
Ulliri përmendet në të dy librat e shenjtë, në Bibël dhe në Kur’an. Në kohën e përmbytjes në Arkën e Hazreti Nuhit (Noas), degën e ullirit e ka sjellë në sqep pëllumbi. Sipas mitologjisë greke përmendet përmes konfliktit të Posejdonit dhe Athinës se kush do t’i sillte Atikasve gjënë më të dobishme. Posejdoni krijon një burim uji, kurse Athina mbolli ullirin e parë në Akropol dhe kjo e bëri fituese, sepse banorët konsideruan më të dobishëm ullirin. Gjithashtu Hipokrati, babai i mjekësisë, rekomandon vajin e ullirit si ilaç për 60 sëmundje të ndryshme.
Ullinjtë më të vjetër në botë janë: 1) Ullinjtë motra të Noas, Liban, 4000-6000; 2) Vouves Olive Tree, Greqi, Kretë, 3000-5000 vjet; 3) Al-Badawi ulliri në një fshat në jug të Jerusalemit, 4000 vjet; pastaj vjen ai i Tivarit mbi 2240 vjeç; dhe kohëve të fundit sipas një studimi të bërë në vitin 2015 nga ana e Universitetit të Pylltarisë nga Stambolli ku marrin pesëdhjetë kampione nga trungjet e vjetra të ullinjve (25 në Ulqin dhe 25 në Tivar), vijnë në përfundim se në Ulqin identifikojmë dy ullinjë shumë të vjetër, njëri që shkon 1457-2326 vjeç e që ndodhet në Valdanos, si dhe një tjetër në Krruç që mosha i shkon 1593-2035 vjeç. Pra, ullishta e Ulqinit qenka shumë e vjetër.
Duke u nisur nga fakti se ullishta e Ulqinit (80.000 rrënjë) dhe e Tivarit (120.000 rrënjë) janë pothuaj të njëjta edhe për nga lloji i ullinjve, por edhe për nga mosha, dhe duke i takuar një zone të njëjtë, lehtë vijmë në përfundim se këta ullinjë nuk i ka mbjellë askush tjetër përpos banorëve lokal e ata janë ilirët e Ulqinit dhe Tivarit. Pra, ulliri i Tivarit 2240 vjep dhe i Valdanosit në Ulqin 1892 vjeç, përfundimi është shumë i thjeshtë: kultivues të këtyre ullinjve janë ILIRËT vendas. Ullishta e Ulqinit shtrihet mes Malit të Bardhë, Mavrianit dhe detit e në drejtim të Valdanosit dhe Kroit të Zanave. Ilirët ulqinakë këta ullinjë mesiguri i kanë sjellë nga lundrimet e tyre të shumta nëpër brigjet e Mesdheut dhe ato i kanë mbjellur së pari në Gjirin e Valdanosit, i cili ishte edhe porti natyror i Ulqinit, e pastaj edhe në Krruç ku edhe hasim dy ullinjtë më të vjetër në Ulqin. Këta ullinj janë mbjellur sipas rregullave dhe kanë formuar bylyqe (grumbuj ullinjësh) e që paraqesin një numër të rrënjëve që i kanë takuar një pronari. Sa më shumë bylyqe të kishte një pronar aq më konak (pasanik) ishte. Sipas madhësisë, ullinjtë karakteristikë të Ulqinit janë Kazani, përbëhet prej 3 e më shumë trungjesh, Fishkulli, këta rriten shumë por nuk kanë shumë fryte, dhe Shatorra janë ullinjë shumë të bukur dhe rriten deri 5m lartësi. Kurse sipas varieteteve më i përhapuri është Ulliri i verdhë (Olea Eurepaea), italian, vlonjat, frankë, ullastra dhe të egjër. Kazanat si ullinjtë më të vjetër në Ulqin siç e thamë i mbollën ilirët, por duhet theksuar se edhe çdo pushtues tjetër i këtyre trevave si romakët, venedikasit por edhe osmanët, sollën llojet e ndryshme të ullinjëve të cilët u treguan shumë të suksesshëm pasi që klima është shumë e përshtatshme. Sipas traditës gojore ulqinake qarkullon një rregull që çdo djalë i ri para se të martohej ishte i obliguar të mbillte një bylyk me ullinjë dhe mbjellja kryesisht bëhej gjatë vjeshtës ose në fillim të pranverës duke pasur kujdes që hëna të ishte e plotë, jo e re.
Sipas studimit të Dr.Bahri Briskut nga viti 1972, ku tregon se pas vitit 1945 një rrënjë ulliri ka pasur vlerën 1 napolon ari, kurse kazani 2. Më 1972 një rrënjë ulliri vlente 600-800 dinarë, ndërsa sot ullishta ka filluar të shitet me m2. Sipas Entit Statistikor të Malit të Zi, në vitin 1965 Ulqini kishte 94.835 rrënjë ullinj, kurse në vitin 2004, 86.000 sosh.
Dikur ullishta mblidhej me mbledhtarë të cilët kryesisht ishin vajza të reja para martese, por edhe femra të shtresave më të varfëra. Ato gjatë ditës mundnin të mbledhnin deri në 100 kg ullinj dhe këtë kryesisht e bënin duke mbushur kaçile (shporta) që zënin 2-5 kg. Në kushte normale një trug ulli mund të prodhojë 200 kg ullinj, kurse kazani 400. Mbledhja e ullinjëve kalonte mes shakave, hokave dhe këngëve të mbledhtareve.
Hajde, hajde, more, Hashim aga
Na bjer tirit ere ceraga,
Si dygeç rri përditë,
Ferrat në sofa pa shkallit…
Mënyra më e vjetër e përfitimit të vajit të ullirit është ajo me thes, ku pasi që mbushet thesi, ai vendoset mbi magje dhe shkelet me këmbë. Vaji i përfituar në këtë mënyrë është vaj shumë i shijshëm, sepse nuk ka mundësi që ullinjtë të shtrydhen shumë dhe eventualisht të shtohet aciditeti nga shtrydhja. Deri më 1914 në Ulqin kanë funksionuar shumë mullinjë primitivë për bluarjen e ullinjëve, dhe kryesisht kanë qenë në Mëhallë të Re, mirëpo kronistët na sjellin të dhëna se edhe në Kalanë e Ulqinit janë evidentuar rrënojat e tre mullinjëve. Këta mullinjë fillimisht ndërtoheshin nëpër ahrinje të shtëpive ose nëpër hajate dhe vetëm më vonë ndërtohen si objekte të veçanta.
Mullirin e parë me tre gurë e montoi detari ulqinak Fazli Lazoja i cili në vitin 1906 nga Italia në Ulqin solli tri presa të vogla dhe dy të mëdha. Gurët e këtij mulliri vëhen në lëvizje me anën e kuajve. Pas vitit 1920, ulqinakët sollën nga Dalmacia dhe Italia mullinjë modern të kohës, kështu që deri në fillim të vitit 1945 në Ulqin evidentoheshin 15 mullinj të tillë. Por, ai që mund të quhet mulliri i parë modern u ndërtua në vitin 1942 nga ana e pasanikut të kohës Anton Pogu. Ai ndërtoi fabrikën e parë moderne me tre gurë dhe tri presa të cilat vëhen në punë me ndihmën e motorëve. Mulliri për bluarjen e ullinjve përbëhet nga: mulliri, mandravida dhe manavela. Pjesa kryesore është mashtra dhe paraqet pjesën ku vendosen ullinjtë nëpër të cilën kalojnë gurët për bluarjen. Një mashtër mbushet me 200 kg ullinj dhe kjo quhet një gurë, kurse bluarja zgjatë një orë. Gjatë bluarjes del edhe vaji më i mirë i quajtur vaj magje i cili është një eliksir i vërtetë. Në mashtër ullinjtë hidhen me bagazhe (enë druri 20 kg) kurse nga mashtra për në shporta, brumi i fituar qitet me babune (enë druri 10 kg). Pastaj përmes presave, brumi i ullirit futet në shporta dhe me anë të presave shtrydhen ende. Pjesa e mbetur nga shtrydhja quhet bërsi, dhe para vitit 1945 këtë bërsi vinin dhe e blinin tregtarë nga Italia të cilët i futnin në presat e tyre më të forta dhe fitonin ende vaj por që ishte i cilësisë më të dobët.
Vaji i fituar ruhej nëpër qypa dheu apo rezervoarë guri, ku vaji rrinte për një kohë të gjatë i freskët dhe ruante cilësitë e veta. Nga vaji më i keq bëhet punimi i sapunit me të cilin ulqinakët edhe sot ende e përdorin. Për përgatitjen e sapunit po sjellim recetën: në kazan për zierje qiten 5 kg vaj ulliri ose baltë, 1 kg sodë kaustike dhe 10 litra ujë.
Në të shkuarën, rrugët që kalonin nëpër ullishtë kanë qenë të gjitha të kalldramuara dhe në distanca respektive ekzistonin kroje të ndryshëm të cilët ulqinakët e pasur i kishin ndërtuar si e mirë publike dhe quheshin vakyfe. Kështu edhe sot i gjejmë këto kroje në ullishtën e Ulqinit: Kroi i Doçes, i Thatë, i Mustafajt, i Begut, i Vakfit, i Bashbylykut, i Çinarit, i Buçilit, i Detarëve, i Zanave. Disa toponime nga ullishta: Ullishta e Ali Shahit, Bishti i Malit, Qafa, Lugu i Xhemiles, Faqja e Shullanit etj. Mullisit e parë deri në vitin 1945: Nuti i Adem Manit, Hysnia i Myrtezajt, Caf Mavriqi, Meti i Muharremit, Alo Kasmi, Duli i Haxhimollës, Latif Haxhibrahimi, Halil Milla, Janus Milla, Dalip Myrtoja, Nuro Kollari etj. Kurse sot kemi disa sish ultramodern të cilët prodhojnë vajin më cilësor extra virgin oil. Këta mullinj i kanë: Skënder Katana, Ruzhdi Kollari, Adnan Kollari, Omer Dragovoja, Fatmir Sadiku, Skender Kollari etj. Dikur për ruajtjen e ullishtës ka qenë i caktuar një njeri i quajtur karrxhi. Detyra e tij ka qenë që të njoftojë pronarët e ullishtave nëse dikush ka hyrë në ullishtën e tij, dhe nëse i ka shkaktuar ndonjë dëm. Pronarët e ullishtave njoftonin karrxhinë nëse e kanë dhënë me qera ose kanë angazhuar krastitësin. Në fund të sezonit të ullishtës ka qenë e përcaktuar sasia e vajit që duhej ndarë për karrxhinë. Kësisoji ullishta është ditë pëllëmbë më pëllëmbë e kujt është, dhe nuk ka pasur nevojë për t’u rrethuar dhe shumë rrallë ka ndodhur që të vjedhë dikush ullinjë.
Nga kjo që thamë më lart, shohim se ullishta për ulqinakët ka qenë shumë e rëndësishme dhe ka përfaqësuar një varg të gjërë veprimtarish që nga mbjellja, kujdesi e deri te vjelja e prodhimit. Me ullishtë është jetuar mirë deri më shfaqjen e turizmit si veprimtari më e lehtë dhe më fitimprurëse. Sot ulqinakët ende kujdesen për ullishtën, por jo në mënyrën siç e meriton ajo. Konkludojmë se ullishta e Ulqinit është shumë e vjetër dhe se mosha e vjetërsisë sillet prej 2200 deri në disa vite, sepse për çdo ditë mbillen rrënjë të reja, por ndodhë që edhe të shkatërrohen nga ndërtimi i egër që ka filluar. Ilirët ishin ata që i mbollën dhe ne jemi pasardhësit që mbledhim frytet e stërgjyshërve tanë. Apeloj që në mënyrë urgjente Komuna e Ulqinit të ndërmarrë hapa sa më parë në drejtim të mbrojtjes së dy ullinjëve më të vjetër të identifikuar.
