Berlin – Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka qëndruar të premten në një vizitë zyrtare në Berlin, me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel.
Siç raportohet në profilin zyrtar në Twitter të Qeverisë së Malit të Zi, Markoviq dhe Merkel u pajtuan se nuk duhet të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan.
Kancelarja Merkel është shprehur edhe më herët kundër çdo ndryshimi të kufijve në Ballkan.
Kjo deklaratë ka ardhur pasi që tashmë në Prishtinë dhe Beograd, është diskutuar për korrigjim të mundshëm të kufijve nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq.
Gjithashtu, në postimin e Qeverisë së Malit të Zi në profilin e saj në Twitter, thuhet se Merkel dhe Markoviq kanë biseduar edhe për luftimin e krimit të organizuar.
“Në luftën kundër krimit të organizuar, nuk do të jetë askush i mbrojtur”, ka thënë Markoviq.
Merkel, po ashtu, ka përkrahur integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Duke e falënderuar kancelaren Merkel dhe Qeverinë e Gjermanisë për mbështetjen e përgjithshme që i kanë dhënë Malit të Zi në planin e realizimit të prioriteteve të tij në politikën e jashtme dhe ambicieve të përgjithshme evrointegruese, kryeministri Markoviq ka theksuar se Gjermania, si partner kyç i Malit të Zi dhe i rajonit, i kupton mirë nevojat tona dhe e sheh të ardhmen e gjithë rajonit në Evropë.
Markoviq dhe Merkel kanë biseduar edhe për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh ndërmjet Malit të Zi dhe Gjermanisë.
Kryeministri Markoviq ka thënë se Mali i Zi është i interesuar për bashkëpunim ekonomik me Gjermaninë.
“Ne dëshirojmë që investitorët gjermanë të vijnë në Mal të Zi jo vetëm për shkak të parave, por edhe për shkak të transmetimit të dijeve, përvojave dhe praktikave të mira. Edhe sot kemi folur për atë që të krijojmë kushtet që kompanitë dhe investitorët gjermanë të jenë më të pranishëm në sektorët që janë më të rëndësishëm për ekonominë tonë, para së gjithash në energjetikë, turizëm, bujqësi dhe disa sektorë të tjerë”, ka theksuar ai.
(Kohapress)
