“Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë” na ka mbledhur sot këtu tek Ubla e Krajës për të bërë përurimin, disi ndryshe nga përurimet e zakonshme të veprave letrare e monografike që bëhen në biblioteka, librari e salla të institucioneve kulturore e artistike. Zaten ky ambient mendoj se s’ka ku të gjendet më i përshtatshëm se këtu te monumenti më i vjetër i këtij lloji në Krajë – Ubla e Krajës.
Duke pasur parasysh faktin se libri që po përurojmë sot është i kësaj natyre, mendoj se pa asnjë dyshim i shkon për shtat ambientit dhe truallit që autori në monografi e trajton ashtu siç duhet trajtuar gjithmonë, të pandashëm, ashtu siç është Kraja me veçoritë dhe karakteristikat e saj. Kjo është e padiskutueshme. Kraja dhe ublat e saj dihen tashmë që nga lashtësia janë një tregues dhe dëshmi e lashtësisë së jetës në këtë truall.
Uji si burim i jetës, këtij nënqielli i ka munguar gjithmonë. Mungesa e tij është evidente edhe sot e gjithë ditën, edhe pse jetojmë në dhjetëvjetëshin e dytë të shekullit njëzet e një! Paraardhësit tanë mungesën e këtij burimi ekzistencial të jetës e kanë zgjidhur në njëfarë mënyre me ndërtimin e ublave, të cilat kanë qenë jetike për popullatën e trevës.
Autori Xhelal Muja ka bërë një punë të madhe në grumbullimin e materialit të cilin e ka sistemuar dhe na ka tubuar që të mësojmë për shumë gjëra që mbase të gjithë nuk i kemi ditur për ublat në Krajë. “Ublat e Xhelalit” nuk janë vetëm trashëgimi kulturore dhe jetike, siç shprehet ai, por edhe trashëgimi e veçantë kulturore e historike e trevës dhe jo vetëm etj.
Gjatë leximit të librit, shikimit me vëmendje të fotografive, do të shihni se sa mjeshtër të përkryer kanë qenë ustallarët e ndërtimit të ublave të punuara me mur guri, pa material tjetër, ku vërehen qartë se disa sish (ubla) e kanë unazën e grykës të punuar vetëm nga një gur, gdhendur e latuar me daltë e çekan. Andaj unë konsideroj dhe pa asnjë dyshim them se jeta në këtë nënqiell të Rumisë asnjëherë nuk është zhvilluar nën nivelin e qytetërimit të kohës. Përkundrazi ka shkuar gjithmonë në hap me kohën. Dëshmi për këtë janë punimet artizanale në ubla, shtëpitë prej guri, rrugët kalldrëme, gurët e varrezave, shkallët e gurit, objektet e kultit etj. Këtë pa asnjë dyshim e shohim edhe në monografinë që po përurojmë, ku autori na shtron në sofrën e dijes. Na ushqen me një përgatitje cilësore të vaktit.
Më këtë rast dua të them edhe diçka. Mu këtu pranë nesh, në këtë vend, njëqind metra larg Ublës së Krajës, ndodhet edhe një ubul, e njohur si Ubla e Rexhë Markashit. Ubla në fjalë e ka marrë emrin sipas ustait që e ka ndërtuar, Rexhë Markashi. Ubla është e thellë njëmbëdhjetë metra, ku vërehet rrethi i grykës së saj, një unazë guri prej një cope.
Në cilësinë e redaktorit të librit e kam lexuar dorëshkrimin e më pas edhe librin e posa dalë nga shtypi dhe kam ardhur në përfundim se: autori ka bërë punë voluminoze, aq më tepër se ai nuk është ekspert i kësaj lëmie, por profesor matematike, por dëshira e madhe, vullneti për punë vetëmohuese për disa vjet na jep shumë shpjegime dhe sqarime për ublat dhe puset, besimet e vjetra pagane, bestytnitë lidhur me ublat etj.
Krahas tekstit me sqarime të hollësishme, në faqet e monografisë janë edhe një mori fotografish, 397 sish, të cilat autori i ka bërë vetë në terren. Ato na flasin shumë, janë të një cilësie të lartë, ashtu siç është edhe gjuha e përdorur në tekst, e pastër dhe e kapshme për secilin nivel të lexuesit.
Toponimet dhe mikrotoponimet që hasen në libër, autori i ka shënuar drejtpërsëdrejti në terren, gjë që ia shton edhe më shumë origjinalitetin dhe vlerën artistike e kulturore librit. Në të njëjtën kohë autori konsulton edhe literaturën respektive të nevojshme si dhe shumë dëshmi të gjalla gojore nga banorë rezidentë të Krajës.
Më lejoni të kujtoj sot edhe një legjendë që lidhet me mbretëreshën Helenë, e cila gjatë një udhëtimi për Tivar kishte kaluar nëpër Krajë. Moti i lig me furtunë e zë në Ljare. Vendasit e presin si më mirë, i bëjnë konak dhe ajo aty qëndroi derisa kaloi stuhia dhe moti i lig. Mikpritja e ljarjanëve i bëri përshtypje të madhe mbretëreshës Helenë dhe vendosi që të bëjë një ubël në shenjë falënderimi dhe familjes mikpritëse i jep titullin kont (viti 1290). E thashë këtë edhe një herë se Kraja është e pandashme, ashtu siç e pohon edhe autori në librin e tij.
Dhe në fund fare, në ciësinë e redaktorit konsideroj se autori Xhelal Muja ka bërë një punë kolosale me hulumtimet në terren për të na dhuruar neve jo vetëm një material të shkruar dhe me pamje nga trashëgimia jonë kulturore e historike, jo vetëm në Krajë por edhe më gjerë, por edhe një dëshmi për jetën në këto anë ndër shekuj. Libri është një arritje e madhe, një monografi që pa asnjë dyshim ia vlen ta kemi në raftet e bibliotekave tona, në bibliotekat e institucioneve kulturore, historike, arsimore e shkencore.
Në të njëjtën kohë mund të them lirisht se është edhe një arritje personale e autorit ngase deri më sot, me sa kam njohuri, askush s’e ka bërë një punë të tillë për ublat në Krajë.
(Fjala në përurimin e monografisë “Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë”, mbajtur më 11. 05. 2022 tek Ubla e Krajës – Ostros)