Kërkesë befasuese dhe e papranueshme

Ulqin – Forca e Re Demokratike dhe Lëvizja Qytetare URA kanë reaguar ndaj kërkesës së Ministrisë së Financave të Malit të Zi për mundësinë e shkëmbimit të pronës së ndërmarrjes “MN Invest” nga Nikshiqi me pronën që ndodhet në ullishtën e Valdanosit.
Në deklaratën për shtyp të Forcës së Re Demokratike thuhet se nuk është e nevojshme që dikush nga Nikshiqi apo cilido vend tjetër i botës të merret me kultivimin e ullinjve në tokat e qytetarëve të Ulqinit, pasi që ata i mbjellin dhe i kultivojnë vetë.
“Ministria e Financave në vend të kërkimit të mendimit nga Komuna e Ulqinit, duhet të sjellë vendimin për kthimin e ullishtës, të cilën ne si pronarë do ta valorizojmë shumë më mirë sepse është në traditën tonë që ta mbiellim dhe përpunojmë ullirin”, thekson kjo parti. .
Nga Forca e Re Demokratike kanë bërë të ditur se të befasuar nga kërkesa e Ministrisë së Financave, i janë drejtuar me një shkresë publike kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq, ministrit të Drejtësisë dhe njëherazi nënkryetarit të Qeverisë, Zoran Pazhin, dhe ministrit të Financave, Darko Radunoviq, të cilët i kanë njoftuar se “parcelat kadastrale për të cilat kërkohet mendimi i komunës gjenden në kompleksin e Valdanosit dhe të njëjtat gjenden në proces gjyqësor për kthimin e tyre pronarëve të mëhershëm”.
Edhe për Lëvizjen Qytetare URA, kërkesa e Ministrisë së Financave është e papranueshme për arsye se toka kontestuese është konfiskuar në mënyrë të paligjshme nga 204 familje ulqinake të të gjitha konfesioneve fetare.
“Për të njëjtën zhvillohet procedura gjyqësore para institucioneve nacionale dhe ndërkombëtare që duhet të japin verdiktin e tyre final dhe zgjidhje meritore që toka në fjalë t’u kthehet pronarëve të mëparshëm”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
URA kërkon nga qeverisja vendore e Ulqinit që të kundërshtojë fuqishëm këtë kërkesë e nëse duhet, për të të diskutohet edhe në Kuvendin e Komunës së Ulqinit në mënyrë që t’i jepet një përgjigje e qartë për këtë devastim që nuk është aspak në interes të qytetarëve të Ulqinit.  (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat