
Prim. Dr. Gani Karamanaga është emër i njohur jo vetëm për Ulqinin, por edhe më gjerë. Dr. Karamanaga, jo vetëm si mjek, por edhe në fushën e letërsisë ka bërë emër. Me krijimtarinë e tij letrare, Karamanaga zë vend të merituar në sirtarët e bibliotekave tona, i cili në 15 vitet e fundit ka publikuar disa libra me tema të ndryshme.
Libri i fundit i Dr. Karamanagës “Valixhja nga Amerika” vjen si rezultat i dëshirës se tij për të shfletuar kujtimet dhe brengat e bashkëqytetarëve të tij, të cilët, pa vullnetin e tyre morën botën në sy dhe siç shkruan autori i librit, disa prej tyre kanë mbetur atje mërgimtarë, disa nuk
u kthyen asnjëherë e disa të tjerë u kthyen në vendlindje përgjithmonë.
Libri “Valixhja nga Amerika” është plot reflektime të dhimbshme për jetën e mërgimtarit. Ato në vete sjellin ngjarje të dhimbshme të së kaluarës sonë. Pra, jeta e rëndë dhe me shumë sfida, e ka frymëzuar autorin të shkruajë për mërgimtarët. Libri në fjalë shënon një pasqyrë, sa të dhimbshme aq dhe reale të kësaj jete në dhe të huaj.
Vetë titulli i librit ”Valixhja nga Amerika”, përveçqë është simbolik, për temë ka një plagë të madhe të vendit tonë – mërgimin. Mërgimi aktualisht është ndër plagët më të rënda. Plaga e mërgimit nuk shihet, por të djeg nga brenda në heshtje. Është dhimbje që askush nuk e kupton, pa e provuar në lëkurën e vet. Mërgimi si plagë e rëndë shoqërore, politike, ekonomike, social-kulturore dhe psikologjike e ka përcjellë popullin tonë gjatë tërë historisë së zhvillimit të
tij.
Trajtimi i temave të tilla janë pjesë e identitetit tonë dhe paraqesin kureshtje për lexuesin. Të dhënat e përshkruara në libër janë rezultat i kontakteve të autorit me personazhe të librit brenda një periudhe të gjatë kohore. Me këtë libër autori dëshmon se ai nuk ka qenë vetëm mjek, por me pasion ka mbledhur e përgatitur lëndën, duke na dhënë një pasqyrë të gjallë, e cila del si
dëshmi e jetës.
Shpërngulja e shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore, filloi që nga kohët e vjetra, e që u karakterizua nga dy motive: ekonomike dhe politike. Tretja e popullit tonë drejt rrugëve të botës, fatkeqësisht është plagë që edhe sot në heshtje po e përpinë kombin tonë, duke larguar nga këtu pjesën më vitale, pjesën më të shëndoshë të popullit. Të rinjtë tanë po largohen nga vendi i vet që e duan më shumë se jetën e tyre. Largohen se ky vend po ofron shumë pak, apo thënë aspak mundësi të zhvillimit. Ndërkaq, në anën tjetër, ky rrugëtim për të rinjtë tanë nuk është thjesht, siç e mendonin në fillim, si një rrugë shpëtimi për një jetë më të mirë, por është një mundim i shtuar që të nënshtron e të godet në palcë, duke humbur identitetin në vend të huaj, të cilët për zgjidhjen e problemeve jetësore, në tregjet e botës po shesin fuqinë e tyre për bukën e gojës.
Autori përshkruan në hollësi kushtet e vështira ekonomike, rrethanat politike, mosperspektivën e të rinjve edhe ndjekjen e tyre nga regjimi i atëhershëm.
Libri hapet me një këngë kurbeti “Vaj si qenka ba dërnjaja”, këngë që është e njohur për lexuesin (publikun) tonë dhe më gjerë.
Ky libër është pak më ndryshe se librat tjerë të autorit, për vetë faktin se autori përmes këtij libri jep një mesazh te lexuesi, e bën atë kurreshtar të mësojë për disa specifika të emigrimit.
