
Mund të kujtojmë disa prej tyre. Avicena ( Ibn Sina) i lashtësisë arabe ishte mjek i shquar, por u bë proverbial me sentencat e tij filozofike dhe letrare. Edhe francezi Jul Verne ishte mjek, por në letërsinë botërore u njoh dhe njihet si romansieri fantastik, ndër më të shquarit e të gjitha kohërave. Mjekë nga profesioni kanë qenë edhe shkrimtarët e mëdhenj rusë, Ivan Turgenjev dhe Anton Çehov.
Edhe në letërsinë shqipe njihen shkrimtarë që si profesion kanë pasur mjekësinë. Përmendim prozatorin Mirash Markaj, dramaturgun Zisa Cikuli, romancierin Dhimitër Xhuvani etj,
Po bën emër në letërsi mjeku dhe njeriu i mirë, ulqinaku e shqiptari i thekur, Gani Karamanaga. Vitet e fundit shpërtheu me disa vëllime, ku, ndër më të përmendurit është libri me proza “Rrënjët” që pati dhe vazhdon të ketë jehonë. Libri i fundit që boton dhe për të cilin po flasim është edhe më interesant. Titulli i librit është “Në derë të oborrit “.
Çdo krijues i përket kohës dhe hapësirës ku jeton. Dhe i qëndron kohës si krijues nëse zbaton këtë sentencë filozofike. Balzaku i madh duke bërë të famshëm Parisin e tij, u bë i famshëm edhe vetë. Sot thuhet se : “Ai që nuk ka qenë ndonjëherë në Paris, mjafton të lexojë Balzakun dhe do ta shëtisë Parisin në çdo rrugë e rrugicë të tij.”
Kur lexova librin “Në derë të oborrit “ edhe unë thashë: Ai që nuk ka qenë ndonjëherë në Ulqin dhe nuk e ka vizituar Kalanë historike dhe piktoreske të Ulqinit, të lexojë librin e Gani Karamanagës dhe ky do të marrë në dorë, do ta shëtisë me pëllëmbë këtë kala, me sokaqet e gurta, me tabelat, me emrat e familjeve që banojnë aty, me torën, me frëngjitë, por gjithashtu do t’i tregojë edhe historinë e kësaj kalaje. Do t’i njohë me burrat edhe gratë e shquara ndër kohëra si kanë çelur dhe mbyllur sytë në këtë kala. Sepse, ky libër është një guidë e vërtetë turistike dhe letrare e Kalasë së Ulqinit.
Autori, duke qenë vetë i lindur dhe banues në këtë kala, në këtë libër sikur dëshiron të zbatojë një thënie biblike , por edhe Kuranore:
“ Ai që nuk di se nga ka ardhur, ai nuk di as ku do të shkojë.”
Pra, Gani Karamanaga, mjeku dhe shkrimtari , doktori i shpirtit dhe i trupit të njeriut, me këtë libër lan një borxh ndaj vendlindjes së tij. E shlyen me mall e pasion si shkrimtar, por edhe me kujdesin e një mjeku të përkorë , që profesioni e ka mësuar të mos lerë pa analizuar dhe shqyrtuar asnjë detaj. Ai, doktori i vështron detajet më llupë, ndaj edhe Kalaja sikur i dorëzohet e tëra dhe i thotë:
“Doktor, jam në dorën tënde, Ti bëj ç’të duash me mua…”
Ndaj, autori pasi e zbërthen Kalanë, gjeografikisht, etnografisht, folklorikisht dhe administrativisht , nuk harron të futet edhe në guackat historike të Kalasë dhe si një detyrim kombësie , aty nga fundi i librit shkruan tekstin e Hymnit Kombëtar të Shqipërisë, e kjo ka shumë rëndësi. Ulqini është shqiptar! Ulqini ka folur dhe do flasë gjithmonë shqip…vetëm shqip…
Diku nga fundi i librit autori thotë se që kur ishte i vogël babai i tij i thoshte:
“ O bir, në jetë ec gjithmonë përpara, se ajo është rruga më e drejtë!”
Gani Karamanaga po e zbaton me sukses porosinë e babait.
Ai po marshon përpara në rrugën e tij të drejtë. Edhe si mjek. Edhe si shkrimtar!
Për këtë meriton urime.
Vetëm urime!
