Mali i Zi që sa vite më përpara u quajt shtet ekologjik, e që përsëri vite me radhë përsëritet e njëjta frazë, e që në realitet as që ekziston një germë “E” nga ajo ekologji
Mali i Zi, një shtet i vogël me një numër të vogël të popullsisë, vend i cili ka shumë gjëra pozitive e po ashtu edhe shumë negative. Si vend të krijon shumë mundësi për një jetë të mirë, por politika dhe politikanët nuk e lejojnë këtë për arsye dhe interesa të një rrethi të ngushtë.
Mali i Zi që sa vite më përpara u quajt shtet ekologjik, e që përsëri vite me radhë përsëritet e njëjta frazë, e që në realitet as që ekziston një germë “E” nga ajo ekologji.
Mbrojtja e mjedisit është diçka shumë e rëndësishme për njerëzit, është një nga më kryesoret që nevojitet për një shëndet të mirë. Prandaj vendin duhet t’a mbajmë dhe ta ruajmë ashtu siç ruajmë shtëpinë tonë. Por sa i qëndrojmë besnikë kësaj?
Jo vetëm qytetarët që jetojnë këtu janë të parregullt, por parregullsi të madhe kanë edhe organet kopetente që merren me pastrimin dhe me mirëmbajtjen e vendit. Angazhimi i tyre është nën çdo nivel. Ngado të shkosh si në kryeqytet ashtu edhe nëpër rrethe të tjera i sheh koshat e mbeturinave të mbushura përplot, e jo vetëm brenda tij por ata marrin një hapësirë shumë më të gjerë nga mospastrimi dhe mospërkujdesja. Pasqyrë shumë e shëmtuar dhe shembull i keq për të gjithë. Duhet të kenë turp për ata që kalojnë këndej, për një turist nga një vend i Evropës që nuk i është rastis që të shoh diçka të tillë në vendin e tij.
Çfarë është edhe ma e keqja se deponinë e kanë pothuajse në mes të qytetit, e kurdoherë që kalon andej qofsh edhe në veturë dëgjon erëza të pakëndshme e të cilat normalisht që ndikojnë negativisht në shëndet. Por si mund ta kenë ata të cilët e kanë banesën pranë kësaj deponie!?
Duke i marrë të gjitha këto parasysh e shohim që Mali i Zi vetëm në dokument mbetet si shtet ekologjik, në realitet vend përplot i mbushur me mbeturina dhe pisllëqe të ndryshme.
Por jo vetëm kaq, të mbushura me mbetje janë edhe Liqenet, Deti e çfarë është edhe më e keqja lumenjtë, nga ku edhe shumë vende furnizohen me ujë të pijshëm.
Por çfarë t’i bëhet, jemi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian..

