Në fazën përfundimtare

Guci – Punët për ndërtimin e urës së re në lumin Vruja në Komunën e Gucisë, të cilat kanë filluar para ca muajsh, po kryhen me intensitet dhe janë në përfundim e sipër.
Para pak ditësh në shtratin e urës janë vendosur trarët e betonit e së shpejti pritet finalizimi i saj.
Realizimi i këtij projekti në vlerë 400 mijë euro financohet nga Qeveria e Malit të Zi nga buxheti kapital. Punët është duke i kryer Ndërmarrja ndërtimore “Fidija” nga Podgorica.
Ura e vjetër është rrënuar plotësisht, kurse ajo e reja, punët në ndërtimin e së cilës janë në fazën përfundimtare, do të jetë e gjatë 30 metra dhe në të dyja anët me trotuar.
Fjala është për njërin nga segmentet e projektit të konstruksionit, respektivisht modernizimit të aksit të rrugës rajonale Plavë – Vojno Sellë – Krushevë – Guci, në gjatësi prej rreth dhjetë kilometrash, vlera e të cilit kap shumën prej afër 4.4 milionë euro.
Theksojmë se punët në pjesën e këtij objekti infrastrukturor rrugor Plavë – Vojno Sellë – Hakaj, në gjatësi prej rreth 5 kilometrash që i takon Komunës së Plavës, janë në fazën e dytë dhe përfundimtare, kurse ato në vazhdimin e saj në pjesën Vishnjevë – Krushevë – Kolinë – Guci, që i përket Komunës së Gucisë, pos urës së përmendur në ndërtim e sipër, ende nuk kanë filluar.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat