Debati si kulturë

Nevoja për një kulturë në debat duhet kuptuar seriozisht, jo vetëm që të ruhet minimumi i nivelit, por edhe i qartësisë së debatit. Nëse kjo komponentë nuk konsiderohet primare, atëherë duhet pranuar një fakt, se mediumet tona demonstrojnë arrogancën dhe mungesën e kapacitetit intelektual të nevojshëm për t’u dhënë përgjigje problemeve të shtruara. Manifestimi i kulturës së mirëfilltë në debat, mbi të gjitha, është një shembull konstruktiv, nga i cili mund të mësohen shumë gjëra, duke filluar nga mirësjellja e deri te respekti i atyre që qëndrojnë para ekraneve televizive

Qani Osmani

Debati është një diskutim intelektual në mes të më shumë personave gjatë të cilit shoshitet një problem. Në esencë, çdo debat brenda vetes duhet të ketë kulturë dhe qytetari! Debatet që nuk përmbajnë kulturë janë thjesht përpjekje për linçime, diskualifikime, ofendime, nënçmime dhe synojnë përjashtimin apo margjinalizimin e një personi, të një teze, të një shllime të shëndetshëm për mbarë shoqërinë.
Ndër ne sot kemi mjaft debate, të cilat zhvillohen kryesisht nëpër studio televizive. Këto debate vijnë të influencuara nga institucionet politike, nga partitë, dikasteret qeveritare, parlamentet! Atëherë, sa ka kulturë brenda këtyre debateve! Fatkeqësisht, edhe debatet kulturore i kemi të stërmbushura me politikë, janë skajshmërish shterpe për nga aspekti kulturor. A mund të ketë debat në një studio televizive me panelistë të paguar! Kush paguan? Natyrisht, ai që insiston në përqafimin dhe në shtrirjen sa më të gjerë të tezave dhe synimeve të tij që nuk shkojnë përtej “ideve” oligarkike! Bëhet fjalë për debat të kurdisur, të dirigjuar nga “opinionistët” që insistojnë në një rezultat, fundja, tërësisht akulturor: kush është i miri e kush i keqi dhe, për më tepër, ky vlerësim duhet të dalë nga panelistët që paraprakisht paguhen për të folur siç ia do qejfi pushtetit, opozitës apo atij që paguan!
“Jo moree!”, “Obobo!”, “Of of of!”, “Qy qy qy…!”, “Uhaaa!”… janë vetëm një pjesë nga fondi i gjerë i pasthirrmave në fjalorin publik të një pjese të madhe të “intelektualëve” tanë, që i shohim për çdo natë nëpër ekrane televizive, derisa drejtojnë “brirët e dashit”. Në fakt, ato shprehje emocionale më së shumti u shërbejnë atyre për ta neutralizuar mungesën e kundërargumentit që kanë ndaj oponentit të caktuar. Prandaj, sa më të theksuara, të vrazhda e cinike të jenë, e sipas fuqisë fizike të zërit, sa më zëshëm që të thuhen, e të përcillen me mimika psikopatike, për aq më të mençur e pandehin veten!
Natyrisht, është për keqardhje niveli i debatit intelektual, i cili ka kapluar jo vetëm kornizat e studiove televizive, por në përgjithësi korpusin tonë shoqëror, ku e kanë humbur kuptimin idetë dhe debatet e shëndosha për nevojën e zhvillimit të arsyeshëm kulturor, arsimor, shkencor, ekonomik apo politik.
Prandaj, është një perceptim i përgjithshëm se gjithçka që sheshohet e debatohet publikisht, paraqet një lloj fasade false, së cilës i del ngjyra sa çel e mbyll sytë. Niveli intelektual dhe akademik brenda shoqërisë sonë është katandisur aq keq, saqë është vështirë për ta definuar. Dhe, natyrisht, shkaqet për këtë gjendje janë të shumta…

Llojet e “intelektualëve”
Bota është bërë shumë e vogël si rezultat i procesit të globalizimit, zhvillimit teknologjik dhe depërtimit të rrufeshëm të ideve, rrymave e shërbimeve të ndryshme inteligjente përmes mjeteve digjitale. Njeriu i sotëm, për çdo ditë, bombardohet nga qindra-mijëra informata, të cilat nuk është në gjendje t’i absorbojë, e aq më pak t’i sistemojë se cilat i ka të nevojshme e cilat të panevojshme. Ose, rëndom më shpesh ia nxënë kapacitetin e “memory disk”-ut informatat e panevojshme sesa ato të nevojshme dhe, si rrjedhojë, mendja e njeriut katandiset aq keq, saqë nuk është në gjendje të sjellë asnjë gjykim të drejtë për pothuajse asnjë çështje aktuale, meqë mundësia për lajthitje është e paparashikueshme.
Prandaj, sot për një intelektual të mirëfilltë është shumë e vështirë të jap mendime publike, ngase në këtë botë të kontaminuar nga një shumësi e paimagjinueshme e informatave që vijnë nga të gjitha anët, bëhet e rëndë dhënia e gjykimeve të caktuara. Dhe, shih për këtë, ata në vend të fjalës, e zgjedhin heshtjen!
Sot për intelektualin është shumë e rëndë të japë mendime publike, meqë shumë lehtë mund të vijë deri te situata neveritëse, kur për çështje të caktuara të gjeopolitikës, një “ngelës” me shkollë fillore e fiton të drejtën të përballet dhe debatojë publikisht me një ekspert të shkëlqyeshëm! Prandaj, intelektualët e mirëfilltë, në vend të fjalës, e zgjedhin heshtjen!
Sot paraqitet e rëndë situata për të dhënë mendime publike, meqë me automatizëm vihesh në bankën e të akuzuarve, ku natyrisht përpara teje ke edhe avokatë edhe prokurorë, por se do të bëhesh përrallë, si me njërën anën si me tjetrën, kjo është e paevitueshme. Dhe, ka pak intelektualë që janë në gjendje ta përballojnë peshën e fjalës publike, andaj ata në vend të fjalës, rëndom e zgjedhin heshtjen!
Dhe, ka një lloj tjetër të intelektualëve, që quhen konformistë, të cilët asnjëherë nuk marrin guximin të japin qëndrime publike, të cilat do të ishin në kundërthënie me bindjet e shumicës (për të mos thënë më troç, partive politike qeveritare ose personave që bartin funksione të rëndësishme publike). Megjithëse nuk jam shumë i sigurt nëse ky lloj i njerëzve hyjnë në rendin e intelektualëve, jam shumë i sigurt se për nga numri i përgjithshëm i korpusit të bashkësisë intelektuale, konformistët e përbëjnë shumicën.

Temat e debateve dhe burimet e tyre
Një problem tjetër shumë neuralgjik, që ndërlidhet me “temat e mëdha” të debatit, është burimi i tyre. Gjithherë që shtetet apo shoqëritë tona duhet të kalojnë ndonjë sfidë të papërballueshme, lindin tema që prekin thellë nervat e shumicës së popullatës, andaj ato bëhen top-tema për javë e muaj të tërë. Dhe, këto tema rëndom burojnë nga qendrat politike, përkatësisht nga shërbimet propagandistike të partive politike ose shërbimet inteligjente shtetërore.
Nëse ju kujtohet momenti i debatit në Kosovë, kur presidenti Hashim Thaçi, në vitin 2018 përnjëherë nxori në opinionin publik idenë e “korrigjimit të kufijve”, që sipas tij nënkuptonte vetëm bashkimin e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës. Sigurisht që ideja apo kërkesa si e tillë ishte shumë e favorshme për shqiptarët, por ishte krejtësisht e pamundshme të realizohej. I gjithë debati në këtë temë u zhvillua në mënyrë intensive me muaj të tërë dhe në momentin kur pas saj duhej të vinte një marrëveshje tjetër finale që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ndodhi burgosja e Thaçit dhe ai mbeti hero i një ideje e cila fatkeqësisht mbeti pas asnjë epilog deri në ditë e sotme. E të tilla janë edhe temat që debatohen vazhdimisht nga mediat tona. Hidhet në publik një problem për t’i fshehur problemet e tjera, duke e defokusuar vëmendjen e opinionit të gjerë.

Politikat ditore dhe gjithologët
Në mediat shqiptare vazhdimisht dalin tema të reja për debat, të cilat rëndom janë reflektim i politikës ditore. Vendimet ose prononcimet publike ditore të Edi Ramës në Tiranë, Albin Kurtit në Prishtinë ose edhe të Ali Ahmetit e të tjerëve në Shkup, në mbrëmje bëhen tema debati nëpër studio televizive, me analistë e ekspertë, që në të shumtën e rasteve janë politikanë që kanë bërë kërcime gjimnastikore nëpër të gjitha partitë politike dhe pas dështimit të tyre politik, kanë përfunduar në ulësen e analistit. Në këto rrethana rrallëherë ndodhë që për një çështje të caktuar aktuale të merret mendimi i profesionistit të vërtetë. Gjithologët janë aty për të folur edhe për politikë, edhe për ekonomi, edhe për arsim, edhe për shkencë, edhe për kulturë, edhe për sport, edhe për bujqësi e blegtori.
Pra, ata që japin gjykime për të gjitha çështje e hapura aktuale, rëndom bëjnë pjesë në grupin e atyre “intelektualëve” që i parafrazuam në fillim të këtij artikulli, të cilët përmes pasthirrmave çoroditëse, debatet i bëjnë më “interesante” dhe më ngacmuese për publikun, gjë që reflektohet në shikueshmërinë e tyre. Pra, jemi në kohën kur njerëzit po edukohen më tepër virtualisht përmes spektakleve televizive, sesa përmes debateve të njëmendta profesionale e përmbajtjesore. E natyrisht, ata që dëshirojnë të bëjnë shou dhe të përfitojnë nga klikimet, nuk është e thënë të debatojnë seriozisht ose të japin zgjidhje e alternativa shkencore për çështje të debatueshme aktuale. Prandaj, si duket, edhe në këtë rast vlen maksima se: “Është më mirë të debatohet për një çështje pa arritur një zgjidhje se sa të arrihet një zgjidhje pa bërë debat!”.
Në rrethana të tilla, nga e gjithë kjo çorbë çoroditëse mediatike, më së shumti pëson e vërteta dhe shëndeti mendor i audiencës! E vërteta asnjëherë nuk mund të zbulohet, andaj edhe nëse zbulohet, ajo nuk mund të perceptohet dhe kuptohet nga shumica, ndërsa shëndeti mendor i audiencës e humb aftësinë e perceptimit dhe dallimit të gënjeshtrës nga e vërteta. Kështu, opinioni publik mund të manipulohet pa kurrfarë problemi, gjithherë që një qendër e fuqishme politike ka qëllim të caktuar për të shtyrë përpara një agjendë të tyre, qoftë edhe antikombëtare, antishtetërore ose edhe antinjerëzore!

Të fundit

më të lexuarat