Në Ulqin, të shtunën e parë të muajit prill (4 prill 2026), kur shënohet zyrtarisht Dita e Komunës së Ulqinit, u mbajt seanca solemne e Kuvendit të Komunës në ambientet e Qendrës për Kulturë. Kjo ditë, e përcaktuar në Statutin e Komunës, mbart një simbolikë të thellë që lidhet drejtpërdrejt me jetën tradicionale dhe ekonomike të qytetit, duke shënuar përfundimin e mbledhjes së ullinjve, daljen e detarëve në det dhe fillimin e sezonit turistik. Këto elemente përfaqësojnë tri shtylla të rëndësishme të identitetit të Ulqinit, duke e bërë këtë festë jo vetëm institucionale, por edhe thellësisht qytetare.
Seanca solemne nisi me intonimin e himnit të Mali i Zi dhe himnit kombëtar shqiptar, duke reflektuar qartë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë që e karakterizon Ulqinin. Në sallë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe lokale, këshilltarë, përfaqësues të jetës publike, si dhe qytetarë të shumtë.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetarja e Kuvendit të Komunës, Ivana Popoviq, e cila në një fjalim të gjatë dhe përmbajtësor u ndal te rëndësia historike dhe simbolike e kësaj dite.
Ajo theksoi se kjo datë nuk është vetëm një moment festimi, por edhe një reflektim mbi rrugëtimin e qytetit ndër vite.
“Sot shënojmë një datë të rëndësishme. Sot konfirmojmë vazhdimësinë e një qyteti që është shumë më tepër se një simbol – një qytet që përfaqëson historinë, identitetin dhe vlerat e trashëguara ndër breza. Ulqini nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por është identitet, histori dhe rrënjë të thella që na lidhin të gjithëve”, u shpreh ajo.
Në vijim të fjalimit të saj, Popoviq solli edhe një dimension personal.
“Këtu janë hapat e mi të parë, kujtimet e mia dhe njerëzit e mi. Prandaj këtë funksion nuk e shoh si privilegj, por si përgjegjësi ndaj të gjithë qytetarëve të Ulqinit. Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e madhe duke qenë femra e parë në krye të këtij institucioni. Për mua ky nuk është vetëm një nder personal, por një mesazh i qartë se shoqëria jonë po ecën drejt barazisë dhe respektit të ndërsjellë”, theksoi kryetarja e Kuvendit të Komunës së Ulqinit.
Ajo vuri theks të veçantë edhe tek uniteti dhe bashkëjetesa shumetnike, si një nga vlerat themelore të qytetit.
“Në këtë qytet nuk ka më të rëndësishëm dhe më pak të rëndësishëm – të gjithë jemi pjesë e barabartë e Ulqinit dhe të gjithë e shqiptojmë me krenari emrin e tij. Bashkimi ynë është forcë, por edhe përgjegjësi. Do të thotë të jemi pranë njëri-tjetrit, të respektojmë dhe të ruajmë atë që na lidh”, u shpreh Popoviq.
Në përmbyllje të fjalës së saj, ajo theksoi rëndësinë e përgjegjësisë institucionale dhe vendimmarrjes së drejtë.
“Sot kemi për detyrë të jemi të përgjegjshëm në vendimmarrje, të drejtë në veprime dhe të përkushtuar ndaj interesit të përbashkët. Stabiliteti dhe zhvillimi nuk vijnë rastësisht – ato janë rezultat i punës së vazhdueshme dhe vizionit të qartë”, theksoi Popoviq.
Pas saj, fjalën e mori kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili paraqiti një analizë të detajuar të zhvillimeve gjatë vitit të kaluar dhe objektivat për periudhën në vijim.
“Vitin e kaluar jemi përballur me sfida, por kemi qenë të bashkuar. Kemi dalë së bashku për të mbrojtur atë që na takon – të drejtën që në tokat tona të ndërtojmë të ardhmen për fëmijët tanë. Edhe kur kemi qenë të detyruar të heqim dorë nga festimet, nuk e kemi humbur shpresën, përkundrazi kemi fituar më shumë besim në njëri-tjetrin”, theksoi ai.
Në vijim, Nimanbegu u ndal tek arritjet konkrete në aspektin financiar dhe zhvillimor.
“Buxheti i realizuar i ka tejkaluar 18.3 milionë euro, ndërsa për këtë vit kemi planifikuar një buxhet mbi 23 milionë euro – një buxhet rekord që do të shërbejë drejtpërdrejt për zhvillimin e qytetit. Pavarësisht sfidave nga niveli qendror, kemi arritur të ndërtojmë një qeverisje të përgjegjshme dhe transparente”, ka thënë ai.
Nimanbegu foli gjerësisht edhe për investimet infrastrukturore dhe projektet konkrete.
“Kemi realizuar një sërë projektesh të rëndësishme – përmirësimin e rrugëve në zonat urbane dhe rurale, investime në ujësjellës dhe kanalizime, si dhe ndërtimin dhe rregullimin e hapësirave publike. Janë investuar mbi 800 mijë euro vetëm në hapësira publike, duke përfshirë parkun kryesor të qytetit”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Ulqinit.
Ai e ka cilësuar si një ndër arritjet më të rëndësishme marrëveshjen për menaxhimin e Kripores së Ulqinit – një simbol të rëndësishëm të qytetit tonë.
“Po ashtu, është e qartë se pa zhvillimin e sektorit detar nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm për Ulqinin. Synimi ynë është të krijojmë kushte që Ulqini të rikthehet si një qendër e rëndësishme detare në rajon”, ka thënë Nimanbegu.
Në fund të fjalimit të tij, ai ndau një mesazh të drejtpërdrejtë për qytetarët.
“Ulqini është më shumë se një qytet – është shtëpia jonë e përbashkët. E ardhmja e tij varet nga ne – nga puna jonë, nga uniteti ynë dhe nga besimi ynë në vlerat që ndajmë. Ulqini meriton më shumë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë qëllim”, ka porositur Nimanbegu.
Në vijim të seancës u bë e ditur se me rastin e kësaj dite Komuna e Ulqinit ka pranuar mesazhe urimi nga presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq, kryeministri Millojko Spajiq dhe kryetari i Kuvendit të Malit të Zi Andrija Mandiq, të cilët në mesazhet e tyre përgëzuan qytetarët e Ulqinit dhe vlerësuan kontributin e qytetit në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.
Në përmbyllje, ceremonia u pasurua me një program artistik të realizuar nga nxënësit e shkollës fillore të muzikës dhe baletit në Ulqin, si dhe kori i gjimnazit publik “Vëllazërim-Bashkim”, të cilët me interpretimet e tyre i dhanë një dimension të veçantë emocional dhe kulturor kësaj dite.
D. Teliqi
Mirënjohje për disa individë dhe shoqata
Një nga momentet më të veçanta dhe domethënëse të ceremonisë solemne ishte ndarja e mirënjohjeve për individë dhe organizata që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në jetën shoqërore, kulturore dhe institucionale të qytetit të Ulqinit. Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” u nderua me një mirënjohje speciale për rolin e saj të vazhdueshëm në ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe artit në komunitet. Në motivacion thuhet se kjo organizatë “ka shërbyer si vatër e kulturës në komunën e Ulqinit për dekada të tëra, duke ruajtur dhe kultivuar vlerat artistike dhe identitetin kulturor”.
Mirënjohje të veçanta iu ndanë edhe individëve që kanë kontribuuar me punën, talentin dhe angazhimin e tyre në fusha të ndryshme. Shkrimtari Hajro Ulqinaku u vlerësua për përkushtimin e tij në ruajtjen e letërsisë lokale dhe promovimin e kulturës së Ulqinit përmes veprave të tij, të cilat pasqyrojnë identitetin dhe historinë e qytetit. Gazetari, publicisti dhe dramaturgu Ali Llunji mori mirënjohjen për rolin e tij në informimin dhe edukimin e publikut, si dhe për përpjekjet e vazhdueshme për të pasuruar jetën kulturore dhe intelektuale të komunitetit.
Pas vdekjes, një mirënjohje e veçantë iu nda koreografit të njohur Kabil Mehmeti, për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e artit të vallëzimit dhe për trashëgiminë kulturore që la pas, duke qenë një model frymëzimi për brezat e ardhshëm të artistëve.
Një vlerësim i veçantë iu dha gjithashtu doktorit Bahri Ceka, i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për përkushtimin e tij profesional në fushën e mjekësisë, si dhe për lidhjen e vazhdueshme me vendlindjen dhe komunitetin e Ulqinit, duke kontribuuar në promovimin e emrit të qytetit në arenën ndërkombëtare.
