Në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin, të shtunën mbrëma u hap ekspozita fotografike “Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare” dhe u përuruan librat “Shtigjet e përgjakura” i autorit Ali Daci dhe “Aqif Blyta, kolosi i Pazarit të Ri” i autorit Ismet Azizi.
Ky aktivitet është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi në bashkëpunim me Shoqatën “Kosova për Sanxhakun”.
Kryetari i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Ismet Azizi, ka treguar se kanë arritur të grumbullojnë mbi 300 fotografi që tregojnë për të kaluarën e Sanxhakut, kryesisht nga arkivat familjare, dhe se në ekspozitë janë paraqitur vetëm një pjesë e tyre.
“Institucionet sidomos ngurrojnë të na ofrojnë bashkëpunim, por megjithatë ka njerëz të cilët nuk e fshehin prejardhjen e tyre dhe na i ofrojnë fotografitë”, ka thënë ai.
Fotografitë e ekspozuara i përkasin kryesisht kohës së Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët kanë udhëhequr Pazarin e Ri (Novi Pazarin)
Ekspozita, një sagë e veçantë epike
Piktori dhe kritiku i artit, Qazim Muja, ka thënë se ekspozita “Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare”, në rend të parë, është një sagë e veçantë epike.
“Duke e ditur se deshifrimi i serive të ndërlikuara të ngjarjeve shoqërore në përgjithësi, dhe të atyre kombëtare në veçanti, autori Azizi ofron si metodë dhe qasje të veçantë për leximin e historisë, pikërisht fotografinë ose koleksionin e fotografive që mund të përdoren për të lidhur pjesët e ndara brenda një enigme të madhe, në rastin konkret në enigmën e rrudhjes së trojeve shqiptare, asimilimin e shqiptarëve, por dhe zhdukjen e tyre, jo vetëm të Sanxhakut, por në tërësi rreth e përqark Arbërisë, nga dhuna e paparë e pushteteve të ndryshme hegjemoniste”, ka theksuar ai në vështrimin e tij.
Sipas Mujës, “kjo imazh-bërje si koleksion i veçantë, synon të kronikojë ngjarjet dhe mjediset shqiptare të tjetërsuara për të treguar një histori dhe njëkohësisht për të dërguar një mesazh nëpërmjet rrëfimit të tyre të fuqishëm dhe ndikimit vizual në situata reale socio-politike të një momenti të caktuar”.
Ai ka thënë se ky thesar fotografik “përfaqëson një trashëgimi të rëndësishme që na tregon për të kaluarën dhe ka vlerën e vet dokumentare, historike, por edhe artistike”.
“Shtigjet e përgjakura”, libër që dokumenton krimet ndaj refugjatëve nga Kosova
Autori Ali Daci ka thënë se librin “Shtigjet e përgjakura” e ka shkruar menjëherë pas përfundimit të luftës së Kosovës, duke u munduar që të përmbledhë në të fakte, argumente, deklarata të dëshmitarëve okularë dhe të pushtetarëve të asaj kohe.
“E kam punuar dalëngadalë, pa u ngutur, sepse në një formë ka qenë ndjesia shumë e madhe e personave të cilët i kanë humbur më të dashurit e tyre. Prandaj e kam pasur pak të vështirë që të depërtoj deri te familjarët që të kërkoj edhe ndonjë fotografi, edhe ndonjë dëshmi, edhe ndonjë biografi për njerëzit që ata kanë humbur”, ka thënë ai.
Daci ka thënë se libri mban titullin “Shtigjet e përgjakura” për shkak se kosovarët i kishin larë me gjak rrugët duke ikur nga falangat serbe.
Në libër pasqyrohet vrasja e 21 të ikurve të pafajshëm nga lufta në Kosovë, gjashtë prej të cilëve u vranë në Husaj.
Autori i librit ka thënë se megjithëse ky krim ndodhi dhe u pa nga pushtetarët e asaj kohe, fajtorët nuk u dënuan kurrë, përkundër kallëzimit penal dhe ngritjes së aktpadisë ndaj pjesëtarëve të të ashtuquajturit Batalioni i Shtatë.
Monografi për një personalitet dhe mjedis të veçantë
Për librin “Aqif Blyta, kolosi i Pazarit të Ri” të autorit Ismet Azizi, i botuar në vitin 2019, ka folur studiuesi dr. Nail Draga.
Ai ka thënë se autori, falë punës dhe angazhimit disavjeçar, na ka dhuruar një libër me vlera shumëdimensionale për të kaluarën e Sanxhakut, por njëkohësisht edhe për ditët tona.
“Kemi të bëjmë me libër monografik për një mjedis të veçantë dhe i panjohur sa duhet nga opinioni i gjerë, që përfshin kryesisht periudhën nga fillimi i shekullit XX deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Draga.
Ai ka theksuar se libri ndahet në disa kapituj, duke ofruar fillimisht të dhëna për regjionin e Sanxhakut, e vazhduar më pas me personalitetin e Aqif Blytës, në lidhje me jetën dhe veprimtarinë e tij, shkollimin, veprimtarinë e tij në Izmir në Turqi, kthimin në vendlindje dhe përfshirjen e tij në politikë, rolin e tij në themelimin e organizatës Xhemieti (Bashkimi), aktivitetin e tij parlamentar dhe pas shuarjes së Xhemietit, përkatësisht okupimit të Sanxhakut dhe Kosovës në Luftën e Dytë Botërore, ndarjen e tyre në zona okupimi, organizimin e pushtetit për mbrojtjen e Sanxhakut nga sulmet e çetnikëve, pastaj veprimtarinë e tij në Lidhjen e Dytë të Prizrenit, si dhe më pas në Organizatën Nacionaldemokratike Shqiptare dhe së fundi, hyrjen e komunistëve dhe vendosjen e pushtetit të tyre në Pazar të Ri, si dhe ekzekutimin e tij në janar të vitit 1945.
“Nuk ka dilemë se Aqif Blyta ishte intelektual me vlera të mëdha politike e diplomatike, në shërbim të popullit dhe çështjes kombëtare, duke mbetur simbol i Pazarit të Ri nga pushtimi i çetnikëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë aspekt, ai ka pasur ndihmën vëllazërore të kosovarëve, me në krye Shaban Polluzhën dhe bashkëluftëtarët e tij, duke dëshmuar organizim dhe sakrificë në mbrojtje të kauzës kombëtare”, ka thënë studiuesi Draga.
Përkushtimi ndaj problemit të Sanxhakut
Kryetari i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Ismet Azizi, ka treguar se kjo shoqatë kulturore është themeluar shtatë vite më parë dhe se me një përkushtim të madh i është qasur problemit të Sanxhakut, duke punuar në varësi të mundësive dhe përkrahjes.
Ai ka thënë se në fillim ka qenë shumë e vështirë, por që ata kanë qenë këmbëngulës duke arritur t’i bindin institucionet dhe veprimtarët e ndryshëm nëpër botë, nga të cilët tani nuk mungon përkrahja.
“Nuk mungon as përkrahja e institucioneve tona. Së fundmi kemi fituar një projekt të historisë gojore dhe kemi filluar punën, duke realizuar intervista nëpër vise të ndryshme të Sanxhakut. Kemi qenë në Bihor, ku jemi fascinuar me të kaluarën e Bihorit. Sepse ne për Bihorin kemi ditur vetëm si vend i shkatërrimit dhe i gjenocidit serbo-malazez ndaj kësaj popullate, por ne pamë aty shumëçka, morëm prej tyre shumë intervista dhe shumë shpejt ato do të dalin në opinion”, ka theksuar Azizi.
Kryetari i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun” ka treguar se në të ardhmen planifikojnë botimin e një libri të ilustruar me fotografi dhe fjalë, ku do të përmblidhen të gjitha fotografitë që i kanë për Sanxhakun.
i. k.
