Synimi, avancimii procesitedukativo-arsimor

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi, prof. dr. Angjela Jakshiq- Stojanoviq, vizitoi javën e kaluar Shkollën Fillore “29 nëntori”- Dinoshë, SHF “Mahmut Lekiq”- Tuz, SHF “Bashkimi”, Skorraq dhe Shkollën e Mesme të Përzier “25 Maji” në Tuz.
Në bisedën që zhvilloi me drejtorët, mësimdhënësit dhe me personelin jashtë mësimor të këtyre institucioneve, ministrja është njoftuar me rezultatet më të rëndësishme të punës së këtyre shkollave, por edhe me sfidat me të cilat ato ballafaqohen.
“Vizitën e ministres dhe të grupit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e kanë shfrytëzuar edhe nxënësit të cilët gjatë bisedimit kanë dhënë propozimet dhe sugjerimet e tyre të cilat kanë të bëjnë në avancimin e cilësisë së procesit arsimor”, thuhet në njoftimin e MASHI-it.
Ndërkaq, ministrja ka theksuar se këto vizita të institucioneve edukativo-arsimore në Mal të Zi, paraqesin segmentin më të rëndësishëm të veprimit dhe se vetëm në këtë mënyrë dhe së bashku, mund të punohet në avancimin e cilësisë së procesit arsimor, “i cili duhet të jetë prioritet i të gjithë shoqërisë”.
Ndërkaq, nga SHF Mahmut Lekiq në Tuz këtë vizitë e kanë konsideruar si një befasi të këndshme për të gjithë kolektivin e shkollës, pasi, siç kanë thënë, kjo është vizita e parë në këtë shkollë, që nga përurimi i godinës së re (2006), e deri më sot.
“Vizita e ministres u mirëprit nga i gjithë kolektivi i shkollës sonë, duke i shprehur mirënjohje ndaj veprimtarisë së saj që nga ardhja në detyrë, ku nga të gjitha shkollat e Malit të Zi, shkollën tonë e veçoi duke e furnizuar me 59 kompjuterë, 7 lap topë, dy printerë dhe 29 televizorë, me të cilët jo vetëm se siguroi përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies përmes qasjeve elektronike, por me këtë përkrahje e pozicionoi shkollën tonë me një standard të lartë për mësimin cilësor”, njoftohet nga SH “Mahmut Lekiq”.
Nga ky institucion edukativo- arsimor, kanë shtuar se në këtë vizitë, u shkëmbyen ide dhe kërkesave, me qëllim të avancimit të rezultateve edukativo-arsimore.
“Me ç’rast ministrja premtoi intensifikimin e marrëdhënieve tona dhe unifikimin në veprimtarinë tonë të përbashkët, me qëllimin e ngritjes së nivelit shkollor, jo vetëm në shkollën tonë, por në mbarë Malin e Zi. Ajo u njoftua edhe me faktin e amortizimit të inventarëve shkollorë, gjë që tha se së shpejti do të sigurohet inventari” thuhet në njoftimin e këtij institucioni shkollor.
Ndërkohë, siç bëjnë të ditur, është diskutuar edhe për sigurinë, rrethimin e shkollës, rregullimin e bibliotekës, kamerat për vëzhgim etj., ku sipas tyre, ministrja tregoi gatishmëri për realizimin e kërkesave të shtruara në një të ardhme të shpejtë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat