Viti i mediave në betejë me armikun e padukshëm

Duke u sakrifikuar në situata të ndryshme, të përballur drejtpërdrejt me këtë armik të padukshëm, gazetarët u gjendën përkrah punëtorëve shëndetësorë dhe institucioneve tjera në ndërgjegjësimin e opinionit më të gjerë dhe shpërndarjen e informacioneve në kohë reale. Me siguri, në të ardhmen kur e gjithë kjo t’i takojë të kaluarës, roli i mediave nga viti që po lëmë pas, puna e përditshme e tyre dhe kontributi i dhënë që pasojat e koronavirusit të ri të jenë sa më të vogla, do të veçohen si shembull që duhet ndjekur edhe nga gjeneratat e ardhshme. Urojmë që vitin e ardhshëm, mediat të punojnë në kushte normale dhe që pandemia globale e shkaktuar nga Covid-19, sa më parë t’i takojë të kaluarës

Dijana Dukaj

Viti 2020, tashmë numëron orët e fundit dhe së shpejti do t’i takojë historisë. Pikërisht, në këtë kohë është e rëndomtë të flitet, përshkruhet apo analizohet ajo që e veçoi vitin që po lëmë pas, arrititjet apo dëshirat tona. Por, kësaj radhe nuk është si rëndom. Edhe fundviti është i ngjashëm me pjesën tjetër të vitit, pothuajse që nga fillimi i tij e që s’ka nevojë të rikujtohet, pasi ajo që përjetoi mbarë njerëzimi vazhdon të na shqetësojë gjithnjë. Ndryshe nga vitet e mëparshme, kësaj radhe shpallja e më të mirëve, ndarja e mirënjohjeve dhe falënderimeve për sukseset e arritura gjatë vitit e kështu me radhë, janë nën hijen e asaj që përjetuam dhe u përballëm në çdo çast të vitit që po lëmë pas. Në këtë vështrim të shkurtër, në veçanti nga njerëzit e medias, vlen të theksohet roli ose misioni që kryen ato gjatë gjithë kohës, duke iu përgjigjur kështu interesimit në rritje të opinionit më të gjerë ndaj asaj që prodhuan mediat. Ndonëse mediat punuan në kushte të jashtëzakonshme të shkaktuara nga pasojat e koronavirusit, ato e dëshmuan rolin e pazëvendësueshëm në mbrojtjen e interesit më të gjerë për çdo individ dhe shoqërinë në përgjithësi. Mjafton të rikujtojmë periudhën nga fillimet e pandemisë globale, respektivisht përhapjen e saj edhe në mjediset tona ( nga muaji mars i këtij vitit ), kur asnjë nga strukturat e shoqërisë nuk ishin të përgatitura për të vepruar në situatën e krijuar. Ngjashëm edhe puna e mediave të cilat të ndodhura në rrethanat e paparashikuara e njëkohësisht, për t’iu përgjigjur misionit të vet, bënë të pamundurën në mbështetje të betejës për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish. Ato, duke u ndodhur në linjën e parë të frontit së bashku me punëtorët shëndetësor, iu gjenden pranë secilit individ në momentet më të vështira. Në këtë mënyrë, interesi për mediat, respektivisht për të konsumuar sa më shumë informacione lidhur me rrjedhat e pandemisë globale nga opinioni më i gjerë, ka shënuar rritje të menjëhershme. Kjo, në radhë të parë falë përkushtimit të njerëzve në media të cilët, duke përvetësuar teknologjinë e re të punës, shumë shpejt janë adaptuar kryerjes së misionit të vet në kushte të jashtëzakonshme të punës. Mjaft shpesh, duke u sakrifikuar në situata të ndryshme, të përballur drejtpërdrejtë me këtë armik të padukshëm, gazetarët u gjendën përkrah punëtorëve shëndetësor dhe institucioneve tjera në sensibilizimin e opinionit më të gjerë dhe shpërndarjen e informacioneve në kohë reale. Me siguri, në të ardhmen kur e gjithë kjo t’i takojë të kaluarës, roli i mediave nga viti që po lëmë pas, puna e përditshme e tyre dhe kontributi i dhënë që pasojat e koronavirusit të ri të jenë sa më të vogla, do të veçohen si shembull që duhet ndjekur edhe nga gjeneratat e ardhshme. Urojmë që vitin e ardhshëm, mediat të punojnë në kushte normale dhe që pandemia globale e shkaktuar nga Covid-19, sa më parë t’i takojë të kaluarës.

Të fundit

më të lexuarat