Ëndrrat e mia për Kosovën

Koha ime këtu pothuajse mori fund, por shpresoj që do të kthehem në Kosovë për ta parë një vend që po ndërtohet mbi fitoret e hershme dhe që po ecën drejt të ardhmes edhe më të ndritshme

Greg Delawie

Pas tri vjetëve të ngarkuara me punë dhe të frytshme në Kosovë, jam mirënjohës që pata rastin t’i shërbejë vendit tim në partneritetin e tij me vendin tuaj. Po largohem nga këtu me ndjenja shprese, megjithatë më duhet të them se Kosova është në kryqëzim kritik dhe duhet të bëjë zgjidhje të guximshme për të nxitur rritjen e saj ekonomike, për t’i vazhduar të arriturat në sundimin e ligjit dhe për t’iu afruar edhe më shumë integrimit evropian. Potenciali i bollshëm i Kosovës mund të kontribuojë për të ardhmen e ndritur nëse udhëheqësit i bëjnë zgjidhjet e duhura.
Gjatë kohës sime këtu ekonomia e Kosovës ka vazhduar të rritet: borxhi është në nivel të menaxhueshëm, buxheti është i baraspeshuar dhe të hyrat publike po rriten. Bizneset vendore po përfitojnë nga përmirësimi i mjedisit afarist, i nxitur nga qasja më e madhe në kredi, rregulloret e thjeshtuara dhe lidhjet më të mira në treg. Këta hapa pozitivë janë pasqyruar në ngjitjen e Kosovës në vendin e 40-të të raportit “Të bësh biznes” të Bankës Botërore.
Gjatë pesë viteve të shkuara bizneset kosovare kanë shtuar eksportin për 37 për qind, duke e përmirësuar imazhin e Kosovës jashtë vendit, veçanërisht në Evropë. Inkurajohem kur i shoh bizneset nga e tërë Kosova duke bashkëpunuar nën markën “Prodhuar në Kosovë” me përfitime të mëdha, si ndërmarrja e një serbi nga veriu i Kosovës që punon me ndërmarrjet e shqiptarëve kosovarë në jug për prodhimin dhe për eksportin e produkteve të drurit. Kosova duhet të vazhdojë që t’i bëjë këto rrëfime të suksesit të zakonshme. Në sektorin e bujqësisë, bujqit, duke përfshirë edhe bujkeshat, po fitojnë më shumë të ardhura si rezultat i eksportit të produkteve si mjedrat dhe bimët mjekësore.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “834” të revistës Koha Javore

Të fundit

më të lexuarat