U prezantuan, shqyrtuan dhe u miratuan një vistër aktesh normative të organeve tëqeverisjes lokale, institucionevedhe organizatave publike

Guci – Në seancën e parë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë për vitin 2024, të mbajtur të hënën më 15 prill 2024, në sallën e komunës për seanca, takime e tubime, në të cilën ishin të pranishëm 27 këshilltarë prej gjithsej 30 sa numëron Kuvendi, u prezantuan, shqyrtuan dhe u miratuan një vistër aktesh normative të punës së organeve të qeverisjes lokale, institucioneve dhe organizatave publike që punojnë dhe veprojnë në trevën e Komunës.
Para fillimit të punës së seancës, të cilën e hapi kryetari i Kuvendit, Bujar Hasangjekaj, u verifikua mandati i këshilltarit të ri Edvin Bektesheviq nga lista zgjedhore e subjektit politik “Socialdemokratët Ivan Brajoviq – Ne vendosim me konsekuencë për Gucinë” në vend të këshilltarit në dorëheqje Irfan Dervisheviq nga lista e të njëjtit subjekt politik i cili u zgjedh sekretar i Sekretariatit për Planifikim hapësinor dhe mbrojtje të mjedisit.
Më pas, këshilltarët e pranishëm pa vërejtje dhe njëzëri miratuan proceverbalet: nga seanca e tretë e rregullt e KK-së, e mbajtur me 22 nëntor 2023 dhe nga seanca e katërt e rregullt e KK-së e mbajtur më 29 dhjetor 2023 dhe në vazhdim shqyrtuan dhe njëzëri miratuan rendin e ditës të propozuar prej 13 pikash, i cili pësoi ndryshime sepse nga puna e seancës në propozim të kryetarit të Komunës Sanell Balliq u tërhoqën pikat 5, 6 dhe 7 në radhën e rendit të ditës që kanë të bëjnë me tri propozim vendime: për dhënien e pëlqimit për formimin e bashkësive lokale (vendore) në: Vuthaj, Doli dhe Dosugjë.
Seanca filloi punën me shqyrtimin e tri pikave të para të rendit të ditës, me informacionet mbi punën e tri institucioneve publike që punojnë dhe veprojnë në Komunën e Gucisë në vitin 2023. Informatën për gjendjen dhe mbrojtjen primare shëndetësore në Komunën e Gucisë në vitin 2023, me të cilën të pranishmit në seancë në mënyrë koncize dhe analitike i njoftoi drejtori i Shtëpisë së shëndetit “Dr. Branko Zogoviq” në Plavë, Dr. Armen Pejçinoviq, në kuadër të së cilës punon dhe vepron Stacioni shëndetësor në Guci. Lidhur me informatën e prezantuar u zhvillua polemikë dhe dialog i ashpër verbal në mes të mjekes së vetme të përhershme në Ambulancën e Gucisë, Dr. Harisa Llalliçiq, dhe drejtorit të Shtëpisë së shëndetit në Plavë, Armen Pejçinoviq, të cilët me të dhëna verbale e kundërshtuan njëri-tjetrin në deklarata për gjendjen faktike shëndetësore në Komunën e Gucisë. Përkitazi me informatën në fjalë, mendimet e veta i parashtruan edhe ca këshilltarë pjesëmarrës në diskutim.
Informatën për gjendjen e sigurisë në territorin e Komunës së Gucisë në vitin 2023, e prezantoi dhe e argumentoi me të dhëna faktike të shprehura me fjalë dhe shifra, kryeshefi i Departamentit të sigurisë në Plavë, Stacioni policor në Guci, Mehmed Kollashinac, për të cilën mendimet, shikimet dhe vlerësimet e veta në mënyrë konstruktive i shprehën ca këshilltarë në diskutimet e veta.
Ndërkaq, informatën për mbrojtjen e fëmijëve dhe mbrojtjen sociale për territorin e Komunës së Gucisë në vitin 2023, në mënyrë kronologjike e parashtroi para të pranishmëve në seancë menaxherja e Qendrës për punë sociale në Plavë, zonja Merima Balliq, informatë kjo për të cilën nuk pati të interesuar për diskutim.
Seanca e cila zgjati katër orë, pastaj vazhdoi punën me Propozim vendimin për miratimin e Programit të rregullimit hapësinor të Komunës së Gucisë për vitin 2024, të cilin në mënyrë analitike dhe kronologjike e prezantoi dhe e argumentoi me shifra dhe fjalë sekretari i Sekretariatit për planifikim hapësinor dhe mbrojtje të mjedisit, Irfan Dervisheviq, lidhur me të cilin në diskutim morën pjesë këshilltarët Adell Damjanoviq e Ferka Jaroviq dhe kryetari i Komunës Sanell Balliq. Propozim vendimi me votim të hapur u miratua njëzëri.
Raportin mbi punën e kryetarit të Komunës së Gucisë, organeve dhe shërbimeve të qeverisjes lokale për vitin 2023, në mënyrë koncize, analitike dhe kronologjike e prezantoi dhe e argumentoi me të dhëna të bollshme të shprehura me shifra dhe fjalë, kryetari i Komunës, Sanell Balliq, i cili përmes elaborimit disaminutësh të pranishmit në seancë i njoftoi me punën e tij dhe të organeve e shërbimeve të qeverisjes lokale në vitin paraprak 2023. Përkitazi me raportin, vlerësimet dhe shikimet e veta ndaj raportit, i dhanë këshilltarët Adell Damjanoviq dhe Llakiq Baboviq. Raporti nga këshilltarët e pranishëm u miratua njëzëri.
Edhe katër raportet tjera mbi punën dhe gjendjen financiare të institucioneve dhe organizatave publike që veprojnë në trevën e Komunës së Gucisë i prezantuan drejtuesit dhe menaxherët e tyre: Raportin e punës së SHPK “Veprimtarit komunale” në Guci me raportin financiar për vitin 2023, e parashtroi drejtori Edin Mulliq, mbi të cilin në diskutimet e veta konstruktive i shprehën vërejtjet, sugjerimet dhe këshillimet këshilltarët: Adell Damjanoviq, Seniha Kollenoviq, Llakiq Baboviq dhe Ferka Jaroviq. Raporti u miratua njëzëri. Raportin mbi punën e Organizatës turistike në Guci dhe raportin e saj financiar për vitin 2023, të pranishmit në seancë në pika të shkurtra i njoftoi drejtori Getoar Gjonbalaj, përkitazi me përmbajtjen e të cilit në diskutimet e veta mendimet, shikimet dhe vlerësimet i dhanë këshilltarët, Adell Damjanoviq dhe Ferka Jaroviq. Raporti është miratuar njëzëri nga këshilltarët e pranishëm. Raportin e punës së Qendrës për kulturë në Guci dhe raportin financiar të saj për vitin 2023, me të dhëna dhe argumente të shprehura me fjalë dhe shifra e prezantoi drejtoresha Llejlla Balliq, mbi të cilin mendimet e veta i dhanë këshilltarët diskutant Adell Damjanoviq dhe Ali Kukaj, të cilët me shprehje dialogjike i konkretizuan mendimet e veta mbi punë e Qendrës për Kulturë, dhe Raportin e punës së shërbimit të Kuvendit të Komunës së Gucisë për vitin 2023, në mënyrë koncize dhe kronologjike e parashtroi kryetari i Kuvendit Bujar Hasangjekaj, i cili nga këshilltarët e pranishëm u miratua njëzëri.
Në pikën e fundit të rendit të ditës – pyetje dhe përgjigje të këshilltarëve, pyetje parashtruan këshilltarët: Adell Damjanoviq, Seniha Kollenoviq, dhe Zef Dushi, në të cilat përgjigjet i dhanë: Drejtori për investime dhe rregullim hapësinor, Asdren Çelaj, Kryetari i Komunës, Sanell Balliq, dhe kryetari i Kuvendit të Komunës, Bujar Hasangjekaj.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat