Sot ne shpeshherë e fajësojmë internetin për çdo gjë negative që mund të na ndodhë nga përdorimi i tij, por këtë evoluim të ri, nuk duhet ta shikojmë si një superfuqi që ushtron pushtet mbi ne pasi ne duhet të jemi vetë administrues të mirë të profileve tona. Po kështu, nuk mund të fajësojmë internetin as për video-games as për YouTube as për rrjete të tjera sociale, por duhet të jemi vetëkritikë për të qenë të aftë t’i kontrollojmë instinktet tona që të mos krijojmë varësi ndaj përdorimit të tij
Shoqëria njerëzore po bëhet gjithnjë e më e varur dhe në pritje të shpikjeve të reja dhe më të sofistikuara të cilat po i zbulojnë dhe jetësojnë njerëz të shkencës dhe teknologjisë. Ndër vite, çdo zbulim i madh ka ngjallur divergjenca tek ata të cilët nuk i pëlqyen kurrë këto zbulime, duke u përpjekur t’i ndalonin së jetësuari.
Frika ndaj diçkaje të re apo frika se në mos bota do ndryshonte për keq apo se interesat tona do të cenoheshin, na japin shkas t’i mohojmë me një lloj “injorance” dhe t’i nënvlerësojmë këto zbulime të reja të cilat shkenca dhe teknologjia i sjell nga dita në ditë. Historikisht, çdo shpikje e re për dikë ishte shumë interesante, ndërsa për një pjesë tjetër, përbënte çmenduri. Por, pavarësisht kësaj, të gjitha ato arritën të lulëzonin. Po të marrim si shembull shtypshkronjën e Gutenbergut (1450) nga e cila i gjithë shtypi e ka zanafillën, kritikët e asaj kohe këmbëngulnin që kjo “kohë e re” të mos vinte kurrë, vetëm për shkak se rrezikohej puna e tyre e përditshme, duke qenë se ata letrën e kopjonin (shumëzonin) me dorë. Megjithatë, kjo shpikje e re u mirëprit në masë të gjerë dhe vlera e saj nuk degradoi kurrë prej kundërshtarëve të asaj kohe. Puna kolosale që kryente kjo shtypshkronjë u pranua masivisht, madje ajo mori jetë me ritme të shpejta, e po kështu njëra pas tjetrës, të gjitha format e komunikimit masiv u komentuan nga këndvështrime të ndryshme, por ato, asnjëherë nuk pushuan së zhvilluari ashtu sikurse nuk pushojnë as sot e kësaj dite.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “827” të revistës Koha Javore

