Histori frymëzuese për vajzat e reja

Gjashtë aktivistet kanë dhënë mesazhet e tyre për vajzat e reja. Ato kanë thënë se nuk kanë dashur të promovojnë vetveten, por përmes biografive dhe aktivizmit të tyre kanë dashur të përçojnë mesazhin, posaçërisht te vajzat e reja në Ulqin, që t’i ndjekin ëndrrat e tyre

Ulqin – Gjashtë aktiviste nga Ulqini, të njohura për veprimtarinë e tyre në fusha të ndryshme shoqërore, kanë qenë pjesë e takimit “Nata e aktivizmit të grave”, të organizuar nga Organizata Joqeveritare “Punta Institute”.
Takimi është konceptuar në formën e bashkëbisedimit me femrat aktiviste, ku fillimisht është lexuar biografia e tyre dhe më pas janë përgjigjur në pyetjet.
Në bashkëbisedim me udhëheqësen e takimit, Arlinda Osmanoviq, përmes përvojës së jetës dhe punës së tyre, ato kanë treguar se si kanë arritur të ballafaqohen me sfidat e ndryshme duke arritur sukses në fushat ku veprojnë, si dhe kanë dhënë mesazhe për vajzat e reja.
Udheheqësja e takimit, Arlinda Osmanoviq, ka thënë se “barazia gjinore në Ulqin mbetet temë e padiskutuar mjaftueshëm dhe absolutisht fenomen që ndikon në jetën profesionale të femrave në Ulqin”.
Gazetarja dhe drejtoresha e SOS Telefonit për Femra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës në Ulqin, Hatixhe Nelaj, ka folur për përvojën e saj si gazetare në Ulqin, për ndryshimet në perceptimin e femrës si gazetare para 25 vitesh kur ajo e ka filluar karrierën dhe sot.
“Ndoshta dikujt, kur e sheh në ekran i duket një punë e lehtë, por është një punë shumë me përgjegjësi, me stres. Unë them për vete, sa më tepër që më kanë kaluar vjetët, sa më tepër që kam ardhur në moshë, unë e kam marrë çdo emision me përgjegjësi shumë më të madhe duke e ditur rëndësinë, peshën e fjalës, e cila ec dhe nuk mund të zhduket, të shlyhet”, ka thënë ajo.
Ajo ka veçuar emisionin “Portreti” si diçka që ka lënë më tepër gjurmë në karrierën e saj në televizion.
“Edhe ditën që e kam lënë televizionin, që kam dhënë dorëheqje, pika ime e dobët ka qenë ajo që unë e kam ndërprerë atë emision”, ka theksuar Nelaj, duke shtuar se këtë emision e ka punuar me pasion shumë të madh, duke mos përtuar të shkojë cep më cep, jo vetëm në Ulqin, Anë të Malit e Krajë, por edhe në Malësi, Shkodër, Tiranë, Kosovë etj.
Mësuesja Jasmina Hasa ka thënë se kënaqësia më e madhe për të është kur sheh që nxënësit e saj kanë arritur të jenë të suksesshëm.
“Kjo është përmbushja më e madhe e një njeriu që merret me arsim. Të jesh mësuese është diçka shumë bujare”, ka thënë ajo.
Sipas saj, jo vetëm arsimi për të cilin thuhet se është një profesion shumë i bukur për gruan, por çdo profesion që zgjedh një grua dhe të cilit i përkushtohet me gjithë qenien e saj është i bukur dhe mund t’i japë kënaqësi. Megjithatë, për të, profesioni i mësueses të jep mundësinë e afërsisë me fëmijët e vegjël dhe është një profesion që ka vetëm pozitivitet.
Ardita Rama, profesoreshë e gjuhës gjermane, udhëheqëse e Bibliotekës së Qytetit – Ulqin dhe mjeshtre e karatesë ka folur për karrierën e saj sportive dhe si bibliotekare.
“Më vjen shumë mirë që si e para femër shqiptare kam trasuar rrugën në këtë sport luftarak, i cili për ato kohë ka qenë shumë e çuditshme të merret një femër, ndërsa sot është shumë normale. Kësaj rruge po ecin me qindra vajza të komunës sonë”, është shprehur ajo, duke nënvizuar se para dyzet vitesh kur ka filluar ajo të merret me karate nuk ka qenë e lehtë.
Ndërsa për përvojën si bibliotekare, Rama ka thënë se “ashtu si profesioni i mësuesisë që është një profesion shumë human që punon me fëmijë, ashtu edhe profesioni ynë si bibliotekar, si librar, është shumë me rëndësi sepse fëmijët kur vijnë, kur flasin për librat, është shumë me rëndësi që të nxisim tek ata dashurinë për librin”.
Aktivistja e sektorit civil dhe profesoresha e gjuhës angleze, Vjollca Lika – Çobaj, ka thënë se femra në njëfarë mënyre e ka gjetur vetveten në sektorin civil.
“Po të nisem nga ajo se sa femra çmohet në sektorin civil, në përgjithësi është fusha ku është më se e çmuar. Dhe për këtë e tregon fakti se shumica prej nesh këtu janë edhe aktiviste në shoqërinë civile, që do të thotë se shoqëria civile në një masë të madhe e ka njohur kapacitetin e femrës edhe në nivel nacional”, ka theksuar ajo.
Duke bërë një paralelizëm me fushën e politikës, ajo ka thënë se partitë politike në shumicën e rasteve nuk e njohin kapacitetin e gruas, por megjithatë gratë i karakterizon ajo se nuk heqin dorë, insistojnë vazhdimisht.
Psikologia dhe teologia Suela Dibra – Kaca, drejtoreshë e Mektebit parashkollor dhe aktiviste e sektorit joqeveritar, e ka cilësuar të veçantë historinë e saj, duke qenë se ngërthen përvojat si profesioniste dhe aktiviste në tri shtete: Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi.
Ajo ka thënë se ka qenë ndër pionieret e punës me fëmijë me pengesa në zhvillim në Ulqin, në kohën kur pak njihej puna, roli dhe pozita e psikologut në këtë drejtim.
Dibra – Kaca ka thënë se ka një periudhë 10-vjeçare pune dhe drejtimi në Mektebin parashkollor, institucion që gjatë kësaj periudhe është rritur, ka dhënë frytet dhe rezultatet e veta.
“Për të pasur sukses në çfarëdolloj fushe, jo vetëm që duhet të kesh ëndrra, që duhet të kesh shumë punë në këtë drejtim, por duhet të kesh edhe një grup të mirë mbështetës, që ndajnë vizionin tënd, besojnë në atë vizion dhe që janë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe të çojnë përpara ide të mira në shërbim të komunitetit”, ka thënë ajo.
Gazetarja Suzana Ganiq ka thënë se në punën e saj nuk ka pengesa.
“Në gazetari çdo gjë është e lehtë kur e do, si në çdo punë. Dhe gazetaria është punë për të cilën jetohet, jo punohet. Dhe jam e lumtur që e punoj. Që është punë me stres është, por stresuese është çdo punë tjetër”, është shprehur ajo.
Gjashtë aktivistet kanë dhënë edhe mesazhet e tyre për vajzat e reja. Ato kanë thënë se në këtë mbrëmje nuk kanë dashur të promovojnë vetveten, por përmes biografive dhe aktivizmit të tyre kanë dashur të përçojnë mesazhin, posaçërisht te vajzat e reja në Ulqin, që t’i ndjekin ëndrrat e tyre.
Takimi “Nata e aktivizmit të grave” është mbajtur të hënën mbrëma (4 mars 2024) në Bibliotekën e Qytetit – Ulqin, kurse pas takimit në Galerinë e Qendrës së Kulturës është shfaqur ekspozita me fotografi që dëshmojnë aktivizmin e femrave.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat