Shijet e detit në qendër të Ulqinit

Ulqin – Ulqini, qyteti bregdetar me aromë Mesdheu dhe traditë mikpritjeje, ka shënuar një ngjarje të re në kalendarin e tij turistik: për herë të parë u mbajt manifestimi gastronomik “Dita e karkalecave – gjelave të Ulqinit”, një festë e shijes dhe kulturës kulinare që mblodhi së bashku një numër të madh vizitorësh dhe adhurues të kuzhinës mesdhetare.
Ky aktivitet i veçantë, i cili u zhvillua mbrëmjen e 14 qershorit 2025, në kuadër të programit të gjerë të manifestimit “Të gjithë për turizëm”, u organizua nga Organizata Turistike e Ulqinit dhe Komuna e Ulqinit, me qëllim të promovimit të trashëgimisë gastronomike lokale dhe të krijimit të përvojave unike për vizitorët. Me organizimin e këtij manifestimi për herë të parë, Ulqini shtoi një risi të rëndësishme në mozaikun e aktiviteteve të sezonit veror, duke treguar angazhimin e tij për të pasuruar ofertën turistike.
Në qendër të vëmendjes ishin karkalecat – një produkt tipik i kuzhinës mesdhetare, i cili përgatitet në mënyrë tradicionale nga kuzhinierët vendas. Organizata Turistike e Ulqinit kishte siguruar për këtë rast karkaleca të cilësisë më të lartë, të cilët u përgatitën dhe u shërbyen falas për të gjithë vizitorët, të shoqëruar me verë lokale – një kombinim i përsosur që pasqyron shijen dhe aromën e detit Adriatik.
Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq, theksoi se ideja për organizimin e këtij manifestimi lindi nga dëshira për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulinare të brezave të mëparshëm.
“Dikur, gjyshërit tanë arrinin të shisnin gjelat e detit deri në tregjet e Kroacisë, duke bërë që Ulqini të njihej për këtë pasuri të veçantë natyrore dhe kulturore. Kjo ngjarje është një përpjekje për të ndërlidhur të kaluarën me të ardhmen – për të mbajtur gjallë vlerat autentike dhe për t’ua prezantuar ato me krenari si turistëve ashtu edhe banorëve tanë”, u shpreh Hoxha.
Organizatorët kanë shprehur dëshirën që kjo nismë të kthehet në një traditë të përvitshme, e cila do të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë të apasionuar pas kulinarisë dhe kulturës vendase.
Përtej aspektit gastronomik, manifestimi krijoi një atmosferë festive ku u ndërthurën tradita, mikpritja dhe argëtimi. Vizitorët patën mundësi të shijojnë jo vetëm ushqimin, por edhe muzikën, vallet tradicionale dhe energjinë pozitive që karakterizon Ulqinin në stinën e verës. Nga turistët që ndaleshin rastësisht deri te banorët vendas që mbështesin çdo nismë për gjallërimin e qytetit, të gjithë u bënë pjesë e një përvoje të veçantë që dëshmoi potencialin e madh të Ulqinit si një destinacion turistik.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat