Rrugë pa rrugëdalje

Ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë, me gjatësi rreth 30 kilometra, është shndërruar në një problem të madh ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Komunës së Deçanit dhe Manastirit të Deçanit për shkak të pengesës së këtij të fundit për kryerjen e punimeve në zonën e cilësuar të mbrojtur nga Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura.
Punimet për ndërtimin e rrugës janë duke vazhduar jashtë Zonës së mbrojtur, porse ende nuk dihet se cila do të jetë traseja finale e saj.
Kisha Ortodokse Serbe nuk lejon që rruga të ndërtohet afër Manastirit të Deçanit.
Sipas përfaqësuesve të saj, traseja e rrugës është brenda zonës së mbrojtur me ligj.
Për këtë ata kanë mbështetjen e shefave të misioneve të Bashkimit Evropian në Republikën e Kosovës dhe të Këshillit për Zbatim dhe Mbikëqyrje, një organizëm që merret me zbatimin e Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2008 dhe ndalon çdo ndërtim në zonat e cilësuara si zona të veçanta, ku bën pjesë edhe Manastiri i Deçanit.
Për kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, “është e pakuptimtë se si nuk mund të riparohet një rrugë ekzistuese, që ekziston me shekuj, pa e marrë pëlqimin edhe të personelit të Manastirit dhe të Komisionit për Zbatim dhe Mbikëqyrje të kësaj zone”.
Ndërtimi i rrugës Deçan – Plavë, një projekt i vjetër mbi 40-vjeçar, ka filluar më 25 shtator 2014. Në prill të këtij viti kanë rifilluar punimet dhe është premtuar se do të përshpejtohet ndërtimi i rrugës. Por deri tani është bërë gërryerja e rrugës dhe shtrimi i vetëm pak më shumë se dy kilometrave me asfalt, ndërkohë që Mali i Zi nuk e ka filluar fare ndërtimin e saj.
Projekti i ndërtimit të rrugës Plavë-Deçan synon të lidhë dhe të afrojë Malin e Zi me Kosovën dhe banorët e zonave kufitare duke ndikuar njëkohësisht në zhvillimin e tyre.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat