Shërbim që do t’i zbusë problemet e transportit

Tuz – Çështja e organizimit dhe jetësimit të transportit publik në komunitet, është e një rëndësie jetike. Transporti publik lehtëson në masë të madhe jetën e qytetarëve të një vendi e veçanërisht të atyre që nuk kanë në pronësi një automjet privat, apo për kategori të caktuara të cilët nuk janë drejtues të automjeteve.
Çdo qytet i zhvilluar në infrastrukturën e përgjithshme, disponon edhe me transportin publik, sepse mungesa e tij jo vetëm që nuk do të mund të imagjinohej në këtë kohë të jetës dinamike e të lëvizjeve të pandalshme urbane dhe ndër-urbane, por ajo do të krijonte një zbrazëti në përmbushjen e nevojës së udhëtimit të qytetarëve.
Shërbimi i transportit publik ka qenë një nevojë e kohës edhe për Komunën e Tuzit, sidomos për transportin ndër-qytetas, Tuz-Podgoricë dhe anasjelltas, por edhe për qarkullimin urban, brenda kësaj komune.
Se banorët e Malësisë do të kenë mundësinë e udhëtimit me transport publik, është konfirmuar ditë më parë nga Komuna e Tuzit, e cila ka bërë të ditur se ka përfunduar prokurimi lidhur me organizimin e këtij transporti shumë të nevojshëm dhe të shumëpritur nga qytetarët e Malësisë.
“Pritet vetëm edhe procedura ligjore për transferim në pronësi të komunës dhe prej saj në Ndërmarrjen Publike Komunale, që besojmë se nuk do të vonojë që ky shërbim t’i zbusë problemet e transportit, jo vetëm në drejtim të kryeqytetit dhe anasjelltas, por edhe si transport urban brenda komunës sonë për nevojat e qytetarëve, e para së gjithash të punëtorëve dhe nxënësve”, është njoftuar nga ky institucion.
Nga Komuna e Tuzit kanë thënë se me realizimin e kësaj nisme, më së shumti do të përfitojnë prindërit dhe fëmijët e tyre që mësimin e ndjekin nëpër shkollat e Malësisë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat