Marrëveshja mbetet në fuqi

Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi nuk ka marrë vendim mbi kushtetutshmërinë e Marrëveshjes ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurisë së paluajtshme, për arsye se propozimi i gjykatësit raportues nuk ka fituar shumicën e votave.
Në seancën e mbajtur të hënën, më 16 mars 2026, nuk ka ekzistuar shumica e nevojshme për propozimin e gjykatësit raportues që të nisë procedura për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit mbi ratifikimin e Marrëveshjes mbi bashkëpunimin në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.
Për propozimin e gjykatësit raportues kanë votuar tre gjykatës, kurse kundër nisjes së procedurës tre anëtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese.
“Gjyqtarët që votuan për fillimin e procedurës konsideruan se Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes me Emiratet duhej të ishte miratuar me shumicë prej dy të tretash, sepse rregullon të drejtat pronësore të të huajve, dhe se përndryshe Parlamenti mund të miratonte traktate të tjera ndërkombëtare me shumicë të thjeshtë edhe pse ato rregullojnë çështje që kërkojnë shumicë të kualifikuar, siç janë të drejtat zgjedhore, të cilat mund të përfshijnë rregullimin e çështjeve të shtetësisë së dyfishtë”, thuhet në deklaratën për shtyp të Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë mënyrë marrëveshja ndërmjet dy qeverive, e miratuar në Kuvendin e Malit të Zi, përkundër kritikave se është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, mbetet në fuqi.
Ligji mbi ratifikimin e Marrëveshjes mbi bashkëpunimin në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi së pari më 23 prill 2025, por ai nuk është dekretuar nga Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq, me arsyetimin se është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Malit të Zi. Përkundër kësaj, Kuvendi i Malit të Zi e ka miratuar sërish këtë ligj më 3 qershor 2025.
Marrëveshja në fjalë ka nxitur reagime të ashpra të komunitetit profesional dhe pushtetit lokal në Ulqin, të cilët kanë organizuar edhe protesta kundër miratimit të Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve. Komuna e Ulqinit në bashkëpunim me organizatat joqeveritare ka organizuar disa protesta për të kundërshtuar synimet e Qeverisë së Malit të Zi që Plazhin e Madh t’ia japë me qira për 99 vite biznesmenit kontrovers arab Mohamed Alabar.

(Kohapress/REL)

Lufta për Plazhin e Madh – për një zhvillim të ligjshëm, të qëndrueshëm dhe të drejtë

Sot (11 mars 2026) bëhet një vit nga paraqitja e parë zyrtare e kompanisë Eagle Hills për të investuar në territorin e Komunës së Ulqinit përmes tenderit për dhënien me qira të plazheve në Plazhin e Madh.
Gjatë kësaj periudhe kemi qenë dëshmitarë të aktiviteteve të nxituara dhe intensive të Qeverisë së Malit të Zi dhe Kuvendit të Malit të Zi për aprovimin e Marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për investime në patundshmëri dhe turizëm. Nga ana tjetër, kemi arritur unitet në komunën tonë, me një qëndrim të qartë dhe të përbashkët të qytetarëve dhe komunitetit lokal në mbrojtjen e interesave të brezave të ardhshëm.
Nesër, më 12 mars, pritet që Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi të marrë një vendim përfundimtar mbi përputhshmërinë e Marrëveshjes me Kushtetutën e Malit të Zi.
Ritheksojmë se Marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe është në kundërshtim me Kushtetutën, për çka kemi paralajmëruar që nga fillimi.
Jemi të bindur se Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim të bazuar në të drejtën dhe drejtësinë, duke mbrojtur para së gjithash interesat e shtetit dhe të komunitetit lokal, dhe jo duke u udhëhequr nga interesa politike, ekonomike apo interesa të tjera të individëve ose grupeve.
Publiku është me të drejtë i interesuar të dijë se si do të vendosë instanca më e lartë gjyqësore në vend.
Presim që vendimi të jetë në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjeve të Malit të Zi, si dhe të interesave të qytetarëve dhe të së ardhmes së vendit.
Lufta për Plazhin e Madh nuk është kundër zhvillimit, por për një zhvillim të ligjshëm, të qëndrueshëm dhe të drejtë.

Të fundit

më të lexuarat