Ulqin – Në mjediset e Komunës së Ulqinit, të premten është mbajtur mbledhja e parë e Këshillit për Përmirësimin e Pozitës së Personave me Invaliditet dhe të Hendikepuar.
Mbledhjen e ka kryesuar kryetari i këtij Këshilli, Sabri Halili, kurse fjalën hyrëse dhe përshëndetëse e mbajti kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, dr. Ilir Çapuni.
Në deklaratën për shtyp të Shërbimit për informim të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, thuhet se Çapuni potencoi detyrat dhe rëndësinë e këtij këshilli për të drejtuar politikat e qytetit që kanë të bëjnë me mundësitë e barabarta të të gjithë qytetarëve.
Ai theksoi domosdoshmërinë që secili qytetar të mund të ngjitet në të gjitha shkallët fizike, por edhe administrative të institucioneve publike.
Më tej, Skender Elezaga më hollësisht shpalosi të drejtat e kësaj shtrese të shoqërisë dhe obligimet e institucioneve.
Anëtarja e këtij Këshilli, Dr. Majlinda Kurt, duke i përshëndetur të pranishmit njoftoi hapat që po ndërmerren për të instaluar ashensorin në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin, kurse Mirjeta Gjoni rikujtoi edhe obligimin ligjor për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në administratë dhe i gëzoi të pranishmit me lajmin që këto ditë Komuna e Ulqinit ka përfunduar procesin ligjor për punësimin e një personi që i përket kësaj shtrese.
Në mbledhje ka marrë pjesë edhe Magdalena Gjonoviq, hyrja e së cilës në Komunë ishte prekëse për të gjithë të pranishmit.
Ajo ka shpalosur një listë të tërë sfidash me të cilat ballafaqohet ajo çdo ditë, me obligimet që kanë institucionet, por shpalosi edhe vullnetin e mirë dhe vuri në dispozicion kohën dhe energjinë e saj për të filluar me zgjidhjen e këtyre problemeve një nga një.
Në emër të OJQ-ve të qytetit, të pranishmëve iu drejtua edhe Nazif Veliqi, i cili dha udhëzimet lidhur me dokumentet strategjike që duhen miratuar për t’i dhënë drejtimin e duhur kësaj problematike.
(Kohapress)
