Model i ri për menaxhimin e biodiversitetit

Tiranë – Mali i Zi, Shqipëria dhe Italia kanë filluar projektin në fushën e peshkimit, të quajtur “Blue Lands” (Territoret blu) me qëllim të vendosjes së modelit të përbashkët të menaxhimit të biodiversitetit detar dhe bregdetar, mbrojtjes dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të tij.
Projekti është pjesë e Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar INTERREG IPA II ndërmjet tre vendeve.
Ai është hapur zyrtarisht me takimin dyditor të zhvilluar në Tiranë ndërmjet partnerëve të projektit, të cilët kanë diskutuar mbi ecurinë e projektit dhe sfidat që i presin përpara.
Nga Mali i Zi partnerë në këtë projekt tripalësh janë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, respektivisht Drejtoria për Peshkim, dhe Instituti për Biologjinë e Detit të Universitetit të Malit të Zi.
Tri zonat e projektit përfshijnë habitatet detare dhe bregdetare përgjatë tyre, pjesë e tre shteteve – Mali i Zi, Shqipëri dhe Itali. Këto zona janë: Bregu i Ada-Bunës, duke përfshirë dhe ligatinat bregdetare të Bunës dhe dunat e rërës përgjatë pjesës së deltës së lumit në pjesën e Malit të Zi, zona e gjirit të Porto-Palermos në jug të të Shqipërisë dhe bregu i Otranto-Leuca në Pulia të Italisë.
Projekti ka një kohëzgjatje prej 24 muaj, me një vlerë të përgjithshme prej një milion euro.
Projekti paraqet një qasje të re në mënyrën e menaxhimit të burimeve detare dhe bregdetare, me pjesëmarrjen e komunitetit, duke vlerësuar mbrojtjen e burimeve të tyre, të habitateve ndërkufitare, biodiversitetit dhe shërbimeve të ekosistemeve.
Përcaktimi i një modeli ndërkufitar menaxhues ka për qëllim zhvillimin dhe ngritjen e një modeli qeverisës me pjesëmarrje në nivel ndërkufitar, duke përfshirë komunitetet lokale bregdetare, përcaktimin e aksioneve për mbrojtjen e mjedisit dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve detare dhe bregdetare. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat