpër disa etapa, ashtu si edhe populli shqiptar dhe Shqipëria.
Ekspozita fotografike “Tirana – 100 vjet kryeqytet” ka qëndruar e hapur të mërkurën dhe të enjten.
i. k.
