Ndërgjegjësim i vendimmarrësve lokalë për çështjet rinore

Ulqin – Në hapësirat e Këndit për të Rinj në Ulqin, OJQ “Horizonti i Ri” në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit, organizuan shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
Kjo ditë festohet çdo vit më 12 gusht, në bazë të një rezolute të posaçme të Asamblesë së Përgjithshme, si një mundësi e veçantë për të tërhequr vëmendjen për çështjet rinore, si në komunitetet lokale ashtu edhe në nivel të shteteve ku ata jetojnë dhe veprojnë.
Pikërisht, për të dëgjuar zërin e të rinjve dhe për të ndërgjegjësuar vendimmarrësit lokalë për çështjet rinore, në Ulqin u organizua një takim i veçantë midis aktivistëve rinorë dhe drejtuesve të pushtetit vendor.
Në një atmosferë të relaksuar dhe miqësore, të rinjtë bashkëbiseduan me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Loro Ndrekiq, dhe me nënkryetaren e Komunës, Hadixha Gjoni.
Ata paraqiten shqetësimet dhe pikëpamjet e tyre për problemet me të cilat ballafaqohen të rinjtë në Ulqin, por edhe dhanë propozime e ide se si mund të përmirësohet pozita e tyre aktuale.
Me këtë rast, drejtuesit e Komunës së Ulqinit shprehën vlerësim për përpjekjet e të rinjve për t’u edukuar për pjesëmarrje në vendimmarrje dhe shprehën gatishmërinë e tyre që të punojnë në përmirësimin sa më të mirë të pozitës së të rinjve në Ulqin.
Në këtë ceremoni, vijuesit e trajnimit tremujor për mundësitë e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, u shpërblyen me diploma.
Kur bëhet fjalë për çështjet rinore, duhet të theksohet se Mali i Zi ka miratuar Strategjinë për të Rinj për periudhën 2017-2021. Një ndër prioritetet kryesore të kësaj strategjie është edhe “pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje, në zhvillimin e komunitetit lokal dhe në hartimin e politikave publike”. Mirëpo, kur bëhet fjalë për nivelin lokal, Komuna e Ulqinit nuk ka hartuar asnjë dokument të politikave rinore, që burojnë nga Ligji për të Rinj dhe që janë obligim i çdo vetëqeverisjeje lokale: mungon strategjia për të rinj, plani i veprimit rinor, nuk është themeluar këshilli lokal i të rinjve dhe nuk është hapur zyra për të rinj në Komunë.
Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit “Të rinjtë marrin pjesë, të rinjtë marrin vendime!”, të cilin OJQ “Horizonti i Ri” e realizon me mbështetjen e Ministrisë për Sport të Malit të Zi.   (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat