
9 Maji 2024, shënon Ditën e Evropës, përvjetorin e Deklartës së Schumanit (9 Maj, 1950), 74-vjet më parë, në bazë të cilës është themeluar Bashkimi Evropian (BE) – enti politik dhe ekonomik evropian që njohim sot. Deklarata mban emrin e Robert Schumanit, ish-ministrit të Jashtëm të Francës dhe ish-presidentit të Parlamentit Evropian, në bazë të cilës, fillimisht, çoi në themelimin e një tregu të përbashkët për qymyrin dhe çelikun evropian, me qëllim për ta “bërë të pamundur luftën nga pikëpamja materiale”, por që më vonë e gradualisht, kjo deklaratë çoi në një bashkim politik dhe ekonomik më të gjerë. Vendet themeluese të këtij enti të ri politik dhe ekonomik në kontinentin evropian ishin Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu dhe Holanda që vendosën themelet e para të një organizate evropiane për një paqe të qëndrueshme dhe për një Evropë të bashkuar. Sot
BE është një ent politiko-ekonomik prej 27 vendesh anëtare me privilegje dhe përgjegjësi, sipas traktateve në fuqi për anëtarësim.
Gëzuar Ditën tënde të Bashkimit dhe Paqes Evropë – qoftë edhe pa Shqipëri e pa shqiptarë, në radhët tua. 74-vjetori i Deklaratës së Schumanit, 9 Maj 2024, për fat të keq dhe për më shumë se një shekull tanimë, gjen Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët, ndonëse me dy shtete në Ballkan, gjithnjë të izoluar dhe të përjashtuar nga Evropa e Bashkuar. Pothuaj, aq të izoluar e të përjashtuar nga Evropa ashtu si edhe 105-vjet më parë kur At Gjergj Fishta i Kombit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919) iu ishte drejtuar paraardhësve përfaqësues të shteteve evropiane, “Evropës së Qytetnueme”, siç u është drejtuar ai atyre me pak ironi në fjalimin e tij klasik mbi të drejtat e mohuara të kombit shqiptar.
Në Ditën e Evropës, 2024, po i kujtojmë “Evropës së Qytetnueme”, se 6 Maji shënoi ditëlindjen e heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, “Mbrojtësi i Qytetërimit Evropian”, i këtij qytetërimi që shumica e shteteve evropiane gëzon sot, të bashkuar, të pavarur e të lirë, por pa bashkatdhetarët modernë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në mesin tuaj, si pjesëtarë të këtij bashkimi kombesh. “Mbrojtësit të Evropës”, bashkatdhetarët e të cilit i mbani, sot e kësaj dite, jashtë dhe të përjashtuar nga radhët e bashkimit tuaj.
Megjithëse kanë kaluar disa shekuj, ia vlen ndoshta që t’ua kujtojmë evropianëve modernë të qytetëruar, në këtë ditë kushtuar Ditës së Evropës, se ata e gëzojnë atë qytetërim sot, falë fitoreve të kryetrimit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane që synonte pushtimin e Evropës së asaj kohe, fitore të cilat kishin marrë namin anembanë Evropës, duke e cilësuar Skënderbeun si “Mbrojtësi i Evropës”, por që sot pothuaj janë harruar nga evropianët modernë.
Mbrojtësi i Evropës-me këtë emër, Evropa e njohu dhe e trajtoi gjatë historisë deri në ditë e sotme nëpërmjet qindra shkrimeve në gjuhët kryesore evropiane, poema, filma e monumente anembanë kontinentit të vjetër. Vetëm ditën e 6 majit 2024, të pakën 5-6 monumente u ngritën anembanë Evropës, nga Italia, në Gjakovë e deri në Hungari, në nder e kujtim të Gjergj Kastriotit, Mbrojtësit të Evropës dhe Prijësit të shqiptarëve. “Fat i vetëm për çdo burrë të madh lufte dhe i rrallë për burrat më të mëdhenj të çdo kohe”, do të shprehej dikur, albanologu në zë, At Zef Valentini në një shkrim për famën e Gjergj Kastriotit në Evropë.
Urime pra, Evropë ditën tënde 2024, ditën e bashkimit e të paqes, qoftë edhe pa Shqipëri e pa shqiptarë në radhët tua, por me shpresën që në një të afërme, jo të largët, të hapësh portat tua për shqiptarët-porta të cilat Gjergj Kastrioti -Skënderbeu i mbrojti nga hordhitë otomane në kohën e tij. Hapi portat sot Evropë edhe për Shqipërinë, Kosovën e për Shqiptarët, “si një mundësi e meritë që shqiptarët të jenë element kuptimi dhe paqeje ndërmjet fisesh e gjuhësh të ndryshme”, të Evropës. (Papa Pali i VI –1968).
Shqiptarët kanë dashur historikisht dhe duan të jenë, aktualisht, pjesë e Evropës së bashkuar e të lirë, jo vetëm gjeografikisht, anëtarë të Bashkimit Evropian, pro-perëndimorë me vlera, sjellje e kulturë, në shtëpinë e përbashkët të quajtur Evropë.
Evropa e bashkuar dhe e lirë, në këtë ditë, duhet të shfaqë mirënjohjen e saj për fitoret e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, për sakrificat e rënda të shqiptarëve gjatë historisë, në mbrojtje të dyerve të Evropës dhe qytetërimit evropian nga sulmet e herë-pas-hershme nga Perandoria Osmane. Ndërsa, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u tregon shqiptarëve udhën që ata duhet të ndjekin drejtë integrimit të tyre në Evropën e bashkuar e të lirë.