Në anën tjetër, autori përmes këtij libri transmeton vlera të ruajtjes së dashurisë për vendlindjen, andaj këtë libër duhet konsideruar si një vlerë të shtuar.
Libri është i ndarë në tre kapituj: Në kapitullin e parë, autori theksin e vë në ikjet pa kthim të qytetarëve ulqinakë, të cilët kanë mbetur mërgimtarë. Përshkruan kushtet ekonomike, rrethanat politike të viteve pas Luftës së Dytë Botërore që çuan në largimin e tyre. Përshkruan ata mërgimtarë që edhe atje në vende të largëta të Evropës, Amerikës e Australinë e largët, edhe pse kanë mbetur atje mërgimtarë, me punën dhe angazhimin e tyre kanë bërë emër në bizneset e tyre.
Në kapitullin e dytë (Nuk erdhën asnjëherë) autori përshkruan ata bashkëqytetarë që iken dhe nuk u kthyen asnjëherë në vendlindje. Përshkruan kontributin e tyre të çmuar, por dhe dëshirën e tyre të madhe, së paku për t’u varrosur në vendlindjen e dashur, pranë varreve të të parëve të tyre në Ulqin.
Në kapitullin e tretë bën fjalë për ata mërgimtarë që pas shumë vitesh në kurbet, nga malli dhe dashuria e flaktë për vendlindjen, për prindërit dhe të afërmit e tyre, u kthyen në vendlindje. Sado të largohesh nga vendlindja, kjo forcë të tërheqë aq edhe më shumë drejt vendit ku ke lindur, miqve dhe të afërmve tuaj. Vendlindja është testament i çmuar i të parëve
tanë. Dashuria aq e fuqishme që përjetohet për vendlindjen dhe të afërmit, nuk mund të përshkruhet dhe të krahasohet me asgjë.
Populli ka thurur shumë fjalë të urta për këtë plagë, si: “Guri i rëndë peshon në vend të vet”, “Kur të jesh në dhe të huaj, dita të duket një muaj.”, “Balta ashtë ma e ambël se mjalta” etj.
Rëndësia e këtij libri duhet parë edhe në një drejtim tjetër, në atë historik argumentues, me ç’rast autori përmes paraqitjes së mërgimit nga këto treva argumenton dashurinë që mërgimtarët tanë kanë për vendlindjen, për njerëzit. Kështu dëshmohet lidhja e pandërprerë me vendlindjen.
Gjuha me të cilën është shkruar ky libër është e thjeshtë, me një leksik të pasur, dialektor. Rruga e mërgimtarëve tanë është e mundimshme, por dashuria për vendlindjen është e pandalshme.
Njerëzit e shpërngulur me vete morën doket, zakonet, plagët, vajet, këngët, mallin për atdheun e të parëve, morën gjuhën e traditën kombëtare. Sa herë që vijnë pushimet, kjo shtresë e njerëzimit i jep gjallëri vendit. Ata vijnë për të pushuar dhe për t’u çlodhur në vendlindjen e tyre, e cila është edhe pjesa më e rëndësishme e botës së tyre. Ata udhëtojnë me qindra e mijëra kilometra, kalojnë rrugë të gjata, për të pushuar pak ditë në vendlindje dhe për t’u çmallur me më të dashurit e tyre. Mërgimtarët tanë gjejnë kohë edhe për organizime dhe takime mes vete. Ata vendlindjen e shijojnë dhe e mbajnë në zemër.
Ne jemi shumë krenarë me mërgimtarët tanë, sepse ata e dëshmuan veten në të gjitha kohët, duke lënë emër të mirë në fusha të ndryshme kudo në botë. Vetë titulli i librit, “valixhja” është simbol i shumë kujtimeve, sepse siç shkruan Dr. Karamanaga me këtë valixhe kanë emigruar, me këtë valixhe janë përcjellë fejesa e martesa të shumta (shenji e dhuntia) të vajzave – nuse, në brendësinë e saj janë ruajtur shumë kujtime.
Me këtë libër, Dr. Karamanaga gjithnjë e më tepër arriti të dëshmohet si hulumtues i zellshëm i shumë temave.
