Kosova fiton statusin e anëtarit të asociuar

Asambleja Parlamentare e NATO-s ka vendosur të dielën (24 mars 2024) që Kosova nga vëzhguese parlamentare të bëhet anëtare e asociuar.
“Në vendime të tjera të rëndësishme, Komisioni i Përhershëm ka vendosur që Kuvendi i Kosovës nga vëzhgues parlamentar të bëhet anëtar i asociuar”, thuhet në deklaratën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Lajmin e kanë bërë të ditur ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni.
Ministri Maqedonci e ka konsideruar vendimin si hap të madh drejt sigurisë dhe prosperitetit të Kosovës dhe rajonit, ndërsa Hyseni, njëherësh kryesues i delegacionit të Kuvendit të Kosovës në këtë Asamble, ka thënë se ky “është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësim të plotë të Kosovës në NATO” dhe se vendimi do të zyrtarizohet përmes një votimi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror, më 27 maj 2024, në Sofje.
“Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit të Kosovës në Asamblenë e NATO-s, ne do të kemi zgjerim të delegacionit, përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe do të kemi të drejtë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve për secilin proces e dokument i cili trajtohet nga Asambleja, të cilat më herët është dashur të bëhen përmes delegacioneve të vendeve tjera, kryesisht Shqipërisë”, ka thënë Hyseni përmes një postimi në Facebook.
Asambleja Parlamentare e NATO-s shërben si organizatë ndërparlamentare konsultative për Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ajo është institucionalisht e ndarë dhe e pavarur nga NATO.
Asambleja Parlamentare e NATO-s përbëhet prej 281 delegatëve prej 32 vendeve anëtare të NATO-s. Secili delegacion krijohet në bazë të popullsisë së një shteti dhe parlamentit të tij.
Delegatët nominohen prej parlamenteve në vendet e tyre.
Përveç tyre, pjesë e Asamblesë janë edhe delegatë prej nëntë vendeve të asociuara, katër prej vendeve të asociuara të Mesdheut, dhe tetë vëzhgues parlamentarë që marrin pjesë në aktivitete, duke e çuar numrin e përgjithshëm të delegatëve në 362.
Anëtarët e asociuar mund të marrin pjesë në pothuajse të gjitha aktivitetet e komiteteve dhe nënkomiteteve dhe në seancat plenare.
Ata mund të prezantojnë rezoluta dhe amendamente për rezolutat.
Ata, po ashtu, mund të shërbejnë edhe si raportues të posaçëm të asociuar në komitete për të përfaqësuar qëndrimet e tyre për raportet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Megjithatë, atyre nuk u lejohet të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqësinë e Asamblesë, dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat