Përpjekje për ta ulur inflacionin

Podgoricë – Marzhat tregtare për shitjet me pakicë dhe shumicë u kufizuan, kështu njoftohet nga Qeveria.
Mbi këtë nismë, kryeministri Millojko Spajiq dhe ministri i zhvillimit ekonomik, Nikë Gjeloshaj, javën e kaluar u takuan me përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë, duke arritur marrëveshje mbi miratimin e masave të përkohshme të kufizimit të marzhave tregtare, të cilat, siç kanë theksuar, do të jenë në shërbim të mbrojtjes së standardit të qytetarëve, por edhe të ruajtjes së substancës ekonomike të shoqërive ekonomike, nga fusha e tregtisë dhe prodhimit.
Gjatë takimit të kryeministrit dhe ministrit të zhvillimit ekonomik, bashkëbiseduesit kanë shprehur kënaqësinë për arritjen e pëlqimit të nivelit të caktuar mbi këtë çështje, pasi, siç kanë njoftuar, ka qenë e nevojshme që njëkohësisht të merret parasysh standardi i qytetarëve, por paralel me të, të bëhet kujdes edhe me funksionimin e dyqaneve të vogla dhe prodhuesve të vegjël të cilët përbëjnë shtyllën kurrizore të degës ekonomike në të cilën gjenerohet edhe një numër i madh i vendeve të punës.
“Është theksuar edhe rëndësia e ndjekjes së analizës gjithëpërfshirëse të masave të dakorduara, në mënyrë që të shihen efektet financiare dhe fiskale. Kohëzgjatja e masave, gjithashtu do të varet nga analiza e cila do të kryhet kohë pas kohe me Dhomën e Tregtisë”, u tha nga qeveria.
Marrëveshja për kufizimin e marzhës, i është dërguar Qeverisë së Malit të Zi për të dhënë pëlqimin dhe miratimin dhe kështu, të enjten (21 mars 2024) pas mbledhjes, qeveria solli vendim për kufizimin e marzhës në mbi 500 artikuj.
Kryeministri, Millojko Spajiq është shprehur se, kjo do të thotë, jo vetëm se ndalohet rritja e çmimit të këtyre prodhimeve, por ulen çmimet e prodhimeve të caktuara.
“Deri sot kemi folur se do të ndalojmë rritjen e çmimeve, ndërsa tani flasim mbi uljen e çmimeve”, është shprehur, Spajiq.
Ai ndër të tjera ka thënë se në këtë mënyrë, po përpiqen që të ndalojnë inflacionin.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat