Në vigjiljen e 70-vjetorit të themelimit të Aleancës së NATO-s, në Uashington u njoftua një mbështetje e fortë për këtë aleancë të njohur ushtarake. Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara miratoi me vota dërmuese masa të reja mbështetjeje, të cilat sigurojnë që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë anëtare e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO

Kjo masë erdhi në përgjigje të lajmeve në disa media amerikane se Presidenti Donald Trump mund të ketë biseduar me këshilltarët e tij mbi mundësinë e largimit të Shteteve të Bashkuara nga NATO-ja. Kjo votë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe vota që pritet për një projekt-legjislacion të ngjashëm edhe në Senatin amerikan, do ta bënte të pamundur largimin e Shteteve të Bashkuara nga Aleanca perëndimore, pa marrë parasysh se ç ‘mendon Presidenti Trump për këtë çështje.
Kongresisti Xhimi Panetta, demokrat nga Kalifornia, i bëri thirrje Senatit që ashtu siç bëri edhe Dhoma e Përfaqësuesve, e Kongresit, të miratojë këtë projektligj, duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin dhe të mbrojnë vendosmërisht aleatët tanë, anembanë botës. “Sot, Dhoma e Përfaqësuesve ritheksoi përsëri angazhimin dhe mbështetjen e plotë ndaj Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), si dhe përgjegjësinë tonë për të investuar në këtë shtyllë të paqes, të stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare”, është shprehur Kongresisti Pannetta në njoftimin për media, autori kryesor i këtij legjislacioni dhe djali i ish-Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, ish-Drejtorit të CIA-s dhe ish Shefit të Personelit në Shtëpinë Bardhë, Z. Leon Panetta. “Të jesh anëtar i NATO-s nuk është sikur të jesh anëtar i një klubi pasanikësh. Ne i vlerësojmë aleatët tanë në NATO. NATO është organizata që na dallon ne nga Rusia. Ne kemi aleatë që qëndrojnë pranë nesh dhe me ne, Rusia nuk i ka”, ka thënë me këtë rast kongresisti demokrat i Kalifornisë për gazetën e forcave ushtarake amerikane, “Stars and Stripes”.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “849” të revistës Koha Javore
