Pas kakofonisë politike dhe një debati mediatik në lidhje me opsionet e ndryshme të arritjes së një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë përmes ndarjes, shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve, janë hapur dilema dhe debate të mëdha në mes pozitës dhe opozitës si në Kosovë ashtu dhe Shqipëri, por edhe te faktori ndërkombëtar që padyshim do të jetë vendimtar në lidhje me këtë çështje
Duke marrë parasysh faktin se janë bërë pesë vite prej kur kanë filluar bisedimet ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje midis dy vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, në muajt e fundit kanë filluar të trajtohen tema të nxehta që kanë të bëjnë me përkufizimin territorial të Kosovës. Nga Bashkësia Europiane theksohet së marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë duhet te arrihet më së largu nga mesi i vitit të ardhshëm, sepse ky ekip negociator deri atëherë ka mandat, sepse në maj të vitit të ardhshëm do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe nuk dihet së si do të jetë me pas përbërja e tij. Por, siç janë duke u zhvilluar bisedimet, del se pala kosovare është në pozitë më të vështirë, sepse duhet të bëjë kompromis, nëse mendon për t’u anëtarësuar në OKB e organizma të tjerë ndërkombëtarë.
Pikërisht një kompromis i tillë është theksuar disa herë në konferenca për media nga Presidenti i Kosovës Thaçi, por pa dhënë detaje në këtë aspekt. Ideja për ndarje të Kosovës nuk është e re, por është prezentë nga viti 1991 e më pas, fillimisht nga serbet e më pas edhe nga analistë, autoritete shkencore dhe politike. Edhe pse një ide e tillë është hedhur poshtë nga përfaqësuesit politikë të Kosovës, ajo ka evoluar muajve të fundit, si mundësi për të arritur një marrëveshje me Serbinë. Por po ashtu në opsion janë edhe shkëmbimi i territoreve dhe në veçanti korrigjimi i kufijve.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “832” të revistës Koha Javore

