Podgoricë – Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar të hënën mbrëma ndryshimet në Ligjin për liritë fetare. Për ndryshimet kanë votuar 41 deputetë të shumicës qeverisëse, kurse deputetët e opozitës nuk kanë marrë pjesë në punën e Kuvendit, pasi ishin të pakënaqur me ndryshimet e propozuara në ligj.
Ndryshimet u hartuan nga Qeveria e re malazeze, me kërkesë të Kishës Ortodokse Serbe. Mbështetës të opozitës dhe të organizatave të ndryshme promalazeze kanë protestuar para Kuvendit të Malit të Zi, duke kundërshtuar ndryshimet në Ligjin për liritë fetare, i miratuar nga qeveria e kaluar në fund të vitit 2019.
Ndryshimet e miratuara fshinë nenet nga versioni i mëparshëm i Ligjit për liritë fetare në të cilat përcaktohej se “të gjitha ndërtesat fetare që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore dhe ishin pronë e shtetit të Malit të Zi para humbjes së pavarësisë së tij më 1918 dhe që më vonë nuk janë bërë pronë e një komuniteti fetar në mënyrë të përshtatshme ligjore, do të njihen si pronë e shtetit”.
Ky nen ishte i papranueshëm për Kishën Ortodokse Serbe, e cila menjëherë pas miratimit të versionit të parë të ligjit, në dhjetor 2019, nisi protesta të gjera, me mbështetjen e shumicës së opozitës së atëhershme.
Ndryshimet e reja në ligj gjithashtu shfuqizuan dispozitën ku parashihej që një komunitet fetar duhet të regjistrohet, e cila ishte gjithashtu një nga pikat që Kisha Ortodokse Serbe e kundërshtoi me forcë.
Dy amandamente të Lëvizjes Qytetare URA u bënë pjesë integrale e ligjit të miratuar. Me këto amandamente përcaktohet që bashkësitë fetare qendrat e të cilave janë jashtë vendit dhe të cilat nuk janë regjistruar në regjistra, janë të detyruar të veprojnë brenda rendit ligjor të Malit të Zi.
(Kohapress/REL)
