Flamuri i Malit të Zi në të gjitha organet dhe institucionet shtetërore dhe komunale

Podgoricë – Qeveria e Malit të Zi ka miratuar Propozim-ligjin mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për simbolet shtetërore dhe Ditën e shtetësisë së Malit të Zi, sipas të cilit qeverisjet vendore dhe institucionet publike janë të obliguara që të vendosin në mënyrë të përhershme flamurin e Malit të Zi në objektet ku janë të vendosura këto organe dhe institucione, si dhe obligimin e ngritjes në këmbë të personave të pranishëm me rastin e intonimit të himnit të Malit të Zi.
Këtë e ka bërë të ditur të enjten ministri i Kulturës, Aleksandar Bogdanoviq, pas mbledhjes së qeverisë së Malit të Zi.
“Futet obligimi i institucioneve publike, themelues i të cilave është shteti, gjegjësisht komuna, që flamuri të qëndrojë i ngritur përherë në godinat ku janë të vendosura këto organe dhe institucione. Po ashtu në Propozimin mbi ndryshimet dhe plotësimit e Ligjit futet obligimi i ngritjes në këmbë të të pranishmëve me rastin e intonimit të himnit të Malit të Zi, si dhe dispozita ndëshkuese përkatëse në rast se shkelet ky nen i Ligjit. Gjoba ndaj personave fizikë për shkak të mos ngritjes në këmbë me rastin e intonimit të himnit të Malit të Zi do të jetë 300-2000 euro”, ka thënë ai.
Që nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006, një pjesë e opozitës proserbe në Mal të Zi nuk i njohin dhe nuk i respektojnë simbolet shtetërore të Malit të Zi. Ka pasur raste kur në komunat ku pushtetin e kanë partitë e bllokut proserb, të mos këndohet himni i Malit të Zi me rastin e ditës së këtyre komunave. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat